Forum/ Nga Nako Petro, Nikollaq Gjergji, Edmond Berisha

Nga Nako Petro

Shqipëria importon një pjesë të madhe të ushqimeve, ilaçeve dhe mallrave të konsumit nga BE kur euro zhvlerësohet edhe çmimet për qytetarët duhet të ulen. Euro bie, por çmimet nuk lëvizin, kush e mbron konsumatorin shqiptar?

Sigal

Euro ka zbritur në rreth 93 lekë, një nga nivelet më të ulëta të viteve të fundit kjo ne në teori duhet të ishte një lajm i mirë për konsumatorët. Shqipëria importon një pjesë të madhe të ushqimeve, ilaçeve dhe mallrave të konsumit nga vendet e Bashkimit Evropian. Kur euro zhvlerësohet kundrejt lekut, importuesit paguajnë më pak në monedhën vendase dhe, normalisht, edhe çmimet për qytetarët duhet të ulen ose të paktën të mos rriten.Gjatë pjesës më të madhe të vitit 2010 , Euro qëndroi e stabilizuar në nivelet e 135 – 137 lekëve, një realitet krejt ndryshe nga nivelet e sotme të këmbimit.

Perse ky ndryshim ne kursin e Euros nuk reflektohet ne shportën e ushqimeve.Por në realitet në raftet e supermarketeve dhe në tregje, qytetarët vazhdojnë të paguajnë çmime të larta. Në shumë raste, produkte që në Itali, Greqi apo vende të tjera të Bashkimit Evropian shiten më lirë, në Shqipëri kushtojnë po aq ose edhe më shumë, kjo është një situatë që kërkon shpjegim.

Nëse importuesit përfitojnë nga kursi më i favorshëm i këmbimit, përse ky përfitim nuk arrin te konsumatori? Kush e kontrollon zinxhirin e çmimeve, a funksionon konkurrenca në treg apo fitimi mbetet vetëm në hallkat e ndërmjetme? Një qeveri nuk mund të vendosë me ligj çmimet në një ekonomi tregu, por ajo ka detyrimin të garantojë konkurrencë të ndershme, të luftojë marrëveshjet e paligjshme, të forcojë mbikëqyrjen e tregut dhe të mbrojë konsumatorin nga abuzimet.

Po aq e rëndësishme është politika fiskale, shumë vende evropiane, në periudha të rritjes së kostos së jetesës, kanë ulur ose kanë reduktuar përkohësisht TVSH-në për produktet bazë ushqimore, me qëllim që lehtësimi të ndihet menjëherë nga familjet me të ardhura të ulëta.

Pse nuk diskutohet seriozisht një masë e tillë edhe në Shqipëri, pse buka, qumështi, vaji, orizi, mielli, veza dhe produktet e tjera të shportës bazë vazhdojnë të tatohen me të njëjtën normë, kur pensionistët dhe familjet në nevojë shpenzojnë pikërisht pjesën më të madhe të të ardhurave të tyre për këto produkte?

Një ulje e TVSH-së për ushqimet bazë nuk do të ishte vetëm një masë ekonomike, do të ishte një politikë sociale, që do të ndihmonte drejtpërdrejt shtresat më të prekura. Në vend të bonuseve të përkohshme, qytetarët kanë nevojë për politika të qëndrueshme që ulin koston e jetesës çdo ditë.

Nëse qeveria argumenton se ekonomia po rritet, inflacioni është nën kontroll dhe financat publike janë të qëndrueshme, atëherë lind një pyetje logjike, pse ky stabilitet nuk reflektohet në çmimin e shportës së pensionistit?Ekonomia nuk ka kuptim nëse përfitimet e saj nuk arrijnë te qytetari, rritja ekonomike nuk matet vetëm me statistika, por me fuqinë blerëse të njerëzve.

Një pensionist nuk jeton me kursin e euros, por me atë që mund të vendosë në tavolinën e familjes. Qeveria nuk mund të kontrollojë çdo çmim, por mund të ndërtojë politika që e bëjnë jetën më të përballueshme, mund të analizojë strukturën e taksave, të forcojë konkurrencën, të mbrojë konsumatorin dhe të shqyrtojë lehtësime fiskale për produktet bazë.

Në fund, pyetja mbetet e thjeshtë, nëse euro është më e lirë, ekonomia po rritet dhe inflacioni është i ulët, atëherë pse qytetarët vazhdojnë të ndihen çdo ditë e më të varfër? Kjo është pyetja që kërkon përgjigje, jo nga statistikat, por nga politikat konkrete.

