Ja kush kanë qënë shefat e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë pas Luftës së Dytë Botërore

22
Sigal

Spiro Moisiu, Mehmet Shehu, Beqir Balluku, Arif Mema, Petrit Dume, Sami Meçollari, Kiço Mustaqi, Kostaq Karoli, Ilia Vasho, Sheme Kosova, Adem Çopani….

 

Gazeta Telegraf

Gjeneral Spiro Moisiu (10 korrik 1943 – gusht 1946)

Gjeneral Spiro Moisiu, lindi në vitin 1900 në qytetin e Kavajës. Pasi mbaroi shkollën unike në qytetin e Kavajës dhe Durrësit, u dërgua për të ndjekur gjimnazin në Vjenë (Austri). Pas kthimit nga Austria aty nga viti 1918-1919, ai mbaroi një kurs disa mujor në Shkollën e Plotësimit të Oficerëve në Tiranë, e cila asokohe drejtohej nga instruktorë gjermanë e austriakë, ku mori gradën e nëntogerit. Një vit më pas, mori pjesë në përbërje të forcave qeveritare, që u caktuan në mbrojtje të Kongresit të Lushnjës dhe po atë vit ai u caktua në detyrën e shefit të Shtabit të Grupit në luftimet që zhvilluan në Kaptinë të Martaneshit kundra forcave serbe. Në vitin 1923, ai mbaroi në Tiranë kursin tjetër 1-vjeçar të oficerëve, që asokohe drejtohej nga ushtarakët gjermanë ku mori gradën e togerit. Në Kryengritjen e Qershorit të vitit 1924, Spiro u rreshtua përkrah ushtarakëve të komanduar nga kolonelët Rexhep Shala dhe Kasëm Qafzezi, të cilët u bashkuan me forcat fanoliste. Po kështu, në dhjetorin e ’24, Moisiu mori pjesë me forcat qeveritare që dolën në Shkallën e Tujanit për të penguar kthimin e Zogut. Në ’25 duke pasur parasysh aftësitë e tij si ushtarak tepër i aftë, kryeministri Ahmet Zogu e titulloi përsëri toger Moisiun, oficer në UKSH. Karriera e tij ushtarake erdhi në ngritje pas viteve ’30, kur ai mbaroi me rezultate të shkëlqyera në Tiranë Shkollën e Perfeksionimit të Oficerëve, që drejtohej nga instruktorët italianë (nga 43 pjesëmarrës renditet i pari duke marrë gradën e kapitenit). Në fund të ’40, dërgohet në krye të Batalionit “Tomorri” për të marrë pjesë në luftën italo-greke, por, nuk pranoi të luftonte dhe u tërhoq nga fronti së bashku me major Prenk Përvizin, duke nxitur kështu dezertimet në radhët e ushtarëve shqiptarë. Pas nxjerrjes në lirim, në vitet 1941-1942, Moisiu u vendos në zonat e Lushnjes e Beratit dhe hyri në lidhje me ish-ushtarakë të tjerë të Monarkisë që kishin filluar organizimin e ngritjen e çetave të para partizane. Duke pasur parasysh të kaluarën e tij të papërlyer dhe aftësitë e rralla si ushtarak i karrierës, në korrikun e vitit 1943, krerët e PKSH e thërritën atë në Labinot të Elbasanit ku dhe i propozuan detyrën e Komandantit të Përgjithshëm të UNÇ. Ai mbajti vetëm detyrën e komandantit të Shtabit të Përgjithshëm

Gjeneral/kolonel Mehmet Shehu (gusht 1946)

Gjeneralkolonel Mehmet Shehu, lindi më 10 janar 1913, në fshatin Çorrush të Mallakastrës. Në vitin 1932 përfundon shkollën teknike dhe shkon në Napoli për të studiuar në Kolegjin Ushtarak, ku përjashtohet për ide revolucionare. Largohet nga Italia dhe kthehet në Shqipëri ku burgoset 2-3 muaj në Tiranë. Me daljen nga burgu punon në fermën e Shkollës Teknike si traktorist. Ndjek Shkollën e Plotësimit të Oficerëve dhe titullohet në vitin 1937, ndërsa në dhjetor të atij viti shkon në Spanjë ku merr pjesë në Br12 Ndërkombëtare “Garibaldi”, dhe komandoi batalionin e IV të saj. Më 1939, pas çmobilizimit të vullnetarëve të huaj kthehet në Francë dhe qëndron në një kamp përqendrimi. Rikthehet në atdhe në gusht ’42 dhe caktohet sekretar organizativ i Qarkut të Vlorës për PKSh. Gjatë LANÇ ka qenë në shkurt 1943, komandant i Çetës Plakë të Mallakastrës; në gusht 1943, komandant i Br1S; në maj 1944, komandant i D1S me gradën kolonel dhe në tetor 1944 gradohet gjeneralmajor. Pas çlirimit dërgohet për studime në Bashkimin Sovjetik. Në periudhën 1945-1946 studion në AU “Voroshillov” dhe pas përfundimit të studimeve kthehet në Shqipëri, ku në vitin 1946, emërohet shef i SHP. Në periudhën 1948-1954 kryen njëkohësisht detyrën e zëvendëskryeministrit dhe atë të ministrit të Punëve të Bren-dshme;  kryeministër (1954-1981); ministër i Mbrojtjes (1974-1981). Njohës i pesë gjuhëve të huaja: anglisht, frëngjisht, italisht, spanjisht dhe rusisht.

