Fitim Çaushi: Qemal Stafa, antifashisti me përmasa Evropiane

17
Sigal

Monstruozitete të llahtarshme kemi dëgjuar dekadat e fundit kundër të vërtetave historike, që përfshijnë epokën e lavdishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare  dhe ndërtimin e socializmit, ndonse të dyja periudhat u shoqëriuan me sakrifica madhore dhe përkushtime kolosale në Industri, Bujqësi dhe transforime social-kulturore, që nuk do të përsëritet ndoshta edhe për një shekull. Mbi të gjitha përgojohen dhe falsifikohen heroizmat bazë, të bijve të popullit që dhanë jetën në moshë të re për lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e këtij vendi.

Pa asnjë përgjegjësi dhe korrektesë njerëzore, nga pseudointelektual dhe njerëz me ndërgjegje të errësuar dhe të kalbur kanë deklaruar, se Qemal Stafa gjatë rrethimit fashist, “vrau veten” apo edhe më keq, e “ka spiunuar” Enver Hoxha! Qemal Stafa bën pjesë ndër ata antifashistë të Luftës së Dytë Botërore, si: Ernest Telman, Hoze Marti, Antonio Gramshi, Niko Bellojani, Frederiko Zholio Kyri, Julis Fuçik, etj, që i dhanë popujve shpirtin dhe zjarrin e qëndresës popullore kundër bishës naziste.

Qemal Stafa e kaloi rininë e tij në qytetin e Shkodrës. Nën presionin e zhvillimit të situatës politike ndërkombëtare në radhët e studentëve të Shkodrës kishte filluar një lëvizje përparimtare në vitet 1935-1936. Kjo u kurorëzua me formimin e shoqërisë “Besa Shqiptare”, e cila zhvillonte një aktivitet kulturor me karakter përparimtar dhe ushqente në anëtarët e saj idetë antizogiste dhe revolucionare. Këto ide formoheshin nën ifluencën e ngjarjeve në Spanjë, me leximin e librit “Nëna” të Gorkit, të revistës “Bota e Re” e tjera dhe sidomos me lajmet që dëgjoheshin për B.S. Këtë shoqëri e drejtoi për një vit e ca Qemal Stafa deri sa u largua. Kjo lëvizje shërbeu si bazë ku u zhvillua më von aktiviteti  i grupit komunist të Shkodrës, ndër të cilët: Qemal Stafa, Vasil Lazari, Xhemal Mbroja, Vojo Kushi, Sadik Bekteshi, Nazmi Rushiti, Tom Kola, dhe Emin Duraku. Studentët e Gjimnazit të Shkodrës ushtronin influencë ideologjike edhe në Durrës: Niko Afezolli, Galip Ballku, Pipi Bakalli, Sul Baholli, Hajdar Dushi. Në Tiranë: Vasil Shanto, Kristo Themelko, Jovan Bajraktari, Mit Bezhani e tjerë punëtorë e zanatçinj. Ollga Plumbi, Selfixhe Broja, Nexhmije Xhuglini, Fiqrete Sanxhaktari, Drita Kosturi e studente të tjera nga të Institutit Femënor si edhe një numur të konsiderueshëm nxënësish nga Liceu i Tiranës. Në Gjirokastër:  Muzafer Asqeriu, Bajram Sinoimeri, Velo Bakiri, Xhafer Vokshi dhe disa studentë të tjerë që janë transferuar nga Liceu i Shkodrës në atë të Gjirokastrës. Në Elbasan: Sami Baholli, Fadil Hoxha etj. Në Fier: Sokrat Bufi etj.

