Bankat zbardhin borxhet e “Kurum”, ja detyrimet në miliarda

922
Atëhere kur nuk pritej, kompania më e madhe turke e prodhimit të çelikut dhe të energjisë ka shpallur falimentin. Deri në fund të vitit 2014, kompania “Kurum” renditej në operatorin e pestë më të madh sipas xhiros në vend, me një qarkullim vjetor prej 28 miliardë lekë, me rritje me bazë vjetore 16%, kryesisht si rrjedhojë e përfshirjes në aktivitetin e energjisë përmes blerjes së katër hidrocentraleve në fund të vitit 2013: Bistrica 1 dhe 2, Ulëz dhe Shkopet, me fuqi totale të instaluar 76.7 MW. Komapnia turke “Kurum” ishte gjithashtu eksportuesi i dytë më i madh në vend në vitin 2014, me me shitje jashtë vendit prej 13.5 miliardë lekësh. Kjo kompani gjithashtu vlerësohej si e 100-ta mes kompanive më të mëdha sipas fitimit, ku ishte e 55-a, pas një rënie të ndjeshme të këtij treguesi në 309 milionë lekë nga 2.8 miliardë lekë vitin e mëparshëm.
Sigal

Intervista e menaxherit të përgjithshëm

Referuar një interviste që menaxheri i përgjithshëm i “Kurum International”, Koray Zeytinoglu që ka dhënë për mediat në shtator të vitit të kaluar, ai ka pohuar se ecuria e të ardhurave në 2014-n ishte thuajse njësoj me një vit më parë, por fitimi është minimizuar, si efekt i bursës ndërkombëtare. “Nga ana tjetër, në periudhën 2013-2014 ka pasur edhe rënie të ndërtimit në Shqipëri, për shkak të bllokimit të lejeve të ndërtimit, ndaj jemi detyruar të shtojmë eksportet. Por, kur shesim për eksport, normal që ka kosto transporti dhe në bursën ndërkombëtare ka shumë konkurrencë, duke zvogëluar marzhet e fitimit. Ndërsa, energjia, në krahasim me hekurin, është më fitimprurëse dhe ka qenë konstante si prodhim dhe si fitime. Viti 2015 pritet njësoj si viti 2014, si në xhiro ashtu dhe si prodhim. Për muajt e parë të vitit 2015, 63% të prodhimit e kemi eksportuar. Janë rritur eksportet, sepse kur nuk kërkon më tregu i brendshëm, detyrohemi që të çojmë prodhimin tonë jashtë, në zonat e Ballkanit, si Maqedoni, Kosovë, Mal i Zi”, pohonte menaxheri i Kurum, duke mos paralajmëruar vështirësi, që do të detyronin deri në shpallje të falimentit. Madje ai pohonte që në vitin 2016 planifikonte të rritej më tepër se në dy vitet e mëparshme. Kompania ka qenë ndërkohë në fokusin e autoriteteve për mosrespektim të standardeve mjedisore, që e detyruan Ministrinë e Mjedisit të bllokonte aktivitetin e saj në maj të vitit të mëparshëm.
Detyrimet e kompanisë “Kurum”
Po si ka qenë gjendja financiare e kompanisë dhe e detyrimeve të saj sipas bilancit të saj të vitit 2014 (viti 2015 nuk është mbyllur akoma dhe bilanci dorëzohet në fund të marsit). Kompania “Kurum” ka raportuar se huatë afatgjata janë rreth 15.3 miliardë lekë apo rreth 111 milionë euro. Në bilanc nuk specifikohet se ndaj kujt është ky detyrim. Gjithsesi, pjesa më e madhe e kësaj huaje i përket institucioneve ndërkombëtar, pasi edhe banka më e madhe në vend nuk mund të japë më shumë se 30 milionë euro për një klient të vetëm (sipas rregullores së bankës së Shqipërisë, një bankë nuk mund të japë më shumë se 20% të kapitalit për një klientë të vetëm). Kompania “Kurum” ka raportuar dhe hua afatshkurtër prej 3.2 miliardë lekësh apo rreth 23 milionë euro, (që sipas shpjegimeve në bilanc janë overdraft në banka të ndryshme), duke e çuar në total, në rreth 134 milionë euro totalin e huave afatshkurta dhe afatgjata. Kompania ka dhe llogari të pagueshme (detyrime) ndaj të tretëve në shumën e 125 milionë eurove. Audituesi ka certifikuar bilancin e “Kurum”, duke u shprehur se pasqyrat japin një pamje të vërtetë e të sinqetë të gjendjes së shoqërisë.
Kompania që bëhet garant për “Kurum”
Pak ditë para se kompania “Kurum” të shpallte falimentin, në 19 shkurt 2016, në QKR është regjistruar një kontratë pengu lidhur midis barrëdhënësit “Albametal” dhe “Kurum International” me administrator z. Hasmet Bedii Kurum, me objekt: Krijimi i pengut dhe i barrës siguruese. Sipas aktit të vënies së pengut, barrëmarrës janë shoqëria “Albametal”, me administrator Miodrag Jankovic dhe “Kurum International” përfaqësuar nga Yusif Sezai Kurum. Objekti i marrëveshjes është krijimi i pengut dhe barrës siguruese, sipas të cilit pengdhënësi bëhet garant për shlyerjen e plotë dhe të pakthyeshme të detyrimeve të garantuara me anë të këtij akti. Në mënyrë të pakthyeshme pala dhënëse bie dakord për dhënien dhe krijimin e një barre siguruese mbi aksionet e pjesëmarrjes në shoqëri dhe të drejtat e lidhura me to në favor të barrëmarrësi “Albameta dhe çdo aksion i ri i shqërisë dhe të drejtat e lidhura me ta që mund të zotërohen në të ardhmen nga barrëdhënësit. Kompania “Albametal” ka seli po në Elbasan dhe sipas të dhënave në QKR kompania është krijuar në tetor të vitit 2014 dhe ka si objekt prodhimin, tregtimin e çeliqeve të ndërtimit e profileve të tjera të hekurit. Aksioner i 100% të kapitalit është “Novometal Doo Veternik”.