Tifozët e Ballkanit, një histori urrejtjeje dhe dhune

623
Sigal

Tifogrupet e të gjitha vendeve të gadishullit provokojnë gjithmonë me djegie flamurësh

 Ballkani mbetet një vatër e trazuar, jo vetëm për shkak të tendencave të theksuara nacionaliste me sfond politik, por dhe qëndrimeve të tifozëve në shkallët e stadiumeve, ku agresiviteti  tejkalohet nga ultrasit, e ku nuk mungojnë djegiet e flamujve, sherre midis grupimeve kundërshtare, të cilat shpesh kanë përfunduar edhe me vdekjen e tifozëve të ekipeve kundërshtare. Historia e grupeve ultras dhe tendencës së sjelljeve të tyre – këtu përjashtohet koreografia spektakolare e tifozëve gjatë ndeshjeve  – është e njohur për rivalitetin ndaj tifozëve kundërshtarë, me synimin për t’i poshtëruar apo dominuar mbi ta. Edhe pse gjerësisht qëndrimet e ultrasve janë apolitike, në raste të caktuara ato janë të lidhura me politikë, qoftë të krahut të majtë apo të djathtë. Çështja të tilla si racizmi, anti-racizmi, nacionalizmi apo dhe anti-kapitalizmi kanë qenë të pranishme në stadiume. Nga ana tjetër, grupet ultras kanë qenë tradicionalisht kundër komercializimit të futbollit. Veçanërisht në vendet e Europës Qendrore, Lindore apo dhe Jugore, nacionalizmi ka qenë një element thelbësor në qëndrimet e grupeve ultrase. Ultrasit shpesh shfaqin flamuj, banderola dhe këndojnë këngë duke treguar lidhjen e tyre me rajonin apo vendin e tyre. Nacionalizmi etnik është gjerësisht në shtetet e Ballkanit, ku ultrasit ndihmojnë të mobilizojnë e nxisin ndjenjat e tyre, e që reflektojnë ndasitë e thella midis këtyre vendeve, sidomos të atyre që janë përshirë në luftërat e fundit të Ballkanit. Në Serbi, fansat e “Crevena Zvezdës, “Delija”, dhe ata kroatë të Dinamos së Zagrebit (Bad Blue Boys – Djemtë e Këqij Blu) janë më të famshmit në këtë aspekt. Krenaria rajonale është e dukshme në grupe të ndryshme ultras rreth e qark Europës Qendrore dhe Lindore. Tifozët e klubit qipriot, APOEl, gjithmonë shfaqin flamuj grekë dhe këndojnë këngë për të treguar nacionalitetin e tyre grek. Fansat e klubeve polake nga Silesia (GKS Katovice, Ruch Chorzov, Polonia Bytom, Gornik Zabrze) e shfaqin në mënyrë krenare lidhjen e tyre me rajonin. E njëjta gjë ndodh edhe me klubet nga Çekia, Prague–Sparta e Pragës, Silesia, Banik Ostrava dhe Opava. Në librin e tij, “Si futbolli shpjegon botën”, Franklin Foer, përshkruan rivalitetin midis serbëve dhe kroatëve, si një “armiqësi të re, apo të vjetër, një armiqësi që mund të shihet dukshëm në stadiumet e futbollit”. Fansat e futbollit këndojnë këngë që kujtojnë ngjarje apo evokojnë momente të caktuara, e sidomos “kasaphanat” midis dy vendeve gjatë Luftës në Jugosllavi. Ultrasit e Crevena Zvezdës së Beogradit, “Delije” (Heronjtë), formojnë bazën