Kryeministri Rama: Gjykata si ushtri e rreshtuar kundër qeverisë, duan të na imponohen me kallzime, askush nuk e zëvendëson parlamentin

Kryeministri Edi Rama ka kritikuar gjuhën e përdorur nga një gjykatës dhe duke theksuar se politika e pagave përcaktohet nga qeveria dhe miratohet nga Parlamenti.

Rama thotë se:“E pabesueshme, po e vërtetë që një gjykatës e kupton kështu pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe e shikon kështu buxhetin e shtetit shqiptar…” Kurrë jo, kjo nuk është gjuhë gjykatësi, po gjuhë ultrasi që bërtet në rrugë kundër VAR-it.

Sigal

Keqardhje dhe disa të vërteta të thjeshta: Askush nuk e zëvendëson dot parlamentin dhe as nuk e urdhëron dot legjislativin se kur duhet ta ngrejë dorën. Vetëm Gjykata Kushtetuese e askush tjetër, ka të drejtën dhe detyrën t’i thotë se kur e ka ngritur dorën gabim, po as ajo vetë nuk i thotë dot kurrësesi pushtetit të pavarur legjislativ se si duhet ta ngrejë dorën. Politikën e pagave e propozon vetëm qeveria, e miraton vetëm parlamenti dhe e zbaton vetëm qeveria.

Gjykata Kushtetuese ndërhyn vetëm nëse cënohet një parim a një normë kushtetuese, që ligjvënësit duhet ta riparojnë pa u cënuar në pavarësinë e tyre, siç e shohin ata të udhës të shprehen me votën e tyre.  Nëse largqoftë, shoqatat e prokurorëve e të gjykatësve kanë vendosur që me mjete politike dhe juridike të koordinuara me zyrat e prokurorive e të gjykatave si një ushtri e rreshtuar kundër qeverisë, të na imponohen me kallzime, sigurime a përmbarime për të rritur pagat e tyre, atëherë jemi përpara një sfide të një lloji të ri, e cila nuk na tremb po na shqetëson pamasë.

Por ne nuk duam të jetë kështu dhe unë nuk dua ta lejoj që të ndodhë kështu, sepse ndryshe nga si e mendon ky gjykatësi mediatik, kjo e pagave stratosferike, për ne nuk është çështje inati po sfidë shtetbërjeje europiane e Shqipërisë. Eshtë shumë e thjeshtë. Tryeza e përgatitur për takimin e kërkuar dhe të anulluar vazhdon të jetë gati. Në 17 shtator mbaron vetëm ky episod i tensionuar publikisht, që mund dhe duhet të ishte shmangur, por nuk shteron nevoja për të komunikuar mes pushteteve të pavarura. Përkundrazi, ajo nuk lindi nga episodi i pagave dhe do të jetë edhe më e madhe në çdo hap deri në anëtarësimin në Bashkimin Europian. Por ne tryezën dhe gatishmërinë kemi, të tjerat janë në gjykimin e gjykatësve:-).

Kryeministri Edi Rama reagoi për debatin mbi pagat e gjyqtarëve, duke komentuar një deklaratë të gjyqtarit Engert Pëllumbi në një intervistë televizive. Kryeministri Rama shpërndau deklaratën e Pëllumbit, i cili shprehet se “për rritjen e pagave janë aq para sa GJKKO i konfiskon çdo vit krimit të organizuar”.Sipas Kryeministrit, një gjykatës nuk mund të flasë kurrë kështu.

Rama theksoi se “historia e botës s’e ka parë që gjykatësit të thonë do t’i marrim paratë vetë nga thesari i shtetit se janë tonat dhe kjo ‘i kemi mbledhur vetë’ është një hata më vete për nga shkalla rrëqethëse e paditurisë mbi funksionimin e shtetit”.“

Shqipëria hap Konsullatën e Nderit në Napoli, Kryeministri Rama merr pjesë në ceremoninë e inaugurimit

Kryeministri Edi Rama udhëtoi drejt Italisë, ku do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Konsullatës së Nderit të Republikës së Shqipërisë në Napoli. Konsullata, e drejtuar nga Konsulli i Nderit Giuseppe Lettieri, do të ketë juridiksion në rajonin e Kampanjës dhe do të shërbejë si pikë referimi për komunitetin shqiptar, duke kontribuar në ofrimin e shërbimeve, në forcimin e bashkëpunimit ekonomik, kulturor dhe social ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë.

Gjatë vizitës, Kryeministri Rama do të vizitojë Katedrën e Gjuhës Shqipe në Universitetin “L’Orientale”, si dhe Universitetin “Parthenope”, ku do të marrë pjesë në pritjen me temë “Napoli, një urë miqësie, bashkëpunimi dhe zhvillimi mes Italisë dhe Shqipërisë”. Vizita do të përmbyllet me një takim me rektorët e universiteteve të Napolit, ku së bashku me ministren Kumbaro kreu i qeverisë do të diskutojë për mundësitë e sinergjive me universitetet tona në kuadrin e ndërkombëtarizimit.