Prof. Dr. Bardhosh Gaçe: “Epika e trimërisë së Zhulatit” dhe luftëtarëve të Labërisë

15
Sigal

“Epika e trimërisë së Zhulatit” e studiuesit F. Çaushi, përbën një qasje bashkëkohore të kulturës dhe historisë së Zhulatit, ai krijon premisa të reja studimi, hulumtimi, interpretimi dhe këndvështrimi, pasi është një libër i shkruar me një pasion të madh dhe ka një lloj akribie, të cilën e kanë pak libra të kësaj natyre. I gjendur para një praktike hulumtuese me burime të njohura dhe të panjohura, autori kërkon të na sjellë në vëmendjen tonë një lloj qytetërimi të hershëm, i cili për shkakun e themeleve të thella dhe të gurta, u ka mbijetuar kohërave. Mjaft e rëndësishme në këtë libër është tendenca e autorit për të krijuar udhë-vazhdimin e jetës dhe traditave kulturore, jetësore, luftarake, zakonore të zhulatasve, të cilët kanë ditur të unifikohen rreth vlerave të tyre që nga viti 165 p.e.s., ku ka dëshmi të krijimit të Zhulatit (d.m.th. pas rënies së Antigonesë së famshme), për t’u shndërruar në një fortesë të krijuar nga dora e njeriut (sipas Pukëvilit) që nga shekulli IV p.e.s., dëshmi të cilat mund të gjenden në burimet e hershme brenda dhe jashtë vendit, për shkakun e rolit që Zhulati ka luajtur në ngjarjet e rëndësishme të kohës.

Kodet sociale (të shoqërisë së kohës dhe nëpër kohë), d.m.th. marrëveshjet e çdo natyre qoftë, në paqe e në luftë, tradita e zakone nuk mund të krijohen kurrë jashtë një tradite qytetërimi, dhe në këtë rast, termi “qytetërim” ka të bëjë me elementët e qëndrueshëm etnologjik të njerëzve që nga lashtësia, të cilët i kanë ruajtur, zhvilluar dhe bërë funksionale, duke ruajtur identitetin. Ndërkaq, kjo trashëgimi e cila shpërfaq kohë të caktuara, fatmirësisht në Zhulat gjendet në një pasuri të rëndësishme folklorike dhe kulturë popullore, burimet më autentike për një kulturë të caktuar, për shkakun e natyrës që këto burime kanë, ndihmon për ta jetësuar realisht udhë-përshkimin e Zhulatit.

Studiuesi Fitim Çaushi e ka një nga tiparet e tij në punën studimore hulumtuese prurjen e burimeve të shkruara dhe burimeve të tjera. Libri për Zhulatin, në plotësinë e tij, qoftë në aspektin historik, kulturor, etnopsikologjik popullor, unitetin e brendshëm dhe reagimin ndaj ngjarjeve të caktuara, ndihmon shumë lidhur me kontekstin ku lindi dhe funksionoi Kanuni i Papa Zhulatit, kanun i cili zë fill krijimi i Kanunit të Labërisë.

Dëshmitë e shumta, përmes ngjarjeve të karakterit lokal dhe më shumë njoftojnë se ky kanun ka vepruar në Zhulat, por dhe në pjesë të tjera të krahinës së Labërisë gjatë epokës historike të Mesjetës. Këto dëshmi vijnë nga burime të ndryshme, të vendit dhe të huaja, madje dhe nga kujtesa popullore e brez pas brezi. Ndoshta, tregimet dhe tradita zakonore, jo vetëm në Zhulat, por në gjithë krahinat shqiptare që kanë pasur kanone (kanune të tillë), për shkakun e peshës e fuqinë që kishin në jetën e njerëzve, janë përcjellë dhe janë ruajtur mjaft mirë. Prania e një ligji të tillë, që gjatë periudhës historike të Mesjetës, na dëshmon në librin e autorit një trevë të unifikuar dhe identitare. Dhe kjo ka shumë rëndësi për Zhulatin.

Një vlerë jashtëzakonisht e rëndësishme në libër është pjesa historike e Zhulatit. Siç tregojnë dëshmitë që përcjell libri, Zhulati dhe Fushëbardha në çdo rast lufte nuk kishte kurrë më pak se 300 luftëtarë burra. E në këtë faqe, jo vetëm kujtesa popullore, këngët, rrëfimet, gojëdhënat, por dhe burime të tjera zbulojnë një traditë luftarake të përhershme të Zhulatit, i cili për shkakun e pozitës gjeografike, por dhe të traditës ka qenë e pranishme në të gjitha ngjarjet historike të Jugut. Zhulatasit janë luftëtarë të njohur. Vitet 1800, natyrisht vite që lidhen me ngjarje të rëndësishme në Ballkan, nxorën në skenë emra të njohura familjesh atdhetare (që Labëria nuk i ka pasur të pakta), luftëtarë, njerëz të dijes dhe kulturës, politikanë e atdhetarë, që çuan në plejadën e artë të Rilindjes shqiptare.

