Presidenti i Republikës, Bajram Begaj zhvilloi një vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Kjo ishte vizita e parë e një Presidenti të Republikës së Shqipërisë në Emiratet e Bashkuara Arabe, e cila rikonfirmoi angazhimin e dy vendeve për forcimin e mëtejshëm të partneritetit Shqipëri–EBA, të orientuar drejt së ardhmes.Presidenti i Republikës u prit nga presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Lartësia e Tij Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan.
Gjatë takimit, Presidenti Begaj falënderoi Emiratet e Bashkuara Arabe për solidaritetin dhe miqësinë e treguar ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve në momente të vështira, veçanërisht gjatë luftës në Kosovë, pas tërmetit të vitit 2019 dhe pas sulmit kibernetik të vitit 2022.Në takim u shpreh vullneti i përbashkët për të avancuar më tej axhendën e bashkëpunimit të fortë dhe të qëndrueshëm ndërmjet dy vendeve, si dhe për të shfrytëzuar potencialet reale për zgjerimin e tij në fusha me interes të ndërsjellë.Presidenti Begaj theksoi se lidhjet politike, ekonomike dhe njerëzore ndërmjet Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe do të forcohen më tej, veçanërisht me hapjen e Ambasadës së Emirateve të Bashkuara Arabe në Tiranë.
Bashkëpunimi ekonomik dhe investimet ishin një nga shtyllat kryesore të diskutimeve. Duke vlerësuar forcimin e këtij partneriteti, Presidenti Begaj u shpreh për zgjerimin e investimeve dypalëshe dhe për një angazhim edhe më të madh të investitorëve emiratas në Shqipëri, veçanërisht në infrastrukturë, energji, inovacion, turizëm dhe sektorë të tjerë strategjikë.
Presidentët e dy vendeve diskutuan gjithashtu për bashkëpunimin shumëpalësh dhe sfidat ndërkombëtare, ku Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ndajnë prioritete të përbashkëta për paqen, sigurinë dhe zhvillimin.Gjatë vizitës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Presidenti Begaj zhvilloi gjithashtu takime me Lartësinë e Tij Sheikh Khaled bin Mohamed bin Zayed Al Nahyan, Princ i Kurorës së Abu Dhabit, si dhe me Lartësinë e Tij Sheikh Mansour bin Zayed Al Nahyan, Zëvendëspresident i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Kryetar i Gjykatës Presidenciale.





















