Suplementi Pena Shqiptare/ Ylli Ajdini: Valixhja e vjetër  

13
Sigal

Mbrëmë kam fjetur i shqetësuar aq sa nuk mund të them se bëra dhe një pikë gjumë. Dhe dilema që më shqetëson më detyron shpesh ta nxjerrë trurin nga kafka dhe ta vendos atë para syve. Ndoshta vetëm jashtë tyre e brenda paqartësive të mia do të mund t’i kujtoj e kuptoj më mirë qëniet që më rrethojnë. E braktisa vetminë e dhomës dhe dola në boshllëkun midis hapësirave pa kuptim të qytetit. Ngre kokën të shoh pafundësinë, po yje nuk ka. Eci me ngadal, sepse dhe mund të pengohem. Tek lëviz më çfaqen qënie të çuditëshme. Vërej se ato gjallesa për gjymtyrë kanë copa drurësh të veshur me lëvozhgë të rrjepur prej brejtësave pa dhëmbë, e për fytyrë kanë copa gazetash me gërma të dukshme, por që nuk japin asnjë lloj koncepti sido që t’i kombinosh. Teksa me këto imazhe vazhdoj të kënaq kohën time të lirë, rruga ku mbi të cilën vazhdoj dhe eci më duket pa përmasa, njësoj si aty ku jam, po edhe në fund të vështirmit më duken se janë po të njëjtat dimensione! Dhe për fat të keq ky faktor më pengon të konceptoj si duhet vlerën reale të njerzve, formën dhe distancën e duhur të objekteve. Si përshembull një trupmadh duket në këto kushte edhe më i gjatë. Një trupvogël, edhe ky, duket po trupmadh si i pari, porse dhe të gjithë së bashku duken edhe shumë herë më të vegjël nga ç’mund të jenë në dukje. Por kjo paaftësi perceptimi tek e fundit s’ka pse ma pengon vetëdijen të përzgjedh brenda vetvetes mendimin që i duhet për të vlerësuar çka e shqetëson të tanishmen. Por edhe sot, në këndin e rrugës, në të vetmen rrugë që ka qyteti, mendimet e mia ndeshen si përherë me hijen e pa formë të A-s. Gjuhën e A-s se kuptoj! Ajo është një zbrazëti e përsosur. Por dhe A.  nuk se e pranon prezencën time. Ndjej se ai e vështron me shumë përbuzje mënyrën time të të menduarit. Sidoqoftë, kjo mbrëmje, në pamje të parë duket e qetë. Veç e veç e në grupe të vogla njerzit bashkëbisedojnë, kush ulur nëpër stolat e betonta e kush duke ecur nëpër rrugët pa ngjyrë e formë jete njerëzore. Në thelb është një gjallëri mjerane që buron nga pamundësia e krenarisë. Ndoshta është për këtë arsye që në eter dëgjohen të përplasen veçse përshëndetje të ftohta e të pakuptimta, si p.sh:  -Natën, dhe askush nuk reagon.-Mirmbrëma, dhe përsëri qetësi. Ndërsa unë ndryshe nga të tjerët e përshkoj rrugën mes heshtjes së mendimeve të kundërta. Dhe ngaqë mendoj se jam tërësisht viktimë e një edukimi utopik e idealist, e pranoj që nuk e kam fuqinë të ndryshoj rrjedhën e kësaj jete reale, por ama aq sa t’i buzëqesh shthurjes së mendimeve të mia, kam. Por tek shëtis për qejf përgjatë shëtitores, unë s’ja var fare  A-s, sepse di t’i dalloj mirë njerzit e këtyre rrugve të errëta, sidomos ata të cilët nuk duhen respektuar. Nuk ja vlen më të mendoj. Ndërkohë edhe shikimin po e lë në duart e mërzisë. Nuk dua të vështroj më as veten. Boll shëtita në të njëjtën