Intervistë ekskluzive e Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta.
1-Pyetje: Z. Meta, si e vlerësoni finalizimin e Reformës Territoriale kur vetëm 2 muaj kanë mbetur nga afatet për miratimin e saj?
Përgjigje: E kam theksuar prej kohësh se është provuar në çdo fushë, që Edi Rama nuk di të bëjë reforma, por prodhon vetëm Ramaforma.
Sa herë dështon në një reformë (premtim) të bërë me pompozitet grotesk për të harruar dështimin dhe vjedhjet njëkohësisht, shpik një “reformë” tjetër në të njëjtën fushë.
A nuk premtoi në 2013 se brenda 4 viteve do e zgjidhte vetë personalisht çështjen e ujit të pijshëm brenda një mandati 4-vjeçar? Ku jemi sot pas 14 viteve me të si Kryeministër?
Po i lë edhe fshatra të tërë të Vlorës (të cilën e do vetëm për kadastrën) pa ujë duke ua çuar resorteve, sepse asnjë politikë e tij nuk ka si referencë interesin e gjerë publik, por vetëm interesat e tij dhe të pak klientëve të regjimit.
Nuk po flas këtu për skandalin që qyteti i Vlorës vjet shpërtheu në protesta se mbeti pa ujë për një javë për një papërgjegjshmëri banale.
A mos është zgjidhur çështja e ujit në Tiranë?
Këtu ku “banoj” unë ka vetëm 6 orë ujë në ditë (2 herë nga 3 orë) nga 24 orë premtim para 14 vitesh? Pa u ndalur te cilësia e ujit, se atë e dinë të gjithë qytetarët e Tiranës.
A nuk bëri ky edhe “reformën” e centralizimit të ujësjellësve? Cili ishte rezultati?
Vetëm centralizim i korrupsionit dhe rritje e taksave për ujin.
E njëjta histori me “reformën” e mbetjeve që u iniciua pas propogandës për emergjencën e mbetjeve, e cila duhej për të justifikuar të gjitha vendimet e paligjshme për tre inceneratorët, të Elbasanit, të Fierit e sidomos për atë që nuk ekziston fare, të Tiranës.
Qindra milionë euro të shpërdoruara dhe të vjedhura me firmën e Edi Ramës dhe i paralajmëruar nga vartësit e tij me shkresa, jo vetëm për proçedurat e paligjshme, por edhe për teknologjinë jashtë standardeve europiane.
Mjaftojnë “reformat” e ujësjellës – kanalizimeve dhe të mbetjeve, për të mos përmendur “reformat” e dështuara në çdo sektor tjetër.
Të përqëndrohemi tani te reforma Administrative-Territoriale.
Së pari, një reformë kaq jetike për qytetarët nuk mund të ndërmerrej në një kohë kaq të shkurtër, pra 12 vite pas hyrjes në fuqi të ndarjes administrativo-territoriale të 2014, e cila u bë në mënyrë të njëanshme për shkak të bojkotit të lidershipit të PD në atë kohë.
Së dyti, u provua se të gjitha objektivat e shpallura të asaj reforme dështuan.
Objektivi se duke kaluar nga 400 njësi vendore ne 61 njësi vendore do shkurtohej administrata e tepërt dhe këto fonde do kalonin për investime dhe shërbime më cilësore për qytetarët dështoi.
Sot në administratën vendore kemi shumë më tepër punonjës se 12 vite më parë, ndërkohë që popullsia është pakësuar me gati 1 milion shqiptarë.
Po kështu, u provua se në vend që të përmirësoheshin shërbimet ato u larguan përfundimisht nga banorët e shumicës së ish-komunave që u detyruan të braktisnin trevat e tyre për t’u larguar jashtë vendit ose drejt Tiranës dhe qendrave të tjera ku ndërtohen kulla ose resorte.
Taksat vendore u rritën, por shërbimet u përkeqësuan.
Tirana, kryeqendra, është shembulli më i qartë i këtij dështimi total në çdo aspekt që nga uji i papijshëm dhe i shtrenjtuar në mënyrë marramendëse, përkeqësimi i trafikut, transportit urban, cilësia e ajrit që është më e rënda në kontinent e çdo shërbim publik si çerdhet, kopshtet, etj.
Qytetarët e Tiranës vazhdojnë paguajnë njësoj për inceneratorin që nuk ekziston ndërkohë që shumë zona të mbipopulluara nuk kanë një çerdhe apo kopsht publik.
Se për fusha apo kënde sportive ku fëmijët të luajnë pa paguar lekë as që bëhet fjalë.
Kjo ndodh se Edi Rama është i interesuar vetëm për shtimin e kullave dhe pallateve që tani po ndërton edhe mbi “pallate”.
Natyrisht mosrespektimi i standardeve europiane, por edhe shkencore të ndëshkon.
Ndaj sot qytetarët e Tiranës përveç kohës së madhe që harxhojnë në trafik, ajrit të ndotur që thithin çdo ditë, duhet të përballen edhe me temperatura ekstreme të cilat do të ishin të paktën 3-5 gradë më pak nëse nuk do të ishin bllokuar korridoret ajrore nga kullat gjigande të ndërtuara pa kriter.
Natyrisht ky ndëshkim është për qytetarët e Tiranës, jo për banorin e Surrelit.
Është e qartë se Edi Rama i ka dhënë një porosi politike Z. Mazniku dhe ai e ka bërë reformën vetëm bazuar mbi hartën e Shqipërisë në laptop.
Kjo bindje m’u përforcua sidomos kur e dëgjoja për argumentet e tij se pse duhej të bashkohej Fushë-Arrëzi me Pukën në një bashki të vetme.
