Ja si koncesionari offshor i sterilizimit “gllabëroi” miliona euro, gjyqi zvarritet në 3 qershor

21

Kontrata koncesionare e sterilizimit ka rritje fiktive të çmimeve, duke dyfishuar në mënyrë abuzive kostot reale të shërbimit. SPAK ka amnistuar ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja, duke e hetuar në liri, ndërkohë që nën arrest janë Klodian Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj

Sigal

Seanca paraprake ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka përfunduar këtë të hënë. Data 3 qershor ora 9:00 do të jetë seanca e ardhshme gjyqësore ndaj tij. Beqaj kërkoi kohë të njihej me aktet.“Nuk na është vënë në dispozicion e gjithë dosja”, tha ai.

Dosja e Sterilizimit

Ish-ministri Ilir Beqaj dhe 8 persona të tjerë, mes tyre ish-zyrtarë dhe biznesmenë, janë zyrtarisht nën akuzë nga SPAK për dosjen për koncesionin e sterilizimit. Beqaj akuzohet për shpërdorim detyre. Ai do të jetë në bankën e të akuzuarve së bashku me ish-zëvendësin e tij në Ministrinë e Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj. Sipas prokurorisë në dhënien e koncesionit të akuzuarit nuk kanë respektuar ligjin dhe kanë shpërdorur detyrën. Sipas akuzës Ilir Beqaj ka pasur njohje dhe miqësi të fortë me biznesmenin Ilir Rrapaj. Ndër gjetjet e konstatuara nga SPAK janë edhe procedurat e ndjekura për fituesin por dhe mos realizimi i kushteve të parashikuara në kontratë.

Sterilizimi, koncesionari që gllabëroi qindra mijëra euro fitime


Kompania e biznesmenit Ilir Rrapaj në vitin 2015 ka arkëtuar rreth 400 mijë euro nga kontrata koncesionare e nënshkruar me Ministrinë e Shëndetësisë. Abuzimi me çmimet përfshinte edhe vlern e seteve kirurgjikale të cilat kushtonin 37 mijë lekë të reja

Kompania koncesionare e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale ka rritur në mënyrë të ndjeshme arkëtimet nga buxheti i shtetit gjatë vitit 2023, ndërkohë që pronari i saj kryesor, ish-emigranti murator, Ilir Rrapaj, gjendet nën arrest prej gushtit të vitit të kaluar, i akuzuar për “mashtrim” me pasoja të rënda. Gjatë periudhës janar–dhjetor 2023, koncesionari “Sani Service” ka ofruar shërbimin e seteve të sterilizimit për 63,409 ndërhyrje kirurgjikale, sipas raportit vjetor të Fondit të Kujdesit të Sigurimit Shëndetësor. Në vitin 2022, numri total i shërbimit të ofruar nga koncesionari ka qenë për 61.230 ndërhyrje kirurgjikale ose rreth 2800 raste më pak.

Rritjen më të madhe e kanë shënuar pagesat për setet kirurgjikale të kompleksitetit të lartë, të cilat kushtojnë edhe më shumë. Në vitin 2023, janë përdorur sete të shtrenjta në 15,962 ndërhyrje kirurgjikale, krahasuar me 14,936 sete të kompleksitit të lartë të përdorura një vit më parë, ose rreth 1026 më shumë. Kontrata koncesionare e nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanisë “Sani Service” në vitin 2015 parashikon se një set kirurgjikal i kompleksitetit të lartë kushton 37 mijë lekë të reja. Referuar këtij çmimi, “Sani Service” ka arkëtuar rreth 400 mijë euro më shumë se një vit më parë vetëm për këtë shërbim. Rritje të moderuar ka pasur përdorimi i seteve kirurgjikale me kompleksitet të mesëm, rreth 201 të tillë. Ndërkohë që ulje ka shënuar vetëm përdorimi i seteve me kompleksitet të ulët, pikërisht ato që kanë edhe çmimin më të lirë. Kontrata me kosto koncesionare 100 milionë euro u hetua për katër vite nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion, SPAK. Sipas hetimeve, rezulton se kontrata koncesionare e sterilizimit ka rritje fiktive të çmimeve, duke dyfishuar në mënyrë abuzive kostot reale të shërbimit. Kompania “Sani Service” u vendos nën sekuestro në shkurt të këtij viti, së bashku me disa shoqëri të tjera të biznesmenit Ilir Rrapaj. Nga hetimet e kryera, SPAK njofton se në veprimet e përllogaritjeve financiare rezulton e provuar se numri i ndërhyrjeve kirurgjikale është raportuar i rremë në këto dokumente, që i janë paraqitur Ministrisë së Financave. Gjithashtu në këta tregues financiar, me qëllim uljen e normës së IRR dhe NPV, i pandehuri Klodian Rjepaj, ka shtuar si zëra të kostove të shërbimit në kohëzgjatjen e koncensionit, mirëmbajtje të instrumenteve, të sistemeve dhe centralit të sterilizimit, në vlera disa herë më të larta se vlera e blerjes së tyre të reja.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu në vitin 2020, deklaroi me bujë për mediat se qeveria ka siguruar 100 mijë teste të shpejta për COVID 19. Por, ministrja harroi me dashje të jepte disa informacione të tjera. Përse e realizoi në këtë kohë tenderin? Si e la situatën të degradojë në këtë gjendje? Kush po i fiton tenderët në shëndetësi për Covid 19? A janë bërë transparente këto tendera dhe përse mbahen të fshehta? Kompania u regjistrua fillimisht nga dy qytetarë të thjeshtë nga Berati, të cilët arritën të merrnin edhe këtë shumë nga koncesioni. Me pas, me procedura të dyshimta, ia shitën personave të tjerë. Aktualisht, rreth 75 % te aksioneve janë të një firme me seli në Holandë, pronarët e së cilës nuk dihen zyrtarisht kush janë. Pra, është kompani offshorë. Por, media të ndryshme kanë zbuluar se pas Arimo B.V mund të jenë pronarët e spitalit Amerikan.

