Rama: Kush punon për xhepin e tij nuk do të ketë në krahë PS

12
Sigal

Nga Kryesia e Kuvendit, Kryeministri Rama, të martën në një takim me grupin Parlamentar dhe Kabinetin Qeveritar mbajti një nga fjalimet më të gjata politike të karrierës, ku foli për nismën më të re kombëtare për “Shqipërinë 2030”. Rama kritikoi prokurorinë e Tiranës për evazionin fiskal, duke theksuar se për llumin që del nga shtëpia jonë, përgjegjësia para ligjit është individuale, por llogaridhënia institucionale. Kush tradhton njerëzit që u kanë dhënë mandatin në parlament apo qeveri nuk ka asnjë punë me ne

Shqipëria 2030, kryeministri fton opozitën për t’ju bashkuar nismës kombëtare, komisioni do të prek edhe drejtësinë

Rama: Kush tradhton njerëzit që u kanë dhënë mandatin në parlament apo qeveri nuk ka asjë punë me ne

Nga Kryesia e Kuvendit Kryeministri Edi Rama, të martën në një takim me grupin Parlamentar dhe Kabinetin Qeveritar foli gjatëpër nismën më të re kombëtare për “Shqipërinë 2030” për të cilën tha se nga kjo nisëm nuk mund të përjashtohen opozitat politike në Kuvend, por edhe jashtë saj. Në një nga fjalimet më të gjata politike të karrierës, Rama preku disa tema të ndryshme të aktualitetit politik në vend.

Rama: Asnjë ministër nuk do të ketë lidhje me tenderat

Gjatë mbledhjes së zgjeruar së të martës me grupin parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetin qeveritar, Edi Rama tha se: “Shumica me propozim të qeverisë dhe me votën e grupit parlamentar ka vendosur për të krijuar Shoqërinë Publike të Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, që ka filluar punën zyrtarisht në 25 prill. Asnjë ministër dhe strukturë e varësisë së tij nuk do të kenë më asnjë lidhje me tenderët, por do të merren me ndërtimin e politikave sektoriale”. Më tej, kreu i qeverisë tha se AKSHI po punon në bashkëpunim me “Microsoft” për atë që kryeministri e quajti modeli revolucionar i prokurimeve me inteligjencë artificiale model i cili do të luftoj korrupsionin. “Do ta bëjë Shqipërinë një shembull ekzemplar, të shkëlqyer, mes shembujve të vendeve në zhvillim, ku teknologjia digjitale mundëson çudira gjithnjë e më të paimagjinueshme deri vetëm pak vite më parë, dhe ku pikërisht vende si Shqipëria, mund të lëvizin shumë më shpejt përpara sepse nuk kanë institucione dhe mekanizma burokratikë të konsoliduar me shekuj si vendet më të zhvilluara të Europës”.

Rama: Në politikë për të përmbysur karakatinat e së shkuarës, nuk e kontrolloj SPAK

Ndërsa ishte duke folur për Reformën në Drejtësi, kryeministri Rama tha se këtë reformë nuk e imponuan ambasadorët. Më tej kreu i ekzekutivit shuajti kureshtjen e atyre që mendojnë se kryeministri kontrollon SPAK-un. “Kush thotë që e kontrolloj unë SPAK jo vetëm që nuk ka prova apo argumente por ka një problem më të madh se nuk ka se si ta pranojë dhe as ta tolerojë mendërisht që unë në politikë kam hyrë për të ndryshuar dhe kthyer përmbys çfarë mundem nga karakatinat e së shkuarës së largët e të afërt. E tregon historia ime politike. Nuk kam hyrë për të qenë një i gjatë në radhën e atyre që bëhen ministra, kryetar bashkie, kryeministra e ikin e nuk lënë gjurmë në rastin më të mirë, apo bëhen për të ardhur keq. Çfarë më duhet mua mua kontrolli i SPAK? Që ndonjë mes nesh të flerë rehat mbi dyshekët e mbushura me puplat e korrupsionit? Nuk ju vë faj se po të ishin në vendin tim do të bënin gjërat që na akuzojnë siç i kanë bërë ata kur ishin në vendin tim. Dhe ja ku janë sot, gazi i botës me gojën çapraz kundër korrupsionit”