I mbrujtur me ndjenjën e lirisë, barazisë dhe dashurinë për popullin e tij, Qemal Stafa burgoset nga qeveria e Ahmet Zogut dhe në gjyqin kundër tij, prokurori deklaronte: “Zoti kryetar e zotërinj gjyqtarë. Nuk duhet të harrojmë kur u pyet nga ana e juaj, Qemal Stafa deklaroi, se asht “komunist i bindur dhe i deklaruar dhe se vetëm bolshevizma do ta shpëtoj masën e shoqërisë që sot ndodhet e shtypun.” Cila klasë shoqërore z. gjyqtarë ndodhet sot e shtypun në vendin tonë, simbas mejtimit të Qemal Stafës? I pandehuri nuk di në të vërtetë gjendjen e sotme, se në mbretninë shqiptare janë në fuqi ligje që ndihmojnë çdo klasë shoqërore të ligjshme. Në gjithë botën e qytetëruar idenat dhe teorinat komuniste, jo vetën ndiqen me rreptësinë më të madhe të ligjeve që kanë në fuqi shtetet, por edhe shtypen pa më të voglën mëshirë prej qeverisë përkatëse, sepse janë shkatërrimtare, si për popullin ashtu edhe për shtetin…Prandaj të nderuar gjyqtarë, duhet që edhe në vendin tonë të tilla theorira, shkatërimtare të komunizmit, jo vetëm që nuk duhet t’i tolerojmë, por duhet që t’i shtypim e t’i zhdukim sipas dispozitave ligjore në fuqi…” (AQSH, F. 658. d. 7, f.51)

Në janar 1939, Gjykata e posaçme për Faje Politike, e burgos Qermal Stafën në burgun e Tiranës. Koha provoi se nuk ishte komunizmi, ideologjia që shkatërroi njerëzimin, por ishte kapitalizmin me pjellën e tij fashimin, që  shkatëroi botën, klasat dhe vet shtetet kapitaliste. N/punësi i burgut të Tiranës, Myrteza Bajaziti, më 27 shkurt 1939, njoftonte Prefekturën: “Iu dorzuam adjutanitit të Qarkut  këtushëm, toger Stavro Jahos, 49 të burgosur politik për t’i shoqëruar në prefekturën e Beratit. Në këtë listë midis të tjerëve ishin edhe: Vasil Shanto, Gjovalin Luka, Muzafer Asqeri, Jorgji Shuteriqi, Qemal Stafa, Tuk Jakova, Emin Duraku, Sadik Bekteshi, Sadik Stavaleci, Nazmi Rushiti, Bajram Sinoimeri, Ndoc Mazi, Kristo Themelko, etj.” (AQSH, F. 658, d. 11, f. 2)

I ndodhur përherë në suvrejim, Qemal Stafa konsiderohej i rrezikshëm për propagandën e tij mes të burgosurve në Brezhdan të Beratit. Më 28 mars 1939, Ministri i Brendshëm  urdhëron Prefekturën Berat: “I burgosuri politik Qermal Stafa, që ndodhet në Brezhdan, të dërgohet në  burgun e Tiranës dhe të na njoftohet nisja e tij”. (AQSH, F, 658, d. 7, f. 2). Po në këtë datë, N/ punësi i burgut, Myrteza Bajaziti, njoftonte Prefekturën e Tiranës: “U muar në dorzim i burgosuri Qemal Stafa dhe u vendos në burg në një dhomë të veçantë nga të burgosurit e tjerë.” (AQSH, F. 658, d. 7, f. 62) Dhuna dhe shantazhet mbi Qemalin kanë qenë të egra, por ai as u thye e as dekonspiroi shokët dhe bazat e lëvizjes komuniste.

Më 8 prill kapitullon shteti shqiptar, Mbreti Ahmet Zogu arratiset dhe e lë popullin nën pushtimin fashist. Hapen burgjet dhe Qemali me shokë del nga burgu. Duke ecur në korridorin e burgut, për të dalë në rrugën e lirë, një xhandar e plagos, (AQSH, F.658, d. 26, f. 9). Pavarësisht këtij incidenti, Qemali vazhdoi rrugën e tij revolucionare, sepse e gjithë bota i pa qartë fashistët, të cilët nuk  i përfillën  ligjet e “qeverive demokratike” dhe  të mbretnisë shqiptare. Fashistët nuk pyetën as për klasat shoqërore “të ligjshme”, as për shtetet, me idetë e tyre antikomuniste, i vunë zjarrin popujve, pak kohë më vonë, pas fjalës lapidare të Qemal Stafës në gjyq. Lufta e Dytë Botërore dëshmoi, se ishin ligjet e botës shfrytëzuese, që u bënë shkatërrimtare, si për popullin ashtu edhe për shtetin, dhe jo idetë e Qemal Stafës. Në të dy regjimet, si në regjimin e Zogut edhe në pushtimin fashsit, Qemalit i ra fati i keq të ndodhej vazhdimisht në suvrejim dhe të përndiqej përditë nga pushteti zogist dhe ai fashist.