kohë e hapësirë me të padëshiruarit e rrugve të qytetit. Boll pash njerëz të paformë. Më mirë po shkoj diku tjetër për të qetësuar arsyetimin.Dhe për këtë aspak nuk po pendohem. Të nesërmen në mëngjes shkova te Ana. Ana është kamarjerja e lokalit, e lokalit që unë preferoj më shumë, ku pasi piva një kafe të hidhur dhe dola prej andej, u ktheva në hotel, mandej hyra në dhomën time të gjumit nga ku mbi dollapi i robave tëhoqa valixhen, një valixhe e vjetër e mbushur me kujtime e ëndrra të pakta, por që asaj realisht librat i japin peshën reale, dhe ridola pa u nxituar. -Për ku? Ktheva kokën. ”Ah, e njoh. Ky njeri që u çfaq me jo gjymtyrë njerëzore është A”. Nën këmbët mia ndjeva asfaltin që sa kishte filluar të zbutej nga rrezet e vagta të diellit. Ishin rreze që vinin si me përtesë që nga përtej maleve të Pindit. -Për jo tek Ju, ndërhyra. – Prit, derisa të bindem. Më erdhi të bërtisja. Po nuk po e kuptoja se çfarë më pengonte ta bëja këtë xhest. Ndoshta nuk e bëra të bërtiturën ngaqë më pëlqen ndonjëherë të jem i pasigurt! Ndoshta dhe kjo mund të jet. – Unë jam i bindur, thashë me zë të qetë.- Që do ndryshosh!? Bravo, tani po. Në mendimet e A-s zotronte si duket ideja e egzistencës tek unë i mungesës së forcës së vullnetit  për të dalë nga vetvetja, por i thashë prerë: Jo. Përse atëherë?!    Që s’jemi njësoj. Dhe hodha një shikim të shpejtë mbi fytyrën e tij të mbuluar nga shënja të dukëshme depresioni e paniku. Nuk e di përse në çast m’u kujtua kamisar Zhaveri te “Të Mjerët” e Hygoit. Ti je i çmendur, tha A. Shikimi i tij u bë edhe më i ftohtë se vet e ftohta.  I sigurt i thash:  Kurse ty më e pakta duhet vetëm të të urresh. Faktikisht A-n si epror e kam  respektuar e dëgjuar përherë, por ama unë nuk e kam pyetur kurrë për asgjë. Në heshtjen që pasoi ndjehem si mbi gjemba. Po edhe unë tashmë largohem nga ky shikim i fundit, nga ky ambjent i huaj dhe botë e pështirë, sepse edhe neveria ka filluar të më mërzit. Nuk dua të shoh asgjë tjetër pos kënaqësisë që më jep shkëputja nga asgjëja, sepse, faktikisht, s’mundem që akoma ta lë të më vjedhe jetën një i vdekur. U gëzova që mbeta vetëm, po kjo lloj vetmie nuk më shqetëson fare. Se desh harova! E mora masën e qullët të trurit që e mbaj ende përpara syve dhe e vendos me delikatesë brenda murreve të kafkës. Largohem. Zbërtheva në ecje e sipër edhe kopsën e dytë të këmishës,dhe mandej i jap të drejtën vetes për të vështruar qetësisht përtej vetes. Sa vapë që bën! Pa pritur ndjeva nevojën për të hedhur shikimin diku. E bëra. “Hej, dreq o punë! Po ku jam këtu”!?- reagova hutueshem aty për aty. Pasi mblodha pak veten, i thashë vetes: “E ç’rëndësi ka nëqoftëse njeriu nuk shikon asgjë të dukëshme”?! Mjafton që të jem i lumtur në mënyrën time dhe kaq. Por gjithashtu edhe si një njeri normal, nuk do të pranoja kurrë që të jem pjesë e urrejtjeve dhe djallëzive të pakuptimta njerëzore.Dhe për këtë nuk kam aspak dyshim.