Suplementi Pena Shqiptare/ Gëzim Zilja: Amaneti i emigrantit

19
Sigal

– Hani e pini! Vetëm mos këndoni! Mish e raki keni me bollëk. E meriton im vëlla! Do ia bëj nderin deri në fund. Kush nuk e ha dot ushqimin ta marrë me vete. Keni të gjithë nga një qeskë poshtë pjatave, – nuk i mbyllej goja ZIGURIT. Nuk dukej fare i mërzitur për vdekjen e të vëllait, përkundrazi dukej shend e verë. Tavolinat e mëdha  mbuluar me cohë të bardhë, lugët, pirunjtë, pecetat e pastra dhe tufat e luleve natyrale  krijonin idenë se ndodheshe në një dasmë. Ziguri nuk dihej nga kishte marrë vesh ditë më parë, kur do të mbërrinte hiri i Tefikut, vëllait nga Amerika, që kishte lënë amanet të varrosej në fshatin e tij të lindjes, pranë prindërve dhe gjyshit të vet. Kishte porositur dy djemtë, para vdekjes, tashmë me pasaportë amerikane, që të mos trazoheshin me të vëllanë atje në Shqipëri, ta kryenin ritin e varrimit dhe të drekës mortore me njerëzit e paktë, që ai ua kishte dhënë me të shkruar në një listë. Ziguri, ndërkohë ( një zot e di nga e mori vesh)  u kishte dërguar ftesë gjithë të njohurve. Caktoi vendin në varreza, pranë gjyshit dhe prindërve, organizoi drekën në restorantin e vet pranë  pikës turistike, që shërbente si hotel por edhe si godinë banimi për të dhe fëmijët, duke ua bërë fakt të kryer nipërve nga Amerika. Njerëzit që erdhën ishin të paktë, kryesisht miq e të afërm të Tefikut. Ishte një ceremoni e thjeshtë, ku fjalimin e rastit e mbajti Ziguri. Foli duke u mburrur për prejardhjen fisnike, për vuajtjet dhe burgjet e familjes nën diktaturë dhe respektin që kishte fshati për ta. Fjalimin e mbylli duke deklaruar: Fisi ynë ka qenë e mbetet fis sojlinjsh. Të gjithë jeni të ftuar në drekën e përshpirtjes së vëllait tim dhe ju lutem asnjë të mos mungojë! Pas kësaj u vendosën kurora në emër të familjes dhe nga dy tre shokë të të ndjerit. Pak më vonë të ulur në tavolina të ftuarit çukisnin me përtesë ushqimin e bollshëm e bisedonin me zë të ulët historinë e të dy vëllezërve që nuk i pajtoi as vdekja…  Ishin vitet kur diktatura shtetëzoi gjithçka dhe njerëzit ngryseshin e gdhiheshin me ankthin e mbijetesës për të siguruar pak ushqim. Ziguri bashkë me familjen ishin internuar me kohë në një fshat në periferi të qytetit. Gjithë fajet sipas tij i kishte gjyshi i vet Gjoni, sepse në kohën e luftës kishte shkuar me Ballin Kombëtar, duke marrë me vete dhe babanë e tij. Pas çlirimit i kishin dënuar të dy babë e bir me nga dhjetë vjet burg. I ati i sëmurë pas daljes nga burgu vdiq shpejt. Pronat me gjithë shtëpinë dykatëshe ua shtetëzoi pushteti komunist, duke i detyruar të banonin në një kasolle ku ç’binte jashtë hynte brenda. Për t’i shpëtuar varfërisë dhe poshtërimit të inspektorit të policisë, që të paraqitej çdo darkë te këshilli i fshatit, Ziguri u largua nga shtëpia ku banonte me gjyshin dhe të vëllanë, gjoja ishin ngushtë. Sajoi një kasolle në anën tjetër të fshatit dhe i shkëputi krejt mardhëniet me gjyshin  dhe vëllanë e martuar, tashmë me dy djem e vegjël… Bëri dy herë lutje për tu pranuar në parti por nuk e pranuan. Atëherë i ra larg e larg për të shkuar atje ku donte. U lidh me sekretarin e partisë, duke i shërbyer për punë të ndryshme: I punonte kopshtin, rregullonte pjergullat e rrushit në oborr, ushqente pulat, lyente shtëpinë, kujdesej për bletët. Hera-herës bënte dhe ndonjë spiunllëk të vogël. Më vonë filloi të bënte dhe kodoshin e sekretarit, kur ky i vinte syrin ndonjë vajze të re. Kryente çdo porosi të tij si një qen besnik, me qëllim  t’i jepnin një zetor nga të kooperativës.

