Tinka Kurti- Ikona e aktrimit Shqiptar

1101
Sigal

Tinka Kurti më 17 dhjetor 2012 ka 80-vjetorin e lindjes.

Shumë kritikë të artit kanë vlerësuar me të drejtë se ajo është  ikona e aktrimit shqiptar. Prandaj të shkruash për këtë aktore të madhe nuk është e lehtë. Jeta e Tinka Kurtit si aktore e shquar e teatrit dhe e kinematografisë, mund të vështrohet jo thjesht me numrin e madh të roleve, por në radhë të parë me nivelin e lartë. Tinka Kurti arriti të kap majat e aktrimit, me rolet pa fund, ku mund të veçojmë disa prej tyre, që mbahen mend gjithnjë Filen e dikurshme të dramës “Toka jonë”, Nillën e “Trumbetjeres”, Zyrakën e “Kënetës”, Valjen e “Historisë Irkutase” Norën e “Shtëpia e Kukullës”, Zanën e “Fishekut në pajë”, Domen e “Këshillit të Ndrikullave”, Loken e “Tokës sonë”, Nusen e “Bacës së Gjetajve” e deri te Nënëmadhja e famshme e “Gjakut të Arbërit” si dhe të paarritshmen  Nënë Pashako të filmit “Yjet e netëve të gjata”, etj., etj..

NOA

Tinka është aktorja e parë e filmit të parë shqiptar “Tana” që nuk do të harrohet asnjëherë. Në këtë shkrim nuk do të merrem me jetën e aktores së madhe dhe rolet e shumta që ka luajtur, por do të ndalem vetëm tek dy rolet e realizuar në kohë të ndryshmen të dramës “Toka jonë” të dramaturgut të mirënjohur Kolë Jakova.

  1. 1.  Roli i Files

Ishte viti 1954. Kishte pesë vjet që ishte krijuar teatri profesionist “Migjeni” i Shkodrës dhe Tinka ishte emëruar si gjysmëprofesioniste.  Por pozitat e saj ende  ishin konsoliduar si duhet  në teatër por gjithsesi  ajo nuk kishte më frikë në se po i jepeshin apo jo role. Në çdo dramë zakonisht kishte personazhe vajzash të reja, kështu që ajo, tashmë, ishte interpretuesja e tyre dhe për këtë nuk kishte asnjë kundërshtim.

Për këtë arsye Tinka ishte gjithnjë kërkuese ndaj vetvetes.

Në fillimet e dramaturgjisë shqiptare, siç ishte letërsia jonë në atë kohë, u gjykua se  teatri “Migjeni”i ka mundësitë ta vejë në skenë dramën “Toka jonë” të Kolë Jakovës, që sapo ishte vënë në Teatrin Popullor. Edhe vetë autori  e kishte pasur parasysh trupën e teatrit “Migjeni” gjatë shkrimit të saj.

  Rolet që kishte luajtur deri atëherë, Tinkës i dukeshin vetëm prova në se mund të jetë një aktore e ardhshme. Ato shtronin për para saj pikëpyetje të mëdha për të ardhmen e saj në teatër. “Unë e shoh të vërtetën në sy, deritashmi nuk jam përfaqësuar ashtu si do të dëshiroja, edhe pse spektatorët dhe gazetat nuk reshtin pa më vlerësuar. Por unë shoh se nuk jam fare aty ku dëshiroj. Ende nuk jam Tinka e vërtetë, shoh se kam forca për më shumë…”.    Ky monolog dhe kjo bisedë e sinqertë me vetveten, e bëri Tinkën më të fortë, e ndihmoi të shihte më larg, që të ngjitej më lart. Me rolin e ardhshëm, edhe pse në dukje rol i vogël dhe i parëndësishëm,  Tinka u bind se këto synime mund t’i arrinte.

Drama “Toka jonë” u lexue në kolektiv nga vetë autori. Regjisor ishte Lec Shllaku, “Artist i Popullit”.

Tinkës iu ngulit aq shumë në mendje personazhi i Files, saqë për një moment mendoi se ky ishte kryeroli i dramës.

