Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Lartë për të lënë në fuqi masën “arrest në burg” ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Përmes një reagiminë platformën X Rama ka shprehur kritika ndaj vendimit, duke e cilësuar situatën e Veliajt si proces të pazakontë juridik. Kreu i qeverisë është ndalur edhe te pasojat që, sipas tij, kjo situatë po sjell për kryeqytetin, i cili prej kohësh drejtohet në mungesë të kryebashkiakut të zgjedhur.
“E lanë Tiranën pa kokë”, shprehet Rama, duke argumentuar se qytetarët e kryeqytetit po paguajnë faturën e kësaj situate.
Reagimi i plotë
“Përsëri Tirana pa kokë dhe përsëri kryetari i zgjedhur e i pagëzuar rishtaz nga vetë Kushtetuesja si i vetmi në detyrë dhe i palëvizshëm nga detyra, nuk mund të lëvizë nga qelia ku mbahet pa gjyq!
Po, rregulli e do që vendimet e gjykatave të respektohen dhe unë i nështrohem gjithnjë këtij rregulli – madje as nuk i komentoj vendimet përpara formës së prerë. Por, përtej faktit që kalvari i Erion Veliajt është unikal në historinë e Europës demokratike dhe gjithashtu faktit që ende nuk shihet gjëkundi prova e rrezikshmërisë ekstreme, e cila mund të arsyetojë kyçjen e pambarimtë në qeli të një të zgjedhuri nga populli, ka një të vërtetë tjetër të hidhur: Askush s’po do t’ia dijë për koston përditë e më të lartë të të parit kryeqytet në botë, që prej thuajse dy vjetësh jeton me kokë të prerë dhe për haraçin që thuajse 1 milionë banorë duhet t’i paguajnë përditë këtij eksperimenti të paparë e të padëgjuar juridik, social dhe ekonomik.





















