Serbia dhe Shqipëria janë dy vendet më të shtrenjta të Europës për të blerë një shtëpi në raport me të ardhurat e familjeve dhe renditen ndër tregjet më pak të përballueshme në botë.Sipas një harte të publikuar nga njësia e të dhënave “Visual Capitalist”, e cila u referohet të dhënave të UN-Habitat, World Cities Report 2026, çmimi i një banese në Shqipëri është sa të ardhurat e një familjeje për 15.7 vjet.Me këtë tregues, Shqipëria renditet në vendin e 156-të nga 181 vende dhe territore, ku vendet në fund të klasifikimit janë ato me banesat më pak të përballueshme.Në Europë, vetëm Serbia ka një raport më të lartë, prej 15.9 vjetësh të ardhura, ndërsa në nivel botëror Shqipëria renditet mes 26 vendeve ku blerja e një banese është më e vështirë në raport me të ardhurat.Raporti mes çmimit të shtëpisë dhe të ardhurave tregon se sa vite të ardhura vjetore të një familjeje nevojiten për të përballuar çmimin e një banese tipike. Sa më i lartë të jetë ky raport, aq më pak i përballueshëm është tregu i banesave.Treguesi i Shqipërisë është rreth 40% më i lartë se mesatarja globale prej 11.2 vjet të ardhura.Çmimi mesatar i një banese është i barabartë me të ardhurat e plota që një familje siguron gjatë pothuajse 16 viteve.
Çmimet e apartamenteve në Tiranë u rritën 122% në shtatë vjet
Renditja e Shqipërisë ndër vendet më të shtrenjta për blerjen e banesave vjen pas një rritjeje të fortë të çmimeve të pronave gjatë viteve të fundit, sidomos në Tiranë.Sipas të dhënave të “Keydata”, të publikuara nga “Monitor”, çmimi mesatar i apartamenteve në kryeqytet arriti në mars të vitit 2026 në rreth 2,141 euro për metër katror.Në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2019, kur çmimi mesatar ishte rreth 965 euro për metër katror, apartamentet në Tiranë janë shtrenjtuar me rreth 122% brenda shtatë viteve.Vetëm gjatë vitit të fundit, çmimet e apartamenteve në kryeqytet vijuan të rriteshin, të nxitura nga kërkesa e lartë për prona, zgjerimi i ndërtimeve të reja dhe çmimet më të larta në zonat qendrore dhe në projektet e reja rezidenciale dhe kanalizimi i parave informale në ekonomi.Me çmimin mesatar të marsit 2026, një apartament me sipërfaqe 70 metra katrorë në Tiranë kushton rreth 150 mijë euro, shumë kjo e papërballueshme për një familje, teksa paga mesatare bruto në vend është më pak se 900 euro dhe ajo neto rreth 750 euro.




