  – Kjo është drama, – tha Kolë Jakova sapo mbaroi leximin e saj. Hodhi një vështrim të shpejtë te të gjithë aktorët me radhë dhe vuri re se atyre u kishte pëlqyer shumë drama e tij. Pas një pauze të shkurtë, vazhdoi:

  – Mendoj që Tuç Maku t’i jepet Zef Jubanit  e Loken ta losë Vitore Nino,– tha. Bëri dhe ndonjë përcaktim tjetër, sipas mendimit që kishte patur edhe gjatë të shkruarit të dramës.

  Tinka nuk u përmbajt:

  – Kurse Filen e luaj unë, – tha me vendosmëri dhe me një notë kënaqësie, sikur të ishte në dorën e saj kjo gjë.

  Kolë Jakova menjëherë ndërhyri:

  – Punë e kollajtë, roli është i vogël, por nuk është krejt pa vlerë, – tha autori, duke mos i dhënë rëndësi pothuajse fare kësaj ndërhyrjeje të Tinkës.

  Roli i Files i mbeti Tinkës.

  Ato ditë ishte e lumtur. Filloi menjëherë të ndjejë rrahjet e zemrës së re  të Files në zemrën e saj.

Vetë roli i Files në dramë nuk zinte ndonjë peshë të madhe, bile të dukej se në tërësinë e shtyllave të dramës, ajo zinte një vend anësor.

Tinka nuk kënaqej me vendin që i kishte dhënë autori Files. Ajo i vuri detyrë vetes të forconte peshën e Files në dramë, ta bënte më vepruese, më aktive, duke i rritur mendimin dhe së bashku me të edhe ndjenjën. Tinka  synoi që t’i japë jetë figurës së Files, për të krijuar një përputhje dhe harmoni brenda vetë figurës, që Filja të dashurohet nga shikuesit, prej të cilit të jetë përvetësuar bukuria shpërthyese e plotë e personazhit.

Mbasi e studioi mirë e mirë dramën si dhe vetë rolin që do të interpretonte, i hyri  me zell e pasion punës. E zbërtheu deri në imtësi, si të thuash e bëri copa-copa, duke përcaktuar çdo episod, çdo ngjarje e çdo fakt, deri në hollësitë më të vogla, të dukshme e të padukshme. Çfarë ka thënë autori e çfarë donte të thoshte Tinka me atë figurë? Çfarë peshe ka Filja në këtë dramë e pastaj në shfaqje? Në ç’raporte është Filja me të tjerët, me Loken, me Vaten apo me Murrashin? Çfarë e shtyn atë të urrejë Vatën? E shumë e shumë pyetje të tjera i bënte Tinka vetes dhe, me këmbëngulje, u jepte vetë përgjigjen secilës.

  Jetonte çaste të kënaqshme të një frymëzimi të paparë, çaste të harrimit të vetvetes dhe kështu e ndiente veten të lumtur.

  Tinka  hyri me kënaqësi në labirintet e shpirtit të Files, prandaj realizoi një File të denjë, një krijim të vërtetë artistik. Te Filja shihej vajza e thjeshtë malësore, e pajisur me vetitë më të bukura të rinisë së kohës e të traditave të popullit tonë, një vajzë e zgjuar, e dashur, e gjallë, guximtare dhe plot bujari. Filja – Tinkë përpiqet me të gjitha forcat të përqafojë të renë përparimtare të malësisë. Ajo di edhe të dashurojë, ajo tregon se e do të dashurin e saj, Vatën,  dhe në takimet me të ajo shpreh qartë gëzimin dhe lumturinë e vet. Tinka – File krijon emocione shumë të forta në bisedën e saj me Loken, duke i shprehur kësaj ndjenjën e fuqishme të dashurisë për të ëmën e lodhur dhe të drobitur nga vuajtjet. Në aktin e dytë, Filja – Tinkë, pasi e heton ligësinë e Vatës, i shpreh vuajtjet e saj me vërtetësi dhe mjeshtri artistike. Po kështu me art Tinka- File i shpreh nënës së vet ndjenjat e urrejtjes për Vatën, pasi e kupton se ai ka rënë në duart e Tuç Makut dhe sheh se është një vegël e tij. Pra, përveçse di të dashurojë, ajo di edhe të urrejë. Bile me interpretimin e saj aktorial, Tinka me mjeshtri tejkaloi edhe parashikimin e autorit në konceptimin e këtij roli.

