Fondi i startup-eve 5.35 milionë euro, qokë për miqtë “sipërmarrës” të ministres Ibrahimaj dhe drejtor Arjanit

                                                                                                                                         Projektuesja e kësaj skeme është ministrja Delina Ibrahimaj dhe drejtori i agjencisë Arjan Ymeri, të cilët kanë ndërtuar një sistem ku paratë e taksapaguesve rrjedhin pa kontroll drejt miqve të tyre “sipërmarrës”. Fondi u krijua për të mbështetur inovacionin, por është kthyer në një kazan ku ushqehen të njëjtët emra, të njëjtat NIPT, të njëjtat kompani që nuk prodhojnë asgjë.

535 milionë lekë, rreth 5.35 milionë euro, u shpërndanë në emër të mbështetjes së sipërmarrjes së re dhe inovacionit. Kështu u prezantua nga ministrja Delina Ibrahimaj fondi i startup-eve për vitin 2026, një shifër që thuhej se ishte dyfishuar krahasuar me vitet e mëparshme. Kur i hedh sytë listave të fituesve dhe i krahason me njëri-tjetrin, del një pamje krejt tjetër. Paratë e taksapaguesve nuk po shkojnë te ata që krijojnë punësim, që prodhojnë teknologji, që kanë klientë dhe të ardhura reale. Po shkojnë te të njëjtët persona që kanë marrë një vit më parë, nuk kanë bërë asgjë dhe prapë po marrin përsëri.

Sigal

Verifikimi i listave të viteve 2024, 2025 dhe 2026 nxjerr në pah një realitet shqetësues. Dhjetëra kompani dhe të njëjtët përfitues janë kthyer në vizitorë të rregullt të këtij fondi. Në shumë raste ndryshon vetëm emri i startup-it, por NIPT-i mbetet i njëjtë. Katër prej tyre, Axiom Breach, B2Balkan, Autokorrektori i Gjuhës Shqipe dhe Komuniteti, janë shfaqur fitues në të tre thirrjet e organizuara deri më tani. Pra nuk bëhet fjalë për një rast të izoluar, por për një praktikë të rregullt.

MedWallet është një shembull që tregon më së miri sesi funksionon kjo skemë. Endri Burrja ka marrë 3.950.000 lekë në 2025 dhe 6.666.667 lekë të tjera në 2026, gjithsej mbi 10.6 milionë lekë për një aplikacion që ka vetëm rreth 20 shkarkime, të gjitha nga të afërmit e tij. Nuk ka përdorues realë, nuk ka klientë, nuk ka aktivitet, por kompania kaloi nga Faza e Validimit në Fazën e Zgjerimit, njëlloj sikur të kishte sukses në treg.

Komuniteti i Erion Çunit ka marrë 2.950.000 lekë në 2025 dhe 7.433.333 lekë në 2026. U lançua para një muaji dhe nuk ka gjeneruar asnjë lek të ardhur.

E-doctor i Emil Andonit ka marrë 3.200.000 lekë si e-Health Albania në 2025 dhe 6.466.667 lekë si eDoktor në 2026, vetëm duke ndryshuar emrin, por jo NIPT-in, dhe akoma nuk ka asnjë përdorues.

Talent Pass i Elvi Sharrës ka marrë 7.933.333 lekë në 2026, pasi kishte marrë në 2025, dhe akoma nuk ka përdorues.

Targa.al i Kevin Sadës ka marrë gati 4 milionë lekë, por në Google shfaqet “coming soon”, pra as faqja nuk është gati.

Marigo Marketplace është ndoshta rasti më i pafytyrë. Në 2024 mori 3.5 milionë lekë, në 2026 mori 6.8 milionë të tjera, gjithsej 10.3 milionë lekë. Aplikacioni u hoq nga Google Play, kishte vetëm 284 shkarkime para se të hiqej, faqja zyrtare nuk funksionon dhe në App Store nuk ka asnjë gjurmë. Pra produkti për të cilin kanë marrë para dy herë, sot nuk ekziston. Për ta bërë edhe më interesante, Marigo zotërohet nga bashkëshortja e Genti Selenicës, i cili është pronar i Baboon, një tjetër kompani fituese. Paratë publike ndahen brenda familjes dhe të dy produktet tregojnë dështim të plotë.

Tana Zone është rasti më i freskët. Kompania u themelua më 21 korrik 2025, me kapital 100 mijë lekë. Nuk ka asnjë aplikacion në Google Play ose App Store, nuk ka faqe interneti funksionale, nuk ka përdorues, nuk ka të ardhura. Megjithatë mori 4.600.000 lekë për Fazën e Zgjerimit, një fazë që sipas rregullores kërkon produkt të demonstruar dhe prani në treg.

Onemor SHPK e kalon të gjithë. Kompania u krijua më 20 shkurt 2026, tre ditë pas hapjes së thirrjes Grant 2026. Katër muaj më vonë u shpall fituese në Fazën e Zgjerimit, duke përfituar 6.133.333 lekë. Rregullorja kërkon që subjektet të kenë dorëzuar të paktën një bilanc tatimor përpara aplikimit. Një kompani e krijuar në shkurt 2026 nuk mund të ketë bilanc të vitit 2025. Por kjo nuk ishte pengesë.

Ndërsa këto kompani merrnin miliona, kompani të tjera që kishin marrë më shumë pikë se fituesit u skualifikuan pa shpjegim. Askush nuk e di pse. Askush nuk ka parë procesin e vlerësimit, pikëzimin e çdo aplikimi, verifikimet e kryera.Agjencia Kombëtare e Startup-eve, e drejtuar nga Arjan Ymeri, qëndron prapa gjithë kësaj. I njëjti Ymeri që ka dalë në të njëjtin aktivitet me Arben Oshafin, fitues i dyfishtë me B2Balkan, i cili ka marrë mbi 10 milionë lekë në dy vite. Ymeri njihet si njeriu i ministres Delina Ibrahimaj, e cila drejton ceremonitë dhe mban përgjegjësinë politike për këtë fond. Pra ministrja që shpall fituesit e ka drejtor një person që lidhet me një fitues të dyfishtë, ndërsa paratë rrjedhin pa kontroll drejt “biznesmenëve” të saj.

Ky është një zinxhir i tërë ku njerëzit me lidhje të dyshimta vendosen njëri pas tjetrit në drejtimin e parasë publike dhe e shpërndajnë atë sipas mënyrës së tyre, pa llogari, pa kontroll, pa rezultat. Fondi u krijua për të mbështetur inovacionin, por është kthyer në një kazan ku ushqehen të njëjtët emra, të njëjtat NIPT, të njëjtat kompani që nuk prodhojnë asgjë. Kur dikush e vëren, ata ndryshojnë emrin, ndryshojnë industrinë, kalojnë nga individ në shoqëri, apo vendosin emrin e gruas në letra për të marrë përsëri.

Deri kur do të vazhdojë kjo. Kush do të mbajë përgjegjësi për këto para të humbura. Pse kompanitë pa produkt, pa përdorues, pa të ardhura, marrin përsëri e përsëri, ndërsa sipërmarrësit e vërtetë skualifikohen. Pse një kompani e themeluar tre ditë pas hapjes së thirrjes merr 6.1 milionë lekë pa pasur bilanc tatimor. Pse Delina Ibrahimaj, që drejton ceremonitë dhe shpall fituesit, nuk thotë asgjë. Ndoshta sepse kjo skemë nuk është një gabim por është projektuar në mënyrë që të ketë vetëm një qëllim: zhvatjen e parasë publike si “qokë” për miqtë e ministres.