Ambasadori Soreca e Borchard, i patë “gorillat” e policisë që dhunuan artistë, gazetarë dhe të rinjtë?

320
Sigal

Autoritetet policore, nën urdhëra politikë, kanë ushtruar dhunë masive dhe arrestime ndaj artistëve, gazetarëve e aktivistëve të shoqërisë civile, të cilët kundërshtonin shembjen, tashmë fakt të kryer të Teatrit Kombëtar.

Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj injoruan thirrjet e komisioneres së Bashkimit Europian për Kulturën, Mariya Gabriel, e cila u sugjeronte palëve në Shqipëri që të dialogonin për çështjen e Teatrit Kombëtar.

Organizata prestigjioze, “Europa Nostra”, nga ana e saj, mori përsipër mbrojtjen e godinës së Teatrit Kombëtar dhe restaurimin e tij.

Por, përkundrejt këtyre thirrjeve europiane, dyshja Rama-Veliaj vijuan projektin e tyre për shkatërrimin e godinës simbol të kulturës shqiptare, duke përdorur dhunën ndaj qytetarëve të lirë që protestonin në mbrojtje të tij.

Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, nuk ka asnjë reagim nga institucionet ndërkombëtare në Tiranë, të cilat tregohen specifikisht aktive kur cënohen “interesat e qeverisë”.

Natyrisht, një reagim nga strukturat ndërkombëtare që monitorojnë demokracinë në Shqipëri, Delegacioni i Bashkimit Europian dhe OSBE, pritet në orët në vijim.

Dhe, si përherë, ato do u bëjnë thirrje palëve për qetësi, dialog dhe maturi në shqyrtimin e problematikave.

Natyrisht, pritet t’u kërkohet qytetarëve që të tregojnë qetësi, pasi janë dëndur me shkelma e shkopinj gome. Madje, nuk është asfare çudi që qytetarëve, artistëve dhe gazetarëve të dhunuar, t’u ngarkojnë edhe përgjegjësinë për “dhunën e ushtruar ndaj forcave të policisë”.

Ambasadori i BE, Luigi Soreca dhe ai “gisht-mesi” i OSBE-së, Bernd Borchard, do të kërkojnë nga palët politike dialog, mirëkuptim dhe të respektojnë vendimet e institucioneve të drejtësisë për çështjen e Teatrit Kombëtar.

Të asaj drejtësie, që, edhe ashtu në pikë të hallit siç është, nuk përfillet aspak nga kryeministri Edi Rama dhe beniamini i tij në krye të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

BE-OSBE do të kërkojnë maturi, ndërkohë që qeveria nuk priti sa të shprehej gjysmë-Gjykata Kushtetuese për çështjen e Teatrit, në bazë të një padie të dorëzuar nga Presidenti i Republikës disa muaj më parë.

BE-OSBE, me shumë mundësi, do të qajë hallin e skalioneve aktive policore në dhunimin e qytetarëve, duke i konsideruar se “iu prish qetësia e ditës së pushimit” për t’u përballu me protestuesit e armatosur me fjalën e lirë dhe protestën legjitime.

Pas “zjarrit” të protestës, duhet një ekip zjarrëfikësish si Soreca e Borchard. Për ta, mjafton që tymi qeveritar të shkojë drejt, pavarësisht se çdo shenjë demokracie dhe shteti ligjor po shuhet në Shqipëri edhe nën thirrjet e tyre “për qetësi, maturi e dialog”.