Kryebashkiaku Veliaj: Tiranës i shtohet një rrugë tjetër pedonale në Njësinë 10 që do sjellë shplodhje dhe ekonomi për komunitetin

13
Sigal

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj inspektoi të martën punimet në rrugën “Grigor Cilka”. Ai ndoqi nga afër punimet e bëra deri tani ku falë investimit banorët e rrugës “Grigor Cilka” në Tiranë, që lidh Njësinë 2 me lagjet e Farkës do të kenë tashmë një rrugë tërësisht të asfaltuar. Gjatë inspektimit të këtyre punimeve kryebashkiaku Veliaj tha se filozofia e punës së institucionit që drejton është të investojë njësoj, si në qendër ashtu edhe në periferi. “E vlerësoj jashtë mase durimin tuaj sepse edhe Roma s’u bë në një ditë, edhe Tirana s’u bë në një ditë. Këtu banojnë si kolonjarët, si kuksianët, nga Korça e Hasi, jemi të gjithë një dhe jemi të gjithë bashkë”, tha Veliaj. Kryetari i Bashkisë së Tiranës shtoi se rruga është po aq dinjitoze se vetë emri që mban, Grigor Cilka, emri i mësuesit të shkollës së parë shqipe të vajzave në Korçë. “Ndaj, tani duhet vetëm ta mirëmbajmë. Është vendosur ndriçimi LED, sinjalistika, por do u kërkoja të gjithëve – rrugët janë me kanalina poshtë – nuk ka nevojë të çajmë rrugën për të futur një fije, një kabull, ose një fibër optike. Gjithë infrastruktura ekziston, duhet vetëm mirëmbajtur. Po e mirëmbajtëm vazhdon rritet vlera e pronës”, tha Veliaj i cili tha gjithashtu mes të tjerash se puna e bashkisë së Tiranës do të vijojë edhe me rrugë të tjera në kryeqytet.