Dita e Evropës, Kurti: Kosova duhet të jetë pjesë e familjes evropiane, rrugëtimi të vlerësohet në baza meritokracie

14
Sigal

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Ditën e Evropës, ka deklaruar se vendi i tij duhet të jetë pjesë e familjes evropiane dhe që rrugëtimi drejt BE të vlerësohet në baza meritokracie.

Në një postim në rrjetet sociale , Kurti u shpreh se Kosova e ka dëshmuar vazhdimisht gatishmërinë për të kontribuar në mbrojtje të demokracisë.

“Republika e Kosovës jo vetëm që i bashkohet thirrjeve dhe misionit të mbrojtjes së demokracisë anekënd Evropës, por edhe në vazhdimësi dëshmon vullnetin e gatishmërinë për të kontribuar në këtë drejtim, si në përafrimin e politikës së jashtme të vendit me atë të Bashkimit Evropian, por edhe në mbështetjen e të gjitha masave të vendosura ndaj agresionit të pajustifikuar rus ndaj Ukrainës. Por që të kontribuojmë e të bëjmë edhe më shumë, duhet të jemi pjesë e familjes evropiane e rrugëtimi ynë të vlerësohet në baza meritokracie. Teksa edhe zgjerimi është rikthyer në vëmendje e agjendën e BE-së pas shumë vitesh, vendi ynë ka aplikuar dhe për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Avancimi i vendit tonë në rrugën drejt BE-së, do ishte sinjal pozitiv për vendin dhe për vlerat demokratike”, shkroi Kurti në Facebook.