Tinka u vlerësua si personazhi më e spikatur i shfaqjes, me fuqinë e saj dramatike dhe me përjetimin e thellë të rolit, ajo shprehu fuqi të madhe dramatike dhe ekspresivitet të jashtëzakonshëm. Tinka zotëroi një të folur të qartë dhe plot ngjyra, një timbër të ëmbël dhe të ngrohtë, kur është fjala të paraqitet si një vajzë e thjeshtë, por kur është rasti për të shprehur dhimbjen dhe tronditjen e saj, timbri i ndryshon së tepërmi, bëhet i fuqishëm, akuzues e tronditës.

Premiera qe një sukses i vërtetë. Mbas çdo shfaqjeje Tinkën e pushtonte një kapitje e këndshme që  ngjante me ekstazë dehëse dhe pastaj e ngërthenin ndjenjat e ngrohta, që vinin gjithnjë duke u rritur dhe bashkë me to i lindi dhe një ndjenjë e madhe  e ndritur, ndjenja e mirënjohjes për autorin dhe personazhin e Files, në fillim një ndjenjë e mjegullt, si një ëndërr, pastaj më e qartë e më e pandalshme…

Kulmi i interpretimit mjeshtëror të Tinkës në këtë rol arrin kur Filja lajmëron vrasjen e vëllait të saj me thirrjen: “Loooke, kanë vra Muuurrashin!” Këto katër fjalë, të thëna me një britmë rrëqethëse, të dala nga thellësitë e shpirtit të një motre që e do shumë vëllain e vet e që për të përgjërohet, janë fjalët më të fuqishme të thëna ndonjëherë prej ndonjë aktoreje tjetër, për nga efekti elektrizues te spektatorët, të  cilët, në shumicën e tyre, kur e kujtojnë edhe sot, tronditen. Në fjalët e thirrjen e saj kishte pasuri intonative të madhe, kishte nëntekst të fuqishëm dhe kuptim të thellë. Toni i zërit i përshtatej pamjes së tronditur të saj. Dukej një lloj gjëmimi grykor i fuqishëm, sikur të ishte një stuhi në shpërthim.

Unë kam qenë i ri në atë kohë, 14-15 vjeç dhe i kam ndjekur shfaqjet si një nxënës i shkollës së mesme, por më duket se, edhe sot, kur e kujtoj këtë moment, më kap një emocion  dhe ndiej tronditje. Ky është misioni i artit dhe i artistit, që të të tronditë shpirtin dhe të mbesë në mendje për një kohë të gjatë. Dhe kjo vjen vetëm nga forca interpretuese e aktorëve. Kam lexuar diku se roli i një artisti të vërtetë është si një ndërtesë e bukur dhe e fortë. Në qoftë se kjo ndërtesë i  reziston kohës dhe mbetet për kohë të gjatë, ajo bëhet përherë e më me vlerë. Kështu edhe një realizim i fuqishëm i një roli mbetet  në kujtesën e spektatorit për gjithnjë.

  Tinkës, si e re që ishte, i dukej se të gjithë këta njerëz që mbushnin sallën çdo natë, kanë ardhur për të. Nuk kishte faj, ishte një sukses i paparë, një arritje që e kishte pritur prej kohësh.

Të nesërmen, kur dilte nga shtëpia, i dukej se të gjithë  shikonin dhe e shënonin me gisht: “Ja, kjo është Filja!”

“Filja” mbeti e do të mbetet për Tinkën si një lajtmotiv i punës së saj për gjithë jetën, sepse i duket se dëgjon, edhe sot, thirrjen e saj të fuqishme:

“Këtu rri ti, Tinka,  këtu e ke vendin, në teatër, kjo është rruga jote e jetës!”