– Shumë dërdëllit ai gjyshi jot kundër partisë. Atë zetorin e do, por partia kërkon t’i shërbesh,- i tha sekretari dikur. U gjetën dhe dy dëshmitarë të tjerë kundër plakut. Një javë para se gjyshi i vet të dilte i vdekur nga dera e hetuesisë, Ziguri ishte bërë me zetor. Nuk shkoi në shtëpi të priste ngushëllimet bashkë me të vëllanë. Pasdite kufoma e futur në një kashun të sajuar nga i vëllai me ca dërrasa të vjetra, hedhur mbi karron e pastrimit të stallës së lopëve, tërhequr nga një kalë ngordhalaq mori kthesën nga varrezat. Disa dhjetra metra para varrezave, rruga e ngushtë  gjithë gropa ishte bllokuar kryq nga zetori bashkë me rimorkio. – Nuk mund të kaloni këndej!- bërtiti Zogolli. – Deri nesër zetori nuk lëviz se është prishur. Varroseni diku tjetër se ballist ka qenë dhe na mori më qafë se na armiqësoi me të gjithë fshatin.- Ata pak fshatarë që shoqëronin arkivolin shikonin plot trishtim Tefikun, që ktheu karron, i ra rrëzë malit dhe e varrosi gjyshin e vet në fund të varrezave të fshatit. Kur ra diktatura, Ziguri, kaloi me partinë demokratike, i kërkoi falje dhe u pajtua me të vëllanë. Braktisi mikun e vjetër dhe bërtiste nëpër fshat, duke përmendur sekretarin e partisë: – Komunistët në litar! Familja ime ka dhënë dy dëshmorë në luftën kundër diktaturës, babanë dhe gjyshin. Tefiku bashkë me dy fëmijët e vegjël u largua në Amerikë, duke lënë vëllanë të vogël të merrej me kthimin e pronave. Ziguri nuk la kusur, mori jo vetëm një shumë të majme parash si kompensim për burgun e të atit dhe të gjyshit, shtëpinë dhe tokat e familjes, po gllabëroi edhe ca toka afër bregdetit me dokumenta false, ku ngriti shtëpitë e reja, hotel dhe restorant luksoz. Të vëllanë e gënjeu, duke i thënë se gjyshi ia kishte lënë atij të gjithë pasurinë me testament. Pas një sherri të gjatë, që e dëgjoi gjithë fshati, Tefiku heshti, e pa në sy plot keqardhje dhe i tha: Ti u bëre mik me komunistët dhe gjyshin e vrave, duke shpifur për të. Madje nuk e le as të varrosej. Falsifikove dokumentat e thua, që të paska lënë pronat gjyshi me testament. Si të mban dheu sipër o njeri? Po ti e vrave atë duke dalë dëshmitar. Bëj habi si ka mundësi që unë dhe ti të jemi lindur nga të njëjtët prindër e të kemi të njëjtin gjak!? Mbaji të gjitha! Ndoshta dhe kënaqesh por asgjë nuk ke për të marrë me vete veç dy metra varr. Turpi do të mbulojë ty, fëmijët, nipat dhe stërnipat sa të jesh gjallë. Kurrë mos t’i pafsha më sytë!! Kjo ishte historia që po kujtonin e pëshpërisnin nën zë të pranishmit. Një shok fëmijërie i Tefikut që po lotonte gjithë kohën u ngrit në këmbë dhe filloi të flasë: – Miq e dashamirës, fëmijë të Tefikut! U mblodhëm sot këtu të varrosim eshtrat ( hirin, i tha dikush) po hirin,- vazhdoi Nurua, – e vëllait tonë aq të mirë, me të cilin u rrita e hoqëm jo pak vuajtje.- Foli dhe pak po lotët filluan t’i rridhnin sërish ca nga dhimbja e ca nga pleqëria. Gjindjes iu dhimbs e megjithatë po dëgjonte. Ziguri e ndërpreu harbutërisht:- Ulu o xha Nuro, ulu se të morëm vesh! Fjalimet u mbajtën te varrimi, tani jemi në drekë prandaj ulu e ha!- Plaku u ul i trishtuar dhe nuk u ndje më. Filloi të përtypte pak pilaf, pa e zënë me dorë mishin e pjekur që ishte më bollëk. U kthye nga ai që kishte më afër dhe i pëshpëriti:-Ah i varfëri që nuk kam çarkun e dhëmbëve me vete! Ky mishi i pjekur ia vlen.- Merre me vete, xhaxha, është pjesa jote,- tha komshiu ngjitur.- Ashtu do të bëj!- tha plaku. Mori qeskën plastike, që Ziguri e kishte vënë për çdo mysafir, futi mishin, nja dy qofte dhe ca patate. Pastaj u bë pishman. U ngrit në këmbë, përplasi qesen mbi tavolinë dhe i zemëruar foli me zë të lartë: – Helm të më bëhet! Nuk hahet dreka e këtij harbuti, pa Tefiku ishte shpirt njeriu! Po ky maskara Zigur, çfarë nuk i ka punuar të vëllait, që i mori gjithë pronat për vete deri sa e detyroi të mërgonte. Tani shet të trasha dhe nuk na lë as të themi dy fjalë. Sikur nuk e dimë kush është…Njerëzit ndaluan përplasjen e pirunëve dhe hidhnin sytë herë nga Nurua e herë nga Ziguri. Ky, në krye të sallës, me njërën pëllëmbë të hapur te veshi me ironi, bëri sikur nuk e dëgjoi qartë. Pa Nuron që po dilte jashtë dhe kuptoi se diçka nuk po shkonte në këtë drekë përshpirtjeje. Pas plakut, u ngritën në këmbë dhe u larguan qetësisht një e nga një ata pak të pranishëm bashkë me nipat ardhur nga Amerika. Asnjë nuk i dha dorën Zigurit. Kur salla u boshatis tërësisht, i mbetur vetëm hodhi një sy nga tavolinat mbushur me ushqimet pothuaj të pa prekura dhe thirri me zë të lartë në sallën bosh:- Ç’alabakë që paskan qenë! Gjynah për zotin! Gjithë kjo drekë si për mbretër as nuk e prekën me dorë. Njerëz ziliqarë e cmirëzinjë. Erdhën gjoja për ngushëllim në varrimin e vëllait  dhe kërcitën e ikën. As nipat nuk më dhanë dorën për nderin që u bëra… Thirri pastaj kamerierët, i urdhëroi të mbledhnin ne kujdes ushqimin nga tavolinat, ta çonin në kuzhinë dhe t’ua shërbenin klientëve, që do të vinin të drekonin e darkonin ditët në vazhdim.