E kësaj kohe është dhe familja e njohur nga Zhulati, Gjoçaj, një familje e mbrujtur me burrëri, atdhetari, trashëgimi dhe luftëtarë të njohur. Familja Gjoçaj dhe burrat e kësaj dere, në një hapësirë gati një shekullore do të gjenden në zhvillimet e rëndësishme të Zhulatit, Jugut dhe Shqipërisë. Përveç një luftëtar i njohur, Mersin Gjoçaj, mori pjesë në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë dhe në mbrojtje të Qeverisë së Vlorës, ndërsa në Betejën e Skërficës kundër grekëve, ai kishte bashkëluftëtarë dy njerëzit më të rëndësishëm të luftës, Çerçiz Topullin dhe Sali Vranishtin.

Qysh në vitet 1911-1912, zhulatasit dhe Mersin Gjoça, u përfshinë në kryengritjet e mëdha antiturke të Shqipërisë së Jugut. ata, bashkëpunuan jo vetëm me Çerçiz Topullin, por edhe me Namik Delvinën, Riza Runën, Rakip Gjolekën, baba Ahmet Turanin, Dervish Himën, siç shkruan Mihal Grameno, krahas Mersin Gjoçës, ishin luftëtarë të sprovuar si: Vehip Aliko, Sulçe Kondi, Shaban Capa, Aliko Hila, Iliaz Kola, Murat Cama, Halil Sullo, Zeman Bineri e mjaft të tjerë. Pjesëmarrja e Mersin Gjoçës dhe luftëtarëve të Zhulatit dhe Fushëbardhës, në Kuvendin e Cepos, korrik 1913, në mbështetje të Memorandumit të Gërçës dhe kryengritjes së malësorëve të Veriut, i dha një gjallëri të madhe kryengritjes antiturke në Jug të vendit, në kërkim të Autonomisë Administrative të vilajeteve shqiptare nga Porta e Lartë. Mbrojtja e trojeve shqiptare nga copëtimi i monarkive të Ballkanit e çoi Mersin Gjoçën në beteja të tjera të përgjakshme me shovinistët.

Zhulati është pjesë e rëndësishme e historisë dhe etnokulturës së Labërisë, një krahinë e cila mbart një prurje të lashtë kulturore, etnografike, folklorike, mitologjike, të këngës polifonike dhe valles, të historisë dhe traditës popullore, e në këtë kontekst, libri i studiuesit Fitim Çaushi krijon një hapësirë të rëndësishme në hulumtimin, studimin dhe pasurimin e kësaj etnokulture, në thesaret e të cilës ende ka gjëra të mrekullueshme.

Historia e Zhulatit

Kronikat e vjetra për fshatin Zhulat dikur e përmendin atë me emrin Julius, diku Zhul, diku ndryshe. Sundimtarët bizantinë e më vonë venedikasit, jo aq shumë për vetë Zhulatin, por më shumë për pronat e banorëve të Zhulatit përgjatë bregdetit Jonian, fushat e luginës së Rrëzomës, e në gjithë pellgun e begatë të Delvinës. Historiani turk, Evlia Çelebi, shkruan se Zhulati ndodhet në një zonë të thellë malore, ka 200 shtëpi të vendosura pranë një fortifikimi natyror tepër mbrojtës. Shpatet e maleve dhe kodrave përreth tij ishin të mbuluara me vreshta. “Banorët e tij merren me shkëmbime të produkteve të zejtarisë me qytete të tjera brenda dhe jashtë krahinës… Kështjellën e Zhulatit e ka themeluar mbreti i Spanjës, kur këta banorë ishin aleatë të tij. Më vonë, me dredhi e shtiu në dorë Duka i Venedikut e më pas në shekullin e Bajazitit të shenjtë, e zaptoi Qedik Ahmet Pasha… Ajo ngrihet drejt qiellit në mënyrë madhështore… Kështjellë e pashembullt në bukuri, të cilës mund t‘i përngjasë ajo e Kordusit ose ajo e Benefshes në Peloponez” Kështu që nuk ishin të paktë të krishterët shqiptarë që braktisnin fenë e tyre dhe përqafonin islamin, në mënyrë që të mundësonin përfshirjen e tyre në shërbime të ndryshme me karakter ushtarak. Rasti i mbrojtësve shqiptarë të kështjellës së Zhulatit (fshat në rrethin e Gjirokastrës), të cilët ndërruan fenë pasi vetëm kështu mund të mbeteshin në shërbimin e lartpërmendur, është fakt tepër domethënës për atë çka u theksua më sipër