Të ardhurat e bankave nga komisionet arritën rekord të ri vitin e kaluar

227
Sigal

Të ardhurat e bankave nga komisionet arritën një rekord të ri vitin e kaluar. Të dhënat ngaBanka e Shqipërisë tregojnë se të ardhurat e sektorit bankar nga zëri i komisioneve dhe gjobave kishin vlerën e 14.95 miliardë lekëve ose rreth 130 milionë eurove. Vlera e të ardhurave nga komisionet është rritur me 11.9% krahasuar me një vit më parë. Të ardhurat nga komisionet përbëjnë edhe zërin e dytë më të rëndësishëm të të ardhurave të sektorit bankar, pas të ardhurave nga interesat. Rritja e të ardhurave nga komisionet ka dhënë një kontribut pozitiv në përmirësimin e mëtejshëm të rezultatit financiar të sektorit bankar shqiptar. Fitimi neto, sipas standardeve të raportimit për Bankën e Shqipërisë, arriti në 21.68 miliardë lekë, në rritje me 0.2% krahasuar me një vit më parë. Rritja e të ardhurave nga komisionet shpjegohet, në radhë të parë, me formalizimin e ekonomisë dhe përfshirjen më të madhe financiare, që reflektohet edhe në rritjen e vazhdueshme të përdorimit të produkteve dhe shërbimeve bankare nga publiku. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se numri i përdoruesve të shërbimeve bankare është në rritje. Vitin e kaluar, numri i llogarive në sektorin bankar arriti në 3.11 milionë dhe u rrit me 2% krahasuar me një vit më parë. Vlerësimet e Bankës së Shqipërisë tregojnë se tashmë afërsisht 70% e shqiptarëve në moshë madhore zotërojnë një llogari bankare. Por, një pjesë e zgjerimit të të ardhurave mund t’i atribuohet edhe rritjes së nivelit të komisioneve nga bankat tregtare. Në vitet e fundit, ka pasur një tendencë për rritje të komisioneve fikse, kryesisht të atyre të lidhura me mirëmbajtjen e llogarive. Rritja e komisioneve, ndër të tjera, mund të shpjegohet edhe me rritjen e kostove rregullatore, sidomos pas vitit 2019. Rritja e shpenzimeve të shqiptarëve për komisione mund të jetë një shembull i prekshëm i faturës, që po sjell shtrëngimi i vazhdueshëm i kuadrit rregullator të sektorit bankar.