e “Tigrave” të Arkanit, një grupimi serb paraushtarak, i cili është implikuar në shumë akte terrori gjatë Luftës në Jugosllavi. “Tigrat” dhanë një shfaqje dramatike gjatë derbit të Beogradit, Crevena Zvezda-Partizan, më 22 mars 1992, duke kujtuar Vukovarin, dhe çdo qytet tjetër kroat të pushtuar nga ushtria serbe. Arkan ishte drejtuesi tifozëve të Crevena Zvezdës. Në ndeshjet e mëpasshme, pasi ushtria serbe ishte tërhequr nga Vukovari i pushtuar, fansat kroatë shfaqën shenjat “Vukovar”, për të nderuar qytetin e tyre dhe kënduan këngën e famshme: “Vukovar! Vukovar!”. Kur Bosnjë-Hercegovina luajti një ndeshje miqësore kundër Kroacisë, në gusht të vitit 2007, fansat kroatë formuan me trupat e tyre simbolin e germës “U”, duke kujtuar vrasjet në masë nga lëvizja fashiste e Ustases, përgjegjëse për vrasjet në masë të serbëve, çifutëve dhe romëve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe boshnjakëve gjatë Luftës së Jugosllavisë. Kjo provokoi edhe një nxitje të tensioneve etnike në Bosnjë midis kroatëve dhe boshnjakëve. Aksionet e tifozëve ultras mund t’i kalojnë limitet e lejuara të sjelljes sportive, teksa shpesh influencohen me qëndrime radikale raciste apo dhe qëndrime ideologjike me nëntekst politik, siç ishte rasti i fundit i tifozëve serbë në Xhenoa të Italisë. Derbit midis skuadrave të të njëjtit qytet shfrytëzohen në mënyrë maksimale nga ana e ultrasve. Ky tip tifozi, i organizuar në grupe fansash të identifikuar, u shfaq fuqishëm në Itali gjatë viteve 1960, kur klubet e futbollit reduktuan çmimet e biletave në disa zona të caktuara të stadiumeve. Përpara ndeshjeve të mëdha, shumica e grupeve ultra përgatisin koreografi me përmasa të mëdha, kur ekipet hyjnë në fushë. Në varësi të madhësisë, bazuar dhe në kapacitetin financiar të grupit, shfaqja koreografike e ultrasve paraqitet pikërisht në seksionin që është ulur grupi. Shpesh pjesë të vogla letre apo plastike mbahen në duar për të krijuar një imazh të paracaktuar, në të cilën ka figura apo mesazh. Materiale të tjera janë balonat, tullumbacet, banerat e mëdhenj, fishekzjarrët, bomba tymuese, madje dhe kukullat gjigante. Paraqitjet për ndeshjet e mëdha, shpesh nisin disa muaj më parë. Janë nga më të çuditshmet përsa u përket mesazheve që përmbajnë dhe përcjellin. Ka thirrje motivuese për skuadrën e zemrës, por dhe fyerje ironike për kundërshtarin. Grupet ultras këndojnë më zë të lartë gjatë gjithë ndeshjes, dhe çdo grup ka disa këngë tipike të tyre që këndon. Meloditë janë nga këngët më popullore. Në shumicën e rasteve, lideri i grupit përdor një megafon, duke koordinuar të gjithë aktivitetin e grupit, përfshirë këngët, sharjet dhe banerat që ekspozohen. Faqet e internetit luajnë një rol të madh në lëvizjet e ultrasve.