Rama: Partia Socialiste, e vetmja shtet-bërëse europiane e Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot Partia Socialiste është e vetmja që ka ambicien, kurajon dhe aftësinë për të bërë këtë vend një shtet normal europian dhe për të ngritur flamurin e Skënderbeut e Ismail Qemalit në oborrin e BE-së. Sipas tij: “Askush s’duhet të ketë asnjë iluzion se gjendet dot në këtë vend një fuqi tjetër nga fuqia e PS-së që të ketë aftësinë, kurajon, fuqinë, por tanimë dhe eksperiencën që të udhëheqë e fitojë dot betejën për shtetbërjen europiane të Shqipërisë, e cila në thelbin e saj është një luftë e madhe për triumfin e kulturës së shtetit mbi traditën e antishtetit. Kemi në dorë shumicën e Parlamentit dhe drejtimin e pushtetit ekzekutiv, pa qenë të detyruar ti themi dajë asnjë derri, për të qeverisur dhe për t’i hapur Shqipërisë rrugën drejt majës, ku e meriton amaneti i rilindasve tanë dhe e drejta e fëmijëve tanë. O e fitojmë ne këtë luftë të madhe për Shqipërinë, duke i vënë shtetit që po ndërtojmë të gjithë pushtetin e PS-së në dispozicion, bashkë me gatishmërinë për të marrë çdo kosto, ose kjo dallga e sapongritur e drejtësisë së re kundër abuzuesve të pushtetit politik e funksioneve publike, do të thyhet nëpër shkëmbinjtë ende të kudondodhur të kulturës dhe të politikës së vjetër antishtet”

Kryeministri ftesë opozitës, Rama: Përtej luftës politike të krijojmë hapësirë për integrimin europian

Në fjalimin e gjatë të kreut të qeverisë nuk mungoi edhe oferta që bëri kryeministri Rama ndaj opozitës me qëllimin për të bashkëpunuar për integrimin europian me aleatët strategjikë, BE dhe SHBA, në atë që ai e quajti “një hapësirë jashtë territorit” të luftës politike.Ndërsa prezantoi projekt-rezolutën Rama tha se nga ky projekt nuk mund të përjashtohet opozita. “Dhe çfarëdo çudie do të na sjellë koha deri në zgjedhje përsëri do të ketë opozitë dhe qeveri, ku forcat ekzistuese të Parlamentit të sotëm do të kenë rolin e tyre. Kështu që konsiderojeni këtë inisiativë tonën si mudësinë tuaj për të filluar të mendoni se çfarë duhet të bëni për shtetbërjen europaine kur dëshira juaj që të vini në pushtet të plotësohet dhe ju të jeni qeveria. Dhe kijeni parasysh që kjo inisiativë kërkon një punë të madhe, ende më të madhe se puna në drejtësi, çka do të thotë se do të marrë disa vjet. Uroj ta kuptoni, iu drejtua Rama Opozitës se këtë herë se në politikë ka edhe udhëkryqe, kur drejtimi për tu marrë është i njëjtë, pavarësisht nga dallimet. “Dhe kush refuzon ta marrë për inat të tjetrit humbet rrugën dhe harxhon shumë kohë për tu kthyer po aty. Eksperienca juaj duhet tu thotë diçka për atë”.