Nga Dhimitër Gjergji

Vlerësimin dhe zhvlerësimin e monedhave kasta shtetërore duket se ka mësuar ta përdorë mirë, duke rritur përfitimet e saj. Si në një peshore, kur ulet pesha e gurit, zvogëlohet edhe sasia e mallit, ndërsa kur rritet çmimi i tij, shtohen fitimet e atyre që kontrollojnë tregun.

Në fund, koston e paguan populli, të cilit kjo kastë pretendon se i shërben. Në këtë periudhë të vitit, pjesë e këtij populli bëhen edhe turistët dhe emigrantët shqiptarë që kthehen në atdhe. Ata vijnë me euro ose dollarë në xhep dhe i këmbejnë në lekë për të përballuar shpenzimet e pushimeve në Shqipëri.

Përveç shpenzimeve të tyre, shumë prej tyre lënë edhe ndihma apo dhurata për familjarët. Këtu nis paradoksi. Euro bie, por çmimet e produkteve dhe shërbimeve nuk lëvizin. Përkundrazi, në shumë raste ato rriten. Këmbimi i valutës dhe rritja e çmimeve krijojnë fitime të mëdha për një grup të kufizuar përfituesish.

Edhe mallrat e importit, të cilat blihen me euro ose dollarë, shiten me çmime që rrallëherë reflektojnë uljen e kursit të këmbimit. Më e dhimbshmja është se, kur turistët largohen dhe sezoni mbaron, çmimet mbeten aty ku janë. Nuk ka kthim pas, nuk ka ulje, nuk ka reflektim ndaj realitetit ekonomik të qytetarëve.

Kjo tregon se tregu nuk funksionon sipas rregullave të konkurrencës së ndershme, por sipas interesave të atyre që kontrollojnë ekonominë dhe përfitimet. Në kalendarin e përditshëm të shqiptarëve nuk shënohet përmirësimi i mirëqenies, por vetëm rritja e fitimeve të një pakice. Ndërsa euro bie, xhepat e konsumatorëve nuk lehtësohen. Dhe pyetja mbetet e njëjtë: Kush e mbron konsumatorin shqiptar? Euro bie, por çmimet nuk lëvizin – ku po shkon konsumatori shqiptar?

Nga Edmond Berisha

Rënia e euros në tregun shqiptar nuk është shoqëruar me uljen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve. Përkundrazi, qytetarët vazhdojnë të përballen me një kosto të lartë jetese, ndërsa përfitimet nga zhvlerësimi i valutës nuk reflektohen në xhepat e tyre. Shumë qytetarë e shohin këtë situatë si pasojë të një sistemi ekonomik dhe institucional që nuk arrin të mbrojë interesin e konsumatorit.

Ata pyesin me të drejtë: nëse euro bie, përse nuk bien edhe çmimet e mallrave të importit, të karburanteve apo të shërbimeve? Në këtë debat ngrihet edhe zëri i shumë punëtorëve dhe ish-punëtorëve të sektorëve të vështirë, veçanërisht i naftëtarëve, të cilët prej vitesh kërkojnë njohjen e sakrificave dhe të drejtave të tyre.

Ish-naftëtarët e zonave të Drenovës dhe Cakranit kujtojnë se kanë punuar për dekada në kushte të rrezikshme, përballë gazrave toksikë dhe në ambiente që rrezikonin jetën e tyre. Ata kërkojnë mbështetje sociale, dëmshpërblim, asistencë financiare dhe trajtim të veçantë për shkak të natyrës së punës që kanë kryer.

Sipas tyre, shumë kolegë kanë humbur jetën ose janë përballur me pasoja të rënda shëndetësore si rezultat i punës në industrinë e naftës. Për këtë arsye, ata kërkojnë që institucionet shtetërore të dëgjojnë zërin e tyre dhe të marrin masa konkrete. Ndërkohë, qytetarët presin që ekonomia të funksionojë në favor të shumicës dhe jo të një pakice përfituese.

Rënia e euros duhet të sjellë lehtësim për konsumatorin, jo të mbetet thjesht një statistikë në tregun valutor. Pyetja që mbetet ende pa përgjigje është: kush do ta mbrojë konsumatorin shqiptar dhe shtresat që prej vitesh kërkojnë drejtësi sociale?