Nga Petrit Vasili
Po, po, shteti ka vdekur totalisht dhe dëshmi nga më tragjiket, ku djegia e hotelit në Vlorë ishte më e fundit, na e tregojnë shumë hidhur këtë.
Në çdo moment, njerëzit janë vetëm, të pambrojtur dhe të pambështetur, sepse shteti, që e paguajnë me taksat e tyre, ka vdekur.
Njerëzit janë vetëm në mes të flakëve, janë vetëm kur përmbyten, janë vetëm kur shkarje të mëdha toke ndodhin, janë vetëm kur ndodhin aksidente të mëdha, janë vetëm kur bien tërmete, janë vetëm kur furtunat dhe erërat e forta u dëmtojnë shtëpitë dhe prodhimet bujqësore, janë vetëm kur vidhen nga spekulantë financiarë, janë vetëm kur duhet të paguajnë nga xhepi miliona për shëndetin e tyre, janë vetëm përballë kriminelëve, sepse policia është bërë njësh me ta, janë vetëm përballë taksidarëve që i masakrojnë me gjoba milionëshe, pa pasur se ku ta gjejnë të drejtën.
Shteti ka vdekur dhe arkivoli i tij është burgosur në një zyrë të vetme, ku vegjeton një farë Edi Rama.
Zyra e vegjetuesit Rama ka tharë të gjitha arteriet e shtetit dhe ka gangrenosur funksionet e tij, duke lënë hapur vetëm rrugët e vjedhjes dhe mashtrimit.
Shteti i vdekur ka vetëm një funksion: atë që, në çdo rast halli të madh, të përsërisë frazën kriminale: “Kështu ndodh në të gjithë botën.”
Në të gjithë botën, shteti ngrihet në këmbë që t’u japë zgjidhje situatave dhe jo që të lëshojë jashtëqitje propagandistike, siç bën Zyra-shtet e Ramës.
Në të gjithë botën, kryeministrat lënë çdo gjë dhe shkojnë atje ku është problemi, kurse vegjetuesi Rama rri në plazh, ndërsa vendi digjet.
Në të gjithë botën, shteti blen mjete për të shuar zjarret, por kurrë nuk blen bileta tallavaje, siç bën vegjetuesi Rama në Shqipëri.
Në të gjithë botën, shteti është në këmbë për të kontrolluar e inspektuar zbatimin e rregullave, ndërsa në shtetin e vdekur të Edi Ramës gjithçka është në kaos dhe jashtë kontrollit, sepse çdo leje dhe licencë merret me korrupsion dhe duke paguar para nën dorë. Ndaj edhe digjen hotele, pallate banimi, lokale etj.
Në të gjithë botën mbrohet natyra, ndaj edhe ne mrekullohemi kur shkojmë jashtë, ndërsa vegjetuesi Rama ka betonuar dhe shëmtuar çdo vlerë të shkëlqyer natyrore që Shqipëria ka.
Shteti ka vdekur, ndaj edhe lajmet tragjike janë të njëpasnjëshme dhe helmojnë çdo ditë jetën tonë.
Zyra e gangrenosur Rama po bën gjithçka që të kalbë e të vdesë gjithë vendin dhe, deri tani, mjerisht, ia ka dalë.
Të shpëtojmë shtetin është detyrë për veten, përpara gjithçkaje tjetër.




