Qemal Stafa qysh në fillim iu përkushtua lëvizjes antifashiste dhe ngritjes së rinisë shqiptare në Luftën e Dytë Botërore. Më së miri këtë e vërtetojnë dokumentet e Arkivit Qendror të Shtetit: Organizatori i policisë së qeverisë së Tiranës, fashisti  A. La Verde, më 29 mars 1940, njoftonte Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë: “Qemal Stafa, sikurse na është thënë, është akuzuar tri herë përpara gjykatës, ndërkohë ai kishte deklaruar, se ishte komunist. Për këtë motiv u arresua dhe pastaj u internua.” (AQSH, F. 555, d.44, f. 14)

Në AQSH, lexojmë, se Qemal Stafa ka qenë elementi më i kërkuar prej qeverisë fashiste, ishte ai që kishte shqetësuar strukturat e qeverisë kolaboracioniste dhe jerarkët e lartë fashistë, prandaj  më 30 tetor 1941, Ministri i Brendshëm, urdhëronte Shefin e Zyrës politike: “Të pyetet Prefektura e Elbasanit, se ku ndodhet Qemal Stafa, në qoftë se ndodhet në Elbasan ta mbajnë në suvrejim …”(AQSH, F. 658, d. 11, f. 2)

Qemal Stafa përndiqej nga fashistët, pasi ishin komunistët që po e ngrinin popullin në luftë kundër pushtuesit të huaj. Një vit më vonë, më 3 nëntor 1941, Kuestura e Tiranës njoftonte Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, se “Qemal Stafa është i pagjetshëm dhe për pasojë nuk është realizuar arrestimi i tij.”( AQRSH, F, 555, d. 44/6, f.8) Dhjet ditë më vonë, më 13 nëntor 1941, Kuestori K. Qafmolla, i përgjigjet Drejtorinë Qendrore të Policisë: “Qemal Stafa ka arritur në këtë aeroport nga Poggia, më datën 29 mars, dhe asht nisur më datën 6 maj. Hetimet e zhvillueme për kapjen e tij kanë dhanë përfundim të kundërt” (AQSH, F. 658, d. 12, f. 20)

Qemal Stafa në kushte ilegaliteti të forta, pas marrjes pjesë në formimin e PKSH, më 23 Nëntor 1941, merr pjesë në formimin e Rinisë Komuniste Shqiptare, si organizatori krysesor i saj.  Për suvrejimin dhe urdhër-arrestimin e Qemal Stafës, Drejtori i Policisë, Zef Kadare, një ditë më vonë pas formimit të Rinisë Kmunste Shqiptare më 24 nëntor 1941, njoftonte Mëkëmbësinë e Përgjithshme Mbretnore: “Mbas arrestimit që i asht ba Drita Kosurit, më 3 të këtij mueji në Tiranë, ishte takue me Qemal Stafën, i cili nga kërkimet e kujdeshme nuk gjendet në banesën e tij…U urdhuen hetime më të imta…U telegrafue kuestura e Romës që të ketë kujdes, se ai mund të ndodhet ende në Itali e tue lutun që t’iu japin instruksione S. B për ndalimin e tij.”( AQSH,  F. 658, d. 5, f. 9)

Me inicialet S.B. kutojmë agjentin që paguhej për ta spiunuar Qemal Stafën. Po këtë ditë Lugotenca e Përgjithshme njofton Romën: “Kërkimet për Qemal Stafën dolën të pa frytshme në shtëpinë e tij në Tiranë dhe kërkimet u shtrinë edhe në provoncat e tjera të Mbretërisë.” (AQSH, F. 153, d. 80, f. 27) Sikundër shihet, komunisti Qemal Stafa ishte shqetësim edhe për Romën. Po në datën 24 nëntor 1941, gjeneral Meloni i telegrafon Drejtorisë së Përgjithsme të Policisë Tiranë dhe Luogotencës: “Të intensifikohen kërkimet për gjurmimin, ndalimin dhe shoqërimin për në Romë, të studentit shqiptar Qemal Stafa, të cilit Ministria e Brendshme i kushton rëndësi të veçantë.”( AQSH, F. 555,d. 44/d, f.445)