Mbas këtij roli, Tinka nuk e ndali fluturimin e vet  ngadhënjyes…

  1. 2.  Lokja

 

  Vënia në skenë e dramës “Toka jonë” e Kolë Jakovës nga teatri “Migjeni” në vitin 1970, ishte një nismë e guximshme e regjisorit Serafin Fanko, Artist i Popullit,  për shumë arsye: ajo ishte vënë nga ky teatër në vitin 1954, ku rolin e Tuç Makut e kishte luajtur me sukses aktori Zef Jubani (Artist i Popullit) si dhe nga Teatri Popullor më përpara, ishte shumë e njohur si dramë, ishte bërë film, po bëhej opera, studiohej në shkolla si një nga dramat më të mira të letërsisë shqipe dhe nuk pritej që të kishte ndonjë jehonë shumë të madhe. Megjithatë regjisori nguli këmbë për këtë rivënie, duke e argumentuar me garancinë e suksesit. Serafini kishte menduar që në këtë rast rolin e Lokes ta luante Tinka Kurti, ndërsa atë të Tuç Makut Lec Bushati. Kishin kaluar 16 vjet nga vënia e parë. Edhe aktorët ishin rritur në moshë dhe ishin pjekur si të tillë.

Para fillimit të punës, Tinka nuk  ishte e qetë. Do të luante Loken, por si do të ndahej prej Files? A mund ta bënte këtë?!

Gjithnjë i kujtoheshin çastet e ndryshme të suksesit me Filen; kur shumë gazeta shkruanin aq shumë për të, kur i jehonin duartrokitjet e zjarrta e të papërmbajtshme të publikut, kur merrte nga të gjitha anët përgëzimet e ngrohta e të përzemërta… e plot gjëra të tjera.

Kjo dramë në vitin 1954 kishte bërë që Tinka të arrinte majat e një interpretimi dinjitoz të Files. Tinka e donte këtë personazh edhe nga ndikimi i fortë i Files në jetën e saj, së cilës, thirrja “Këtu rri ti, Tinka, këtu e ke vendin, në teatër, kjo është rruga jote e jetës!” i përcaktoi të ardhmen e saj dhe i ushtonte gjithnjë.

Po Loken si do ta interpretonte? A do të arrinte suksesin e duhur, kur në Tiranë Loken e kishte luajtur aq bukur Marije Logoreci, “Artiste e Popullit”.

Tinka kishte besim e shpresë, si fillim, te Serafini, i cili, si regjisor tashmë me përvojë, do t’i hiqte shfaqjes melodramatizmat që i kishte vetë drama dhe shfaqja e dikurshme.

Por më shumë Tinka kishte besim te vetja, te talenti i saj, te përvoja e krijuar dhe te pjekuria artistike, ndonëse lëkundej pak te mosha ende jo e plotë për të luajtur Loken plakë.

Tinka ende nuk e ndiente veten Loke. Kishte pasur mendimin se këtë rol të bukur do ta luante kur të ishte më e moshuar dhe këtë mendim e kishte bërë si të vetin, që e shoqëronte gjithnjë. Jo pse shoqet e saj kishin qenë më në moshë kur kishin interpretuar Loken, por një gjë tjetër e shqetësonte Tinkën, temperamenti i saj “kolorik”, që ajo kishte manifestuar te shumica e roleve të tjera.

Por ja, “Toka jonë” do të vihet në teatrin  “Migjeni” dhe rolin e Lokes do ta interpretojë vetë Tinka.

Në Shkodër pritej me interes kjo shfaqje. Njerëzit diskutonin se çfarë të reje do të sjellë kjo pjesë kaq e njohur? Dikush tjetër shfaqte mosbesim në suksesin e saj. Kishte edhe nga ata, që ishin “shumica”, që kishin besim te Serafin Fanko dhe Tinka Kurti e të gjithë aktorët tjerë.

– Po gjeta hyrjen, Serafin, kam gjetur Loken që dua të interpretoj, – i thoshte Serafinit gjatë provave.

– Provo variante të ndryshme, Tinka, – i përgjigjej Serafini, – hyr si të duash. Por unë dua që të hysh në shtëpinë tënde dhe të mos jesh e ndrojtur.

Tinka provonte hyrje të ndryshme dhe asnjëherë nuk ishte e kënaqur.

– Mos më vë re, zëre se kam hyrë, të vazhdojmë, – i tha Serafinit një ditë gjatë provave.