Kostot e rreme të raportuara nga koncesionari

Nga hetimet e SPAK ka rezultuar se numri i ndërhyrjeve kirurgjikale është raportuar i rremë, janë shtuar zëra të kostove të shërbimit në kohëzgjatjen e koncesionit, mirëmbajtje të instrumenteve, të sistemeve dhe centralit të sterilizimit, në vlera disa herë më të larta se vlera e blerjes së tyre të reja. Gjithashtu rezulton se në Krahasuesin e Sektorit Publik, si treguesi kryesor për dhënien e këtij projekti me Koncension/Partneritet Publik Privat, janë përdorur kosto të rreme të këtij shërbimi në QSUT për vitin 2013, duke vendosur vlerat e barnave dhe medikamenteve mjekësore, që nuk janë pjesë e këtij shërbimi. Kjo kosto është rritur dhe mbivlerësuar në mënyrë të rreme në masën 56.4%. “Gjatë gjithë periudhës përgatitore të projektit, procedurën e tenderimit dhe dhënies së koncensionit deri në firmosjen e kontratës koncensionare, i pandehuri Klodian Rjepaj ka bashkëpunuar ngushtësisht me te pandehurin Ilir Rrapaj, me qëllim shpalljen fitues të operatorëve ekonomikë, ku pjesëmarrës është me 40% subjekti tregtar “Investital Llc”, me përfaqësues po të pandehurin Ilir Rrapaj”, thuhej në njoftimin e SPAK.

Roli i Klodian Rrjepaj dhe ish-zyrtarëve të tjerë

Sipas SPAK, rezulton e provuar se ish-zëvendësministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Dhënies së Koncesionit, është personi i cili ka kryer të gjitha veprimet e përllogaritjeve financiare për sterilizimin, të cilat i ka ndryshuar disa herë me qëllim që të ishin në vlera të pranueshme nga Ministria e Financave, me qëllim miratimin e koncesionit.

“Për të ligjësuar dokumentat me të dhëna të pavërteta ish-zëvëndësministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Dhënies së Koncensionit, si personi i cili ka bërë pasqyrat financiare dhe studimin e fizibilitetit, ka bashkëpunuar me anëtarët e tjerë të komisionit Marsela Serjani, Petro Mersini, Arben Gjata, Saimir Kadiu, Genc Burazeri dhe Naile Ajazi,”, thuhej në njoftim. Rezulton se për të gjitha veprimet lidhur me miratimin dhe nënshkrimin e kontratës koncensionare qëndron ish- Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. ‘Për veprimet ose mosveprimet që kanë të bëjnë me miratimin dhe nënshkrimin e kësaj kontrate koncensionare, duke i miratuar ato në kundërshtim me rregullat dhe aktet ligjore e nënligjore të zbatueshme për konçesionet, rezulton e provuar plotësisht, se ish Ministri i Shëndetësisë, i pandehuri Ilir Beqaj, ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, e kryer në bashkëpunim, me Klodjan Rjepajn, të parashikuara nga 248 -25, të Kodit Penal.,” njoftonte SPAK. Hetimet vijojnë lidhur me dyshimet për veprime në kundërshtim me ligjin nga persona subjekte të hetimit të kësaj prokurorie gjatë fazës së ekzekutimit të kontratës konçesionare.