Qemal Stafës i kushtohej rëndësi e veçantë nga vetë Ministria e Brendshme në Romë, sepse potencialet e tij intelektuale dhe organizative, ishin baza e ngritjes së rinisë shqiptare në luftën antifashiste. Vetë Ministria e Brendshme i kushtonte rëndësi të veçantë komunistit të rrezikshëm Qemal Stafa dhe kërkon ta përcjellë në Romë për hetime të specializuara.  Për ta realizuar me doemos këtë objektiv, po në datën 24 nëntor 1941, Kryesia e Këshillit të Ministrave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, u dërgojnë kuesturave të vendit, qarkoren për arrestimin e Qemal Stafës, për të cilin Ministria e Brendshme italiane, “ka shti në dorë prova me rëndësi të posaçme.”( AQSH, F. 555, d. 44/g. f. 4)

Ndërkohë më 26 nëntor 1941, Prefekti i Elbasanit, njoftonte Ministrinë e Brendshme: “Ju njoftojmë se Qemal Stafa ndodhet në Firence, ku vazhdon studimet universitare…Edhe vëllai i tij, i quajtur Alaudin, ka qenë denoncue nga ana e karabinierisë si propagandist kundër regjimit të sotëm.” (AQSH, F.658, d. 11, f. 4) Sekretari i Përgjithshëm i Luogotencës, më 16 mars 1942, njofton Drejtorinë e Përgjthshme të Policisë: “Ju njoftojmë se Qemal Stafa e Drita Kosturi të dënuar më 15 nëntor të vitit të kaluar në Gjyktën e Posaçme të Romës, për veprimtari komuniste, janë lirue gjatë hetuesisë me vendim të 12 janarit për mungesë provash.”( AQSH, F. 555, d. 44/d, 451)

Sikundër shihet, për Qemal Stafën, ka patur një vendim dënimi të Gjykasës së Posaçme të Romës, për veprimtari komuniste, me të cilën nënkuptojmë veprimtari antifashiste. Përse ky lirim? Fashitët e kanë liruar atë për të vëzhguar dhe zbuluar shokët e tjerë organizatorë të Lëvizjes Antifashiste në Shqipëri.  Kuestori Papalio më 5 maj 1942, i dërgon telegram Avokatit të Përgjithshëm të Madhërisë së tij Mbretit Perandor pranë gjykatës ushtarake të Forcave të Armatosura të Bashkuara të Shqipërisë dhe për njoftim  Prokurorisë së shtetit, Prefekturës Mbretëtore, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë: “Rreth orës 14.00 të ditës së sotme  gjatë një operacioni të papritur, në një shtëpi që ndodhet në rrugën Zymi, e mbajtur me qira prej Beqir Vanit, i arrestuar sot në mëngjes për hetime të policisë. Policia dhe agjentët kanë gjetur rezistentë nga ana e disa personave, duke u orvatur të ikin për t’i shpëtuar arrestimit. Janë hedhur kundra agjentëve të policisë tri bomba dore eksplozivi pa konseguencë dhe janë zbrazur shumë fishekë revolveri gjithashtu pa konseguencë. Agjentët janë përgjigjur me armë, duke vrarë komunistin Qemal Stafa. Janë arrestuar, duke u përpjekur të ikin me Qemal Stafën dhe me një tjetër person akoma të paidentifikuar: Drita Kosturi ish studente, Gjystina Safa, bashkëshorte e Zef Ndojës dhe Maria Leshnja”. (AQSH, F. 153, d. 255, f. 2)

Dokumenti e shpreh qartë qëndresën luftarake të Qemal Stafës dhe Kristo Thelekos: “Janë hedhur kundra agjentëve të policisë tri bomba dore eksplozivi dhe janë zbrazur shumë fishekë revolveri. Agjentët janë përgjigjur me armë, duke vrarë komunistin Qemal Stafa”. Ky dokument nuk lejon mundësisnë për ta keqinterpretuar vrasjen e Qemal Stafës, sepse theksohet fakti: Qemal Stafa është vrarë prej fashistëve italianë në përpjekje luftarake. Këtë konkluzion e përforcon edhe informacioni një ditë pas vrasjes, më 6 maj 1942, i Kuesturës Mbretnore të Tiranës, drejtuar Kuesturës së Romës: “Ju komunikojmë lajmin e volitshëm që komunisti Qemal Stafa, i mbajtur gjithmonë si i pagjetshëm, u vra dje në një konflikt me forcën publike, ndërsa tentoi të kundërvepronte me bomba dore gjatë një operacioni të policisë në këtë vend.” (AQSH, F. 153, d.294, f. 129-130)

