Bizneset drejt falimentit, zhyten në 1.3 mld euro borxhe

556
Sigal

Mungesa e ndihmave nga shteti, taksat , pagat dhe klientelizmi zhyt në borxhe bizneset ndaj tatimeve. Teksa mbi 145 mijë biznese kanë ulur qepenat ndër vite, 40 mijë të tjerë pritet të falimentojnë nga debia. Eno Bozdo: Teksa qeveria mbush arkën me dekrete, biznesi nuk ka mundësi të rrisë pagat ,ndaj edhe shqiptarët po braktisin vendin

Kriza ekonomike, që ka goditur vendin, e ndihmuar dhe nga situata e rënduar politike, duket se i ka pasojat më të rënda tek bizneset, të cilët po rrezikojnë falimentimin për shkak të mos shlyerjes së detyrimeve tatimore.

Bizneset krijuan mbi 160 milionë euro borxhe të reja ndaj tatimeve vetëm vitin e shkuar. Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tregojnë se në total sipërmarrjet shqiptare i detyrohen për taksat e pashlyera në kohë plot 146.8 miliardë lekë, në fund të 2022-it, apo gati 1.3 miliardë euro, nga 134.9 miliardë që ishte fatura në fund të vitit 2021.

Për eksperten kontabël Elisabeta Katia, kjo situatë vjen sa nga pamundësia e biznesit për të paguar detyrimet, aq edhe nga paaftësia e administratës për të parandaluar përpjekjet për shmangie tatimore nga sipërmarrjet.

“Të gjendet arsyeja në radhë të parë se ku akumulohet ky borxh dhe për çfarë lloj tatimi akumulohet ky borxh dhe te cili sektor. Duke pasur këtë logjikë të akumulimit të borxhit mund të ndërmerren masa sensibilizuese dhe parandaluese ndaj borxhit tatimor”,- tha Katia.

Pjesa më e madhe e këtyre detyrimeve, 61 për qind janë borxh faktik, 34 për qind penalitete dhe 5 për qind kamatëvonesa si pasojë e mos kryerjes në kohë të pagesave. Por teksa qeveria synon të falë evazionin përgjatë viteve me anë të amnistisë fiskale, a ka vend edhe për faljen e detyrimeve të lindura nga penalitetet dhe kamatëvonesat?

“Politikat lehtësuese janë shumë më favorizuese për biznesin se sa amnistia apo forma të tjera që deformojnë tregun”, shton Katia. Të dhënat nga “tatimet” tregojnë se 65 për qind e totalit të borxhit të keq me vlerë 104.3 miliardë lekë apo mbi 900 milionë euro është krijuar nga biznese që kanë shpallur falimentin apo kanë kaluar në status pasiv. Në kushtet që mbledhja e këtyre detyrimeve bëhet gati e pamundur, ekspertët vlerësojnë si mënyrën më të efektshme për uljen e borxhit tatimor, bashkëpunimin mes institucioneve dhe sipërmarrjeve. Flitet se janë 145 mijë biznese që kanë dalë nga tregu 10 vitet e fundit. 40 mijë biznese janë gati të mbyllin aktivitetin.