Serafini përsëri e la të lirë të vepronte sipas dëshirës së saj. Ai e kishte të qartë ku do të dilte, por i dukej se nxitja e kërkimit nga ana e vetë Tinkës vetëm se do ta ndihmonte rolin dhe krejt shfaqjen.

Papritmas Tinkës i lindi një mendim i ri. Mori nga rekuizita një shkop të gjatë. Kur hyri në skenë, i dha me forcë atij shkopi drejt dyshemesë, për të dhënë idenë se unë kam ardhur që të qëndroj këtu, në shtëpinë time.

– Bravo, Tinka, kështu duhet të hysh, – thirri me të madhe Serafini i entuziazmuar së tepërmi për këtë detal pikant ideor, por edhe zbukurues…

 Pastaj, më vonë, i tha:

– Je e kënaqur për zgjidhjen?

– Po, – tha qetë-qetë Tinka.

Me këtë hyrje, Lokja-Tinkë kërkonte të jepte idenë se, tashmë, ajo kishte ardhur një herë e përgjithmonë në fshatin e vet, në tokën e vet, në shtëpinë e saj e mes njerëzve të saj.

Kjo erdhi, përveç të tjerave, nga një kërkesë këmbëngulëse për gjetjet e duhura, për një plastikë të zhdërvjelltë dhe dinamikë të duhur.

Ky fill e përshkoi gjithë shfaqjen në interpretimin e rolit të Lokes nga ana e Tinkës.  Ajo hyri në shtëpi kësaj radhe për të mos dalë kurrë më.

Tinka-Loke  la mbresa të forta. Ajo të bindte kur urrente Tuçin, të bënte për vete kur kërkonte,  duke u dridhur, dorën e Lekës, ishte  e ngrohtë dhe e çiltër me Murrashin e Filen, e dhimbshme në vrasjen e birit të saj, por edhe krenare për gjakun që ai derdhi për fshatarët e varfër, për popullin që e deshi aq shumë.

Kjo Loke nuk kërkonte më lotët dhe mëshirën e spektatorëve. Nuk shohim të qajë asnjëherë, as kur vjen në shtëpi pas 17 vjetëve, as kur i vrasin të birin, as kur ka përballë Lekën në fundin e dramës. Por ky nuk është një stoicizëm kanunor. Këtë radhë kemi një Loke nënë e luftëtare. Ajo na bindi e na emocionoi. Ajo e mund Vatën dhe i drejtoi pushkën, ndërsa kur Filja sjell vajin e kobshëm, pushka i dridhet në dorë për  një moment.  Pra ishte edhe nënë, edhe luftëtare.

Tinka e realizoi shumë bukur këtë rol, sepse hyri thellë në zhbirimin e botës së brendshme të Lokes, i sjelljes së saj në marrëdhënie me personazhet tjerë, duke zbuluar vendin e fshehtë ku qëndron motivi i veprimeve të Lokes, duke u futur thellë në tejzat më të holla të shpirtit të saj të revoltuar nga padrejtësitë tronditëse të Tuç Makut, sepse Tinka i hyri thellë njohjes së realitetit konkret, nga një vëzhgim prej mjeshtreje të vërtetë. Prandaj Tinka na dha një Loke plot me dhimbje e me brenga që ia kishin plagosë shpirtin e saj, por edhe një Loke që di të dalë fituese mbi to.

Ajo luajti si një malësore e vërtetë, sepse e njihte mirë mjedisin ku zhvillohej drama dhe i dha Lokes tamam frymën dhe karakterin e gruas së revoltuar malësore, e aftë tashmë t’i dalë zot vetes. Ajo, si aktore, me personalitetin e saj, me të dhënat psiko-fizike, me aftësitë individuale si qenie shoqërore (që karakterizon aktorin e mirë artist të vërtetë), na dha një personazh sa të vërtetë aq edhe bindës dhe njerëzor.

