Në Shqipëri deri në qershor 2026 rezultojnë se janë të regjistruar gati 40 mijë shtetas të huaj, ku më shumë se gjysma e tyre po qëndrojnë në vend për të punuar.
Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit deri më 30 Qershor 2026 janë regjistruar gjithsej 38,712 leje qëndrimi të miratuara për shtetasit e huaj.
Sipas shtetësisë, numrin më të lartë të lejeve e kanë shtetasit e Kosovës me 7,302 leje duke përbërë rreth 19% të totalit të lejeve aktive të qëndrimit.
Pas tyre, numrin më të lartë e përbëjnë shtetasit nga Italia me 4,332 leje qëndrimi apo me 11% të totalit. Numri i lejeve të qëndrimit të shtetasve nga India arriti në 3,882 duke zënë 10% të totalit, nga Filipinet në 3,638 (9.3% të totalit) dhe nga Egjipti me 3,441 apo 8% të lejeve aktive.
Punësimi mbetet arsyeja kryesore e qëndrimit të shtetasve të huaj në Shqipëri. Sipas të dhënave, numrin më të madh të lejeve të qëndrimit e zënë lejet unike për punëmarrës dhe lejet unike të vetëpunësimit. Për të dyja këto kategori, numri i tyre deri në qershor 2026 arriti në 22,693 leje për punësim, duke përbërë 59% të totalit të lejeve të qëndrimit.
Numrin e të huajve të pajisur me leje unike nga punëmarrësit e kryesuan shtetasit nga Filipinet, India dhe Egjipti. Këto vende kanë së bashku të miratuara 10,258 leje unike për punëmarrës, duke përbërë rreth 50% të totalit të punësuarve në vend.
Pas tyre janë lejet për bashkim familjar. Deri në qershor 2026 numri i tyre arriti në 7,124 leje aktive duke përbërë 18% të totalit të lejeve aktive të qëndrimit.





















