Po shembet “Nish Cigarja” e Durrësit

654
Sigal

Nis “beteja” për shpëtimin e fasadës me basorelievin e madh në përkujtim të 20 gushtit 1940

Në Durrës ka filluar të shembet ndërmarrja e vjetër e “Nish Cigares”, e cila ka qenë një nga krenaritë e industrisë në Durrës në periudhën e paraçlirimit dhe më pas. Kjo ndërmarrje, e cila ka punësuar me mijëra punonjës dhe ka qenë e njohur në shumë vende të botës për cigaret dhe duhanin cilësor që ka prodhuar. Tashmë duke qenë se edhe prodhimi i saj është ndërprerë prej vitesh, ka filluar shembja e ndërtesës masive. Po kjo shembje ka shkaktuar edhe një problem, për të cilën është ndërhyrë nga Muzeu Rajonal si dhe Policia Ndërtimore për të mbrojtur një basoreliev, i cili ka qenë konstruktuar në  fasadën ballore të ndërmarrjes pioniere në qytetin e Durrësit, për grevat e organizuara kundër pushtimit fashist të vendit me 20 gusht 1940. Basorelievi është një vepër artistike e artisteve Durrsakë që i përket traditës së Realizmit Socialist dhe ka pasur përmasa të mëdha me gjatësi 7 metra dhe lartësi 1.5m. Në afërsi me të janë edhe pllakatet përkujtimore të dëshmoreve të shumtë që kanë dalë nga kolektivi luftarak i kësaj ndërmarrje. Një nga dëshmorët që ka dalë nga gjiri i kolektivit është edhe Telat Noga, emër, i cili i’u dha “Nish Cigares”, Stamlesit të vjetër, pas çlirimit të vendit. Me fillimin e punimeve u bënë përpjekje që vepra artistike në formë pllakati të derdhur në beton të çmontohet dhe të ruhet si vepër me vlera artistike dhe historike për popullsinë e Durrësit. Pasi u bënë këto kërkesa është rënë dakord që të bëhet çmontimi me kujdes i pllakatit nga fasada dhe të sistemohet pranë muzeut rajonal. Për këtë ka disa dite që janë ndërprerë punimet dhe pritet që të bëhet edhe çmontimi i objektit artistiko-historik.

“BETEJA PËR SHPËTIMIN E BASORELIEVIT”

Menjëherë pas fillimit të punimeve, mësohet nga burime nga Policia Ndërtimore e Durrësit, shumë qytetarë, që kanë persona të familjes që kanë punuar në këtë ndërmarrje historike për Durrësin, por dhe që janë të lidhur nëpërmjet punëtorëve të këtij kolektivi që kanë rënë dëshmore në vitet e luftës,  kanë shprehur shqetësimin për fatin e basorelievit në fasadë. Pas kësaj mësohet është ndërhyrë për të bërë të mundur ruajtjen e tij me çdo kusht. Së bashku me Policinë Ndërtimore ka ndërhyrë edhe Muzeu Rajonal i Durrësit. Për këtë është biseduar në lidhej telefonike me drejtorin e këtij Muzeu, Edmond Agolli, i cili ka bërë me dije se pasi kanë marrë të dhëna mbi shembjen e ish -Nish Cigares “Telat Noga” , së bashku me Shefen e Policisë Ndërtimore të Durrësit, Anila Myderizin është ndërhyrë për të mos lejuar prishjen e basorelievit që ndodhet në fasadën ballore të saj dhe që është ngritur në përkujtim të 20 Gushti kur qenë organizuar edhe protesta dhe greva nga punonjësit e saj. Pas kësaj ndërhyrje është rënë dakord,- tha Agolli, që basorelievi të hiqet nga firma që po bën prishjen e saj pa u dëmtuar. Ai tha se ne atje kemi shkuar si grup nga të dyja palët, muze-Polici Ndërtimore  dhe pasi u bëmë me dije se në rast prishjeje ata do të përgjigjeshin ligjërisht për dëmtimin e monumentit, është rënë dakord të mos prishet dhe të ruhet. Pas çmontimit, objekti do të ruhet në ndonjë ndërmarrje në pronësi të Bashkisë, por mirë do të ishte, thotë Agolli, që të rivendosej në të njëjtin vend pasi ajo është një ngjarje historike dhe kujtdo do t’i bënte nder që ta kishte në ballinën e ndërtesës.