Por kur dëgjova më pas argumentat e Kryebashkiakut të Fushë-Arrëzit, Z. Hil Curri, m’u përforcua bindja se laptop-reforma është vetëm një projekt centralizues dhe politik për qëllime personale të Edi Ramës.
Pra Mazniku fliste për Bashkinë Fushë-Arrëz pa qenë asnjëherë atje. Po kështu, pa u konsultuar me Kryetarin e Bashkisë dhe Këshillin e Bashkisë dhe pa bërë asnjë dëgjesë me qytetarët.
Sepse aty në laptop, Fushë-Arrëzi duket i vogël dhe shumë afër Pukës. Sepse ai nuk e di që nga fshatrat më skajore të Fushë-Arrëzit në kufi me Kukësin e Tropojën e deri te qendra e Fushë-Arrëzit, u duhen të paktën 2 orë. Shtoji tani kësaj edhe një orë nga Fushë-Arrëzi në Pukë në një rrugë plot kthesa, pra do u duhen të paktën 3 orë.
Ndërkohë që standardi europian i qeverisjes vendore është se për shembull për shërbimin zjarrfikës nuk mund të jetë efikas nëse distanca me e largët është më shumë se 30 minuta nga vendbanimi më i largët i bashkisë. Aq më tepër në këto kohë që zjarret sa vijnë e shtohen.
Po kështu, nëse do i referohemi kritereve të performancës, Bashkia e Fushë-Arrëzit është e pesta në Shqipëri dhe ka një kryebashkiak shumë të aftë në menaxhim dhe bashkëpunues me të gjithë. Do mjaftonte vetëm një debat televiziv midis Z. Mazniku dhe Kryebashkiakut të Fushë-Arrëzit, Z. Hil Curri që edhe socialisti me trushpëlarë të kuptonte që kjo është “reforma” e laptopit që është kundër qytetarëve.
Fakti që edhe Bashkia Pukë nuk e dëshiron bashkimin me Fushë-Arrëzin është edhe më domethënës dhe ka shumë logjikë, pasi distancat tepër të largëta do cenonin edhe vetë standardet e deritanishme të qytetarëve të Bashkisë Pukë.
Ashtu siç është e padiskutueshme se edhe vetë standardet e shërbimit të qytetarëve të Vlorës, do cenoheshin më tej nëse Bashkia Selenicë me gati 50 fshatra do i bashkohej Vlorës.
Ne e kemi parë që Bashkia e Vlorës nuk menaxhon dot plehrat e saj, që digjen pranë plazhit edhe në kulmin e sezonit turistik e jo më t’u shërbejë banorëve të Selenicës e 50 fshatrave të saj.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për banorët e Bashkisë Berat, e cila nuk është në gjendje t’u shërbejë ish-komunave të saj aktuale e jo më t’u shërbejë banorëve të Bashkisë Poliçan që i ka kufijtë deri në Bogovë të Skraparit apo Bashkisë së Dimalit që kufizohet me Roskovecin dhe Lushnjen.
Ashtu sikurse asgjësimi i dy bashkive shumë të konsiderueshme, secila gati me 40 mijë banorë, si ato të Divjakës dhe Maliqit, është një goditje e qëllimshme e 2 prej zonave më prodhuese në Shqipëri në fushën e bujqësisë dhe tregon qartë se përshpejtimi i shpopullimit është objektivi kryesor i Ramës.
Ndërkohë që rishikimi i hartës administrativo-territoriale do të duhej të kishte objektiv kryesor popullimin e Shqipërisë dhe afrimin e shërbimeve dhe vendimarrjes pranë qytetarëve.
Këtë e ofron më së miri harta e propozuar nga opozita, e cila mund të ketë hapësirë për ndonjë ndonjë përmirësim të caktuar, por që në thelb i shërben decentralizimit dhe afrimit të shërbimeve pranë qytetarëve, por edhe ruan identitetin apo tipologjinë e trevave dhe komuniteteve të ndryshme.
Është ky diversitet identitar, kulturor që e bën Shqipërinë një vend më interesant, më tërheqës edhe për të huajt. Por në radhë të parë duhet të bëjë krenar çdo shqiptar për origjinën e tij, traditat e të parëve të tij dhe vendlindjen e tij.
Por agjenda e shpopullimit ecën paralelisht edhe me atë të shkombëtarizimit.
Ndaj referendumi është e vetmja zgjidhje dhe rrugë kushtetuese, ligjore dhe morale që duhet ndjekur, pas ndërprerjes së njëanshme të punës së Komisionit Bipartizan për Reformën Administrativo-Territoriale për faj të PS.
Pra protestat e gjera edhe të vetë socialistëve të prerë në besë nga Edi Rama nga Poliçani në Divjakë, nga Prrenjasi në Selenicë e kudo, tregojnë qartë se nuk është faji i opozitës që nuk ka alternativë, por i Edi Ramës që ka vetëm një alternativë që zhbën Shqipërinë përmes shpopullimit dhe shkombëtarizimit.
Të jeni të sigurt se dëshira e tij ka qenë dhe mbetet për të shkrirë shumë më tepër bashki, por është mjaftuar me 15 aktualisht nga frika e reagimit të deputetëve të caktuar në grupin parlamentar.
Shumë turp për ata deputetë socialistë që kanë marrë votat duke premtuar mbështetjen për këto 15 bashki dhe tani u kthejnë shpinën votuesve të tyre. Vetëm rruga e referendumit i shpëton edhe ata nga një mëkat që nuk lahet.




