Këtu nuk ka vend për keqinterpretim të faktit dhe të realtetit. Kemi dy dokumente të vetë kuesturës fashiste dhe policisë,  që dëshmojnë se Qemal Stafa ka kundërvepruar me bomba dore dhe revolver kundër fshistëve dhe ata e kanë vrarë. Rëndësi ka fakti, se vrasja e Qemal Stafës i është raportuar direkt Romës! Kjo flet shumë për personalitetin e Qemal Stafës dhe staturën së tij madhore, shumë i rrezikshëm për fashizmin italian. Ja pse fashistët e liruan në Romë, për ta  rrethuar atë në flagrancë në Tiranë, që ai të tregonte bazën kryesore të PKSH, që udhëhiqte lëvizjen antifashiste. Një javë pas vrasjes, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Th. Stamata, më 12 maj 1942, njoftonte Kuesturën Mbretrore dhe Komandën Eprore: “Sami Baholli është një komunist aktiv, në Itali, ka ra në sy për propagandë ndër studentët, asht qortue e lirue prej gjyqit të posaçëm. Ka veprue në Itali në lidhje të ngushtë me të rrezikshmin organizator komunist, Qemal Stafa,  tash shpejt i vrarë”. (AQSH, F. 153, d. 367, f. 10)

Çuditërisht faktin e vrasjes së Qemal Stafës nga fashistët, e kanë pranuar edhe ballistët në Buletinin e tyre të marsit 1943, f. 7: “Me keqardhje më të madhe vajton populli shqiptar intelektualin më të ri… Rrethohet në një shtëpi të Tiranës … u vësul kundra milicëve, të cilët pamëshirë hidhen kundra Qemalit dhe e vranë afër lumit të Tiranës. Si vdes Jashar Cakrani? Përpara se të rreshtohet në çetën e Tefik Sfirit ka shkruar në qylaf me dorën e tij “Ja vdekje ja liri”! (AQSH, F. 270 APL, d. 62, f. 11)

Edhe ballistët, pavarësisht qëllimit demagogjik të tyre, për ta barazuar të vetmin dëshmor të Ballit Kombëtar, Jashar  Cakranin me sakrificën e komunistëve në luftën kundër pushtuesit të huaj, e vlerësojnë dhe e cilësojnë vrasjen e Qemal Stafës, jo si vetvrasje, sikundër tentoi ndonjë pseudointelektual, por si vrasje politike nga fashistët italianë.

Vrasja e Qemal Stafës i gëzoi fashistët, por edhe i tmerroi ata: më 13 maj 1942, një javë pas vrasjes, drejtori i Policisë së Shtetit, Th. Stamata, i dërgon Telegram urgjent Ministrisë së Brendshme dhe kuesturave të vendit: ”Edhe nga pohimet e vetë komunistëve, parashihet mundësia që shokët e tyre, akoma të lirë, për të hakmarrë gjakun e shokut të tyre Qemal Stafa e për zbulimin e organizatës, të tentojnë vepra  terroristike kundër komandave e personave shtetrorë”. (AQSH, F. 152, d. 294, f. 132) Ky parashikim i fashistëve italianë dhe bshkëpunëtorëve të tyre, rezultoi i saktë, sepse shokët e Qemal Stafës dhe rinia shqiptare, ia morën hakën atij dhe dëshmorëve të tjerë, të vrarë nga fashistët.

Ajo që ka rëndësi të theksohet, është se Qemal Stafa ka qenë në suvrejim çdo ditë dhe çdo orë, me lukuni spiunësh, agjentë të specializuar dhe preokupim të Ministrisë së Brendshme, kuesturave, prefekturave, jerarkëve fashistë që nga Roma, në Shkodër, Elbasan dhe Tiranë. Ky realitet, nuk ka pasur nevojë për ta dekonspiruar Qemal Stafën  Enver Hoxha, në drejtim të të cilit ka patur dy urdhërarreste si i dënuar me vdekje nga Gjykata e posaçme fashiste. (AQSH, F, 253, d. 243, f. 13,18)  Çdo shpifje dhe propagandë e sajur me qëllime politike për këtë ngjarje kaq të qartë, diskretiton vet shpifësit dhe tërë pasuesve të tyre.