Rama: Llumi që del nga shtëpia jonë, përgjegjësia para ligjit individuale, llogaridhënia institucionale

Kryeministri Edi Rama tha ndër të tjera në fjalimin e tij të gjatë të së martës, se Partia Socialiste do të vazhdojë të mos komentojë për çështjet nën hetim nga SPAK. Kryeministri tha përpara deputetëve të grupit të tij parlamentar dhe ministrave të kabinetit të tij se tek pusetat e hapura të drejtësisë po del edhe llumi i shtëpisë së socialisteve siç e quajti ai, për të cilët tha se kanë përgjegjësi personale. “Fatkeqësisht pre e daulleve të tyre shurdhuese bien hera-herës dhe njerëz të mirë, njerëz të mençur njerëz të ndershëm që me të drejtën e Zotit kërkojnë më shumë rezultate nga e gjithë kjo përpjekje dhe me të drejtën e Zotit neveriten kur del llumi nga pusetat e hapura prej drejtësisë. Një llum që lidhet duam s’duam ne, edhe me ne. Llum nga shtëpia jonë. Mirëpo përgjegjësia para ligjit është vetëm individuale, ndërsa llogaridhënia është institucionale, prandaj për ne është shumë e qartë, para ligjit kush ka përgjegjësi për shkeljen e ligjit. Para popullit kush ka përgjegjësi për të dhënë llogari për çfarëdo qoftë, sa herë është nevoja deri ditën kur vetë popullit i vjen radha të bëjë llogaritë e mandateve që ka shpërndarë. Kjo është politika demokratike”, tha Rama.

Kryeministri kritika Prokurorisë së Tiranës, Rama: Mbron evazionin fiskal, 80 raste ende pa u hetuar

Gjatë fjalës së tij Kryeministri Edi Rama hodhi kritika në drejtim të Prokurorisë së Tiranës për të cilën tha se janë 80 raste për evazion fiskal për qindra miliona euro të shmangura nga detyrimet tatimore që ende nuk janë hetuar : “Prokurorët dhe gjykatësit e Strukturës Speciale Anti-Korrupsion nuk kanë ardhur nga hëna. Janë shkolluar dhe kanë punuar këtu në Shqipëri. Janë rritur në një sistem drejtësie, plot me gjarpërinj e me hardhuca nëpër këmbë. Siç ishte sistemit që reforma në drejtësi shembi në letër, por që do të dojë kohën e vetë të funksionojë tërësisht si në letrat e shkruara Kushtetutë dhe në ligjet përkatëse dhe në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. “SPAK-u dhe prokuroria e Tiranës janë në një distancë fizike më pak se 1 kilometër. Në SPAK kërkohet llogari edhe për një punonjëse të thjeshtë, për një procedurë tenderi. Në Prokurorinë e Tiranës mbrohet evazioni fiskal. Janë 80 raste. Tani e kam humbur dhe numërimin, që flenë prej vitesh në Prokurorinë e Tiranës për evazion fiskal. Ndër ato raste ka edhe nga ata që ndryshe quhen oligarkë. I kemi çuar ne. Bëhet fjalë për qindra miliona euro të shmangura nga detyrimet tatimore”.

 

Denoncimet nga administrata, Rama: Drejtoria Antikorrupsion, 532 masa disiplinore dhe 48 kallëzime penale

Kreu i qeverisë u duk se iu kundërpërgjigj në distancë deklaratave të kreut të Prokurorisë Speciale Anti-Korrupsion, Altin Dumani ndërsa ky i fundit gjatë raportimit në KLP mbi punën e SPAK tha se denoncimet për korrupsion nga institucionet shtetërore kanë rënë. “Dëgjova drejtuesin e SPAK-ut në raportimin e tij përpara Këshillit të Lartë të Prokurorisë kur tha se kanë rënë denoncimet për korrupsion nga institucionet shtetërore. E thashë më lart dhe besoj e shtjellova pse misioni bazë i pushtetit ekzekutiv në luftën kundër korrupsionit nuk është dhe s’mund të jetë hetimi i brendshëm i korrupsionit, por hartimi dhe zbatimi i masave sistemike, që adresojnë problematika sistemike dhe ngushtojnë sistematikisht hapësirat për korrupsion përmes mekanizmash që janë jo subjektiv, duke zvogëluar subjektivitetin e individit si fuqi për të ndikuar procese, i nxitur nga korrupsioni”, tha Rama. “Në vetëm 2 vitet e fundit, Drejtoria e Përgjithshme Antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë, e cila ka dhe një rrjet koordinatorësh antikorrupsion në 44 institucione dhe agjenci në varësi të ekzekutivit, ka urdhëruar 532 masa disiplinore për shkelje, ka bërë 263 rekomandime për ndryshime të natyrës ligjore, rregullatorë apo institucionale dhe ka dorëzuar në Prokurori, 48 kallëzime penale”.