 Serbi-Greqi, miqësi edhe midis ultrasve

 Miqësitë midis grupeve ultras të vendeve të ndryshme bazohen në kultura të ngjashme. Kështu, Crevena Zvezda e Beogradit ka miqësi me Olimpiakosin e Athinës, Partizani i Beogradit me PAOK-un e Selanikut. Shpesh ata shfaqin banera dhe flamuj me mbishkrimin “Vëllezrit Ortodoksë”, duke dëshmuar lidhjen fetare midis tyre. Një miqësi e tillë ekziston edhe midis klubit çek, Banik Ostrava, dhe atij polak, Katovice.

Shqiptarët e Maqedonisë rrahin serbët e Malit të Zi

 Më 16 tetor të këtij viti, një grup prej dhjetë huliganësh serbë u rrahën nga dhjetëra të rinj shqiptarë, në afërsi të Çarshisë së Vjetër të Shkupit. Serbët, tifozë të kombëtares serbe të futbollit, të cilët kishin  mbërritur në Shkup për të ndjekur ndeshjen Maqedoni-Serbi, ishin nisur drejt Çarshisë me qëllim që të provokojnë shqiptarët, ndërkohë që rrugës për në këtë pjesë, kishin filluar të bërtasin fyerje antishqiptare dhe anti-Kosovë. Me këtë rast, të revoltuar nga provokimi, dhjetëra të rinj shqiptarë dhe kalimtarë të rastit, filluan të godasin serbët, të cilët pasi kanë marrë goditje të shumta, kanë ikur në drejtim të sheshit të Shkupit. Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë informoi më pas se, dy tifozë serbë, për shkak të lëndimeve të rënda trupore, u dërguan në Spitalin e Qytetit të Shkupit. Dy serbët ishin nga Podgorica e Malit të Zi.

 Lirohet Haradinaj, serbët djegin flamurin shqiptar

 Tifozët serb të skuadrës së Radit nga Beogradi e kanë djegur flamurin shqiptar gjatë ndeshjes me Radnickin në Nish në takimin e javës së 15-të të Superligës serbe. Në këtë mënyrë tifozët serbë kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për shkak të lirimit të Ramush Haradinajt nga Gjyqi i Hagës. Ky gjest i anëtarëve të “Junajted Forsa” në fillim të pjesës së dytë gjeti mbështetje edhe tek tifozët e Radnickit, “Meraklije” dhe të gjithë të pranishmit tjerë. Para pak kohësh tifozët e Radit kishin djegur edhe flamurin kroat dhe të Bashkimit Europian.

 “Majmunët” maqedonas kundër “Ballistëve” të Tetovës

 Tifozët maqedonas e kanë treguar shëpesh se nuk kanë aspak  respekt jo vetëm për simbolet e vendit të tyre fqinjë, Shqipërinë, por me harbutërinë që i karakterizon “shulet”, janë shndërruar në më problematikët e Europës. Gjatë ndeshjes miqësore Maqedoni-Shqipëri (0-0), të luajtur, më 16 tetor të vitit të kaluar, në stadiumin “Goce Dellcev” të Prilepit, ultrasit maqedonas nuk i kanë kursyer fyerjet e tyre kundrejt Shqipërisë. Të njëjtat skena kishin ndodhur edhe në dy ndeshjet e mëparshme, të zhvilluara po në Prilep, më 26 prill 2000 dhe 20 gusht 2003.

Grupi i tifozëve maqedonas “Majmuni” gati gjatë gjithë ndeshjes ka brohoritur duke sharë shqiptarët, ndërsa një nga parullat që janë dëgjuar më së shumti ka qenë: Ubij shiptar (vrit shqiptar) dhe të tjera parulla fyese ndaj flamurit tonë, të tilla si ‘Shqiptar i vdekur është shqiptar i mirë’, ‘Dhoma gazi për shqiptarët’, ‘Lufta për çlirim’, etj.. Grupimi i tifozëve nga Tetova “Ballistët” ka mbështetur kuqezinjtë gjatë gjithë takimit, ndonëse kanë qenë shumë herë më pak se maqedonasit. Një nga ngjarjet, që mori përmasa ndërkombëtare ka të bëjë me ultrasin serb, Ivan Bogdanov, i cili dogji flamurin shqiptar gjatë ndeshjes Itali-Serbi, më 12 tetor 2010 në Gjenovë. Pasi u lirua nga burgu italian përfundoi sërish në burg, por tani në Beograd. Ai u dënua me 3 vjet e 3 muaj burg, por aktualisht është liruar. Përveç tij në burgun e Smederovos, përfunduan edhe tre ultras të tjerë: Srdan Jovetic u dënua me dy vjet e gjysmë; Daniel Janjic me dy vjet e tetë muaj dhe Nicola Klicovic me tre vjet. Pas incidenteve, UEFA vendosi që Serbia të luajë një ndeshje me dyer të mbyllura dhe një tjetër me kusht dhe i akordoi një fitore 3-0 në tavolinë Italisë.