Në shtator 1973 drama “Toka jonë” u regjistrua për herë të parë në TV, nga regjisori Ylli Pepo, tashmë i njohur për filmat televizivë. Ai bëri një punë shumë të kujdesshme,  së bashku me gjithë grupin e xhirimit, për të transmetuar me shumë cilësi nivelin e shfaqjes. Veçanërisht u vu re në këtë transmetim televiziv vizatim me mjetet e TV të portreteve, të gjendjes psikologjike të tyre, si dhe theksimi me shumë kujdes i planeve të dyta. Dhënia e kësaj shfaqjeje në TV u prit me shumë kënaqësi nga teleshikues të vendit.

Me vrasjen e Murrashit Lokja merr një goditje të re, dhimbja e saj është e brendshme, e madhe, e thellë. Kamera fikson portretin e saj dhe ne ndjekim monologun e brendshëm, i cili në interpretimin e aktores së talentuar rrjedh lirshëm e pa asnjë sforco. Këtu dëshiroj të theksoj një veçori  të interpretimit të lartë të Tinkës që ka lidhje me atë që në teatër quhet “plani i dytë” e që në skenë shpesh ne nuk e vëmë re sa duhet. Në këtë regjistrim shumë të bukur të regjisorit Ylli Pepo, vihet re shumë qartë rëndësia që Tinka i ka dhënë planit të dytë. Si shembulli më i  mirë është momenti kur Murrashi flet me Lekën në sy të Tuçit  për Loken, aty Tinka hesht dhe vetëm me sy, me mimikë ajo “shprehet” në mënyrë të përsosur atë që ndien.

  Ato ditë, autori i dramës, Kolë Jakova, i dërgoi një letër përshëndetëse kolektivit të teatrit “Migjeni”,  ku shprehet me fjalët më të ngrohta për kënaqësinë që ka ndierë familjarisht, duke parë këtë shfaqje dhe tingëllimin e ri të saj në krahasim me vëniet e mëparshme në skenë.

  Për shfaqjen ai shprehet kështu:  “…unë mendoj se regjisori  Serafin Fanko ka bërë një punë shumë të mirë në këtë drejtim. Ai ka interpretuar pikërisht mendimet e mia. Ai i është larguar ca çasteve sentimentaliste që kishin regjitë e përparshme. Vetë shprehja e Lokes: “Në shtëpinë time askush nuk guxon me qa sonte”, shpreh mendimin tim se drama nuk pranon lot e kuje, por dhimbje krenare….Por unë dua të falënderoj në mënyrë të veçantë aktoren Tinka Kurti, për interpretimin me aq forcë shpirtërore të rolit të Lokes….është një krijim krejt i ri, i cili njëherit është Loke me të gjitha tiparet e rolit. Shumë më kanë pëlqyer edhe Rikard Ljarja në trolin e vështirë të Lekës….Ymer Bala në rolin e Murrashit… Ndrekë Prela në rolin e Gjergj Bardhit , etj……Më kanë bërë përshtypje vajzat e mia, që nuk e kanë parë ndonjë herë këtë dramë. Ata i kishin vazhdimisht sytë me lot. Të nesërmen mora vesh se një gjë e tillë kishte ngjarë kudo, në të gjitha familjet e Tiranës

…Ju përshëndes…Kolë Jakova”.

  1. 3.        Një kujtim që flet shumë

Tashti që po shkruaj për rolin e Lokes te “Toka jonë”, të cilin Tinka e luajti në mënyrë të shkëlqyer, më kujtohet një nga netët e shfaqjes, që kam qenë i tronditur si asnjë herë tjetër gjatë kohës kur punova në teatër.

Nga ana e Komitetit të partisë së rrethit kishim marrë një porosi që, të enjten mbrëma  të shfaqnim dramën “Toka jonë”, sepse vinte një kuadër shumë i lartë i asaj kohe dhe kërkonte që ta shihte këtë shfaqje. Nuk i di arsyet pse kishte dashur të shohë pikërisht këtë shfaqje, por me sa mora vesh më vonë, ia kishin pëlqyer në TV ku ai nuk e kishte parë. Shfaqja u planifikua për atë ditë. Por në mëngjes të së enjtes vjen lajmi se Tinkës i ka vdekur babai, Dedë Thani, që për një kohë të gjatë kishte qenë i burgosur në burgun famëkeq të Goli Otokut të Jugosllavisë. Vetëm për këtë fakt, për nderim të vuajtjeve të tij të tmerrshme, duhej të anulonim shfaqjen.