 

Rrëzuam pandëshkueshmërinë, Rama: Partia Socialiste guxoi me Reformën në Drejtësi

“Monumenti i shëmtuar i pandëshkueshmërisë në Shqipëri u rrëzua nga Partia Socialiste” – kështu tha kryeministri Edi Rama lidhur me Reformën në Drejtësi në mbledhjen e zgjeruar me grupin parlamentar dhe kabinetin qeveritar. Kreu i qeverisë tha se pa vendosmërinë e Partisë Socialiste dhe guximin për ta çuar para reformën sot s’do kishim një drejtësi të pavarur. “Ne kemi krenarinë që nuk na e mohon sot askush se pa forcën udhëheqëse dhe guximin e Partisë Socialiste në 10 vjet sot nuk do të kishte rilindur besimi i shqiptarëve te drejtësia dhe nuk do kishte Shqipëria e sotme asnjë shans që të shihet rrëzimin e monumentit të shëmtuar të kulturës së pandëshkueshmërisë. Por gjurma jonë në histori nuk do varet vetëm nga kthesa e ndryshimit thelbësor ku kemi futur shtetin, por sa më tej akoma PS do ta bëjë të pakthyeshëm këtë progres të dukshëm.” – tha kryeministri.

 

Rama: Kush punon për xhepin e tij s’do ketë në krahë Partinë Socialiste

Kreu i qeverisë Edi Rama tha të martën gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist dhe kabinetit qeveritar, se cilido që kapet nga drejtësia në shkelje të ligjit, duke tradhëtuar besimin e dhënë nga qytetarët shqiptarë, të mos presë asnjë mbrojtje nga Partia Socialiste, por vetëm nga avokati i tij. Kreu i Partisë Socialiste tha se kush punon për xhepin e tij s’do ketë në krahë Partinë Socialiste. “Rruga e jetës na bashkon me kaq shumë të tjerë për 1001 arsye. Por, puna që na lidh me një qëllim, në këtë rast shumë të madh, dhe për plot arsye të mira edhe na zgjidh menjëherë për një vepër të ulët siç është tradhtia”, tha Rama. Sipas kryeministrit, kushdo që dënohet nga drejtësia është një parazit më pak në trupin e Partisë Socialiste. “Lajmi se kemi një parazit më pak në trupin tonë, nuk është asgjë më shumë se sa një lajm i mirë. I dëgjojë dhe kur bërtasin me të madhe, hajdutët e Edi Ramës. Nuk pushojnë, thonë ia kapën këtë ministër, ia kapën atë ministër, atë kryetar bashkie, atë drejtor drejtorie, një tam tam i përditshëm, i dëshpëruar për të helmuar popullin, por në sistemin ku jetojmë individi është sovran. Ndërsa përgjegjësia e familjes, farefisit, kolektivit dhe partisë, është vetëm një bisht i mendësisë ende të gjallë të sistemit komunist, ku koka e prerë e një individi rrokullisej edhe me të tjera sipas oreksit të partisë shtet, që ushqehej me dogmën morale të përgjegjësisë kolektive. Në këtë sistem mbajmë secili mbi shpatulla kokën e vet dhe nuk ekziston fajësimi me asociim, ndërsa përgjegjësia morale nuk është vetëfajësim me asociim, për shkak se dikush tjetër shkel ligjin për përfitim personal”.