Shqipëria ka nisur procesin gjithëpërfshirës të përafrimit me kuadrin e ri evropian kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, duke u bërë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që ndërmerr këtë hap, deklaroi sot ministri i Financave, Petrit Malaj.
Përmes një njoftimi, Malaj bëri të ditur se është miratuar projektligji “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, i cili synon forcimin e arkitekturës financiare të vendit dhe rritjen e standardeve të transparencës.
“Shqipëria bëhet vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që nis procesin gjithëpërfshirës të përafrimit me kuadrin e ri evropian kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, u shpreh Malaj.
“Ndryshimet synojnë rritjen e transparencës mbi pronësinë përfituese; përmirësimin e cilësisë së raportimit për hetimet financiare dhe penale; forcimin e mekanizmave për ngrirjen dhe bllokimin e fondeve e aseteve; si dhe rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar”, deklaroi ministri.
Malaj theksoi se përafrimi me standardet e reja evropiane përbën një hap të rëndësishëm për forcimin e sigurisë së sistemit financiar shqiptar dhe mbrojtjen e ekonomisë nga aktivitetet që cenojnë integritetin financiar.
“Ky është një hap konkret drejt një sistemi financiar më të sigurt, më transparent dhe më të mbrojtur ndaj rreziqeve që cenojnë ekonominë shqiptare”, u shpreh ministri.






