Nuk mund ta bënim një gjë të tillë, sepse urdhri ishte ndryshe. Unë isha në hall të madh. Nuk dija si të veproja. Nuk isha vënë ndonjëherë përpara provash të tilla të vështira. Si të veproja? Po të ishte një shfaqje e zakonshme, do ta kisha në dorë anulimin e saj. Por në këtë rast ishte krejt e pamundur për mua. Duhej të bisedoja me shefat e mi. Ndërsa ndodhesha në këtë dilemë, vjen lajmi:

Ka çuar fjalë Tinka që shfaqja të mos anulohet! Ajo vjen!

Kanë thënë se koha zgjidh dilemat më të mëdha të jetës së njerëzve. Por këtë dilemë nuk e zgjidhi koha, por vetë Tinka, me atë ndërgjegje të lartë e të pashembullt për punën dhe detyrën që kishte treguar gjithë jetën, por në këtë rast ajo tregoi madhështinë e saj

M’u duk se u çlirova pak nga ajo gjendje e rënduar shpirtërore dhe ngarkesë që më rëndonte mbi supet e mia delikate, që kishin një peshë më të rëndë se sa ç’mund të bartnin. Megjithatë nuk isha aspak i qetë.

Edhe pse ishte vetëm pak ditë mbas dhënies në TV, salla ishte plot e përplot me spektatorë.

E takova Tinkën kur erdhi në teatër. M’u duk vetja memec dhe nuk munda t’i thosha asnjë fjalë ngushëllimi, megjithëse atë e kisha kryer në shtëpinë e tyre, ku bëhej pritja.

Por më ndodhi diçka që nuk e kam harruar asnjëherë. Kur kalova nga xhepi i skenës, ndërsa po zhvillohej shfaqja dhe Tinka në atë moment ndodhej jashtë skenës, hodha sytë nga ajo. Pashë dy sy që  digjeshin si eshkë e depërtonin fuqishëm në thellësi e mua m’u dukën si të egërsuar, që më futen në një gjendje shumë të rëndë. Më dukej se ata dy sy po më drejtoheshin mua dhe po më qortonin pse e solla këtu. Megjithëse e kuptoja gjendjen e saj shpirtërore shumë të rënduar, ata dy sytë e saj m’u duken si shigjetë që më ishin lëshuar në atë mënyrë që unë nuk mund t’i duroja.

Në mënyrë të rrufeshme më përshkoi trurin një shprehje kineze: “Çaji i ftohtë pihet, pilafi i ftohtë hahet, por vështrimi i ftohtë nuk durohet”.

Për të qetësuar veten, mendja më shkoi tjetërkund. Mos vallë ajo këtë ashpërsi të syve të saj ia drejtonte atij të “madhit” që e kishte “detyruar”të vinte në shfaqje e ai vetë nuk kishte ardhur?

Por Tinka Kurti në atë moment kishte qenë në rol dhe shprehte gjithë urrejtjen ndaj së kaluarës së Lokes dhe vuajtjeve që kishte kaluar.

Atë moment unë kisha gabuar në gjykimin tim.

Tinka,  e lodhur shpirtërisht e fizikisht, realizoi atë natë një Loke të përsosur. Ajo e dominoi skenën në atë mënyrë, që të mos ndjehej asgjë nga gjendja e saj reale, edhe pse spektatorët ia dinin hallin.

Mbasi u mbyll sipari dhe aktorët qëndruan në mes të skenës si të topitur e në heshtje, si asnjëherë, Ymer Bala, që luante Murrashin, foli i pari:

– Nuk e kam ndjerë veten kurrë më të lodhur se sonte.

– Po, ke të drejtë Ymer, sepse ti shikoje Tinkën sy në sy, kurse unë nuk e çova një herë kokën ta shikoj. Shyqyr që ishte “Toka…”, se nuk e di si do ta kisha përmbajtur veten në një shfaqje tjetër, – foli pas pak Rikard Ljarja, që luante Lekën.

Artistët e mëdhenj  e mposhtin hallin e vet kur janë përpara spektatorit.