 

Gjeneral/leitnant

Beqir Balluku (1952)

Gjeneral lejtnant Beqir Balluku, lindi më 14 shkurt 1917 në Tiranë. Studioi në Shkollën Teknike të Tiranës. U përfshi në lëvizjen komuniste gjatë kohës që kryente shërbimin ushtarak, 1940 deri 1942. Më 20 maj 1943, u caktua komandant i batalionit partizan “Krujë-Ishëm”, më 18 shtator 1943, komisar i Brigadës së Tretë dhe më pas komandant i Brigadës së Dytë Sulmuese. Më 28 janar 1948, ishte emëruar kryetar i Shtatmadhorisë së Ushtrisë. Kreu në Moskë, Akademinë Ushtarake “Voroshillov”. Në Kongresin e Parë të PPSH u zgjodh anëtar i Byrosë Politike dhe në vitin 1953, ministër i Mbrojtjes Popullore. Një vit më pas mori gradën më të lartë në Shqipëri, atë të gjeneral/lejtnant. Balluku ishte gjithmonë deputet i Kuvendit Popullor. Në korrik të vitit 1974, ai u akuzua si organizues i veprimtarisë puçiste ushtarake nga diktatura dhe u dënua me vdekje. U pushkatua më 5 nëntor 1975 për tradhti të lartë ndaj atdheut.

 

Gjeneral/leitnant

Arif Mema (1954)

 

Gjeneral/leitnant Arif Hasko Mema, lindi në Tërbaç të Vlorës dhe është njohur gjatë Luftës së Dytë Botërore për çlirimin e vendit me pseudonimin “Patrioti”. Pasi mbaroi filloren në vendlindje, vazhdoi shkollën tregtare në Vlorë. Ai ka udhëhequr gjatë LANÇ formacione të rëndësishme partizane që nga Vlora e deri në veri të Shqipërisë. Në dhjetor të 1943, inkuadrohet në Br1S duke kryer detyra të ndryshme deri komisar politik i kësaj brigade. Mbas çlirimit kryen Akademinë e Lartë të Shtabit të Përgjithshëm, në Bashkimin Sovjetik. Më vonë kryen detyra të larta si komisar divizioni, korpusi, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe zv/ministër i Mbrojtjes Popullore. Ai tërë jetën e tij qëndroi besnik i idealeve të LANÇ. Ai kreu detyrën e zv/kryetarit të Parë të Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ. Për kontributet e tij është nderuar me shumë urdhra e medalje të akredituara nga ish-Presidiumi i Kuvendit Popullor.

 

Gjeneral/leitnant

Petrit Dume (1956)

Gjeneral/leitnant Petrit Dume, lindi më 20 maj 1920, partizan, komandant brigade, komandant divizioni, Hero i Popullit (me vendim të qeverisë e Byrosë së PPSH) e më pas, në vitin 1974, u shpall Armik i Popullit (konsideruar si puçist). Deputet i arsimuar në dy akademi ushtarake sovjetike, shef i Shtatmadhorisë së Forcave të Armatosura Shqiptare, shefi më jetëgjatë në SHP. Ai ka qenë deputet në të gjitha legjislaturat. Në korrik të vitit 1974 u akuzua si organizues i veprimtarisë puçiste ushtarake dhe u dënua me vdekje. U pushkatua më 5 nëntor 1975 për tradhti të lartë ndaj atdheut. Eshtrat ju gjetën në verën e vitit 2001 pranë fshatit Vranisht të Vlorës.

 

Sami Meçollari (1974)

Sami Meçollari ishte shef i SHP për një periudhë të shkurtër. Në ’74 ka qenë drejtues i spikatur i formacioneve të mëdha ushtarake. Lindi më 10 mars 1937, në Marjan të Oparit (Korçë). Ka kryer shkollën “Skënderbej”dhe Shkollën e Bashkuar të Oficerëve (SHBO) me rezultate të shkëlqyera. U titullua oficer me gradën toger në shërbimin e kimisë. Në vitet 1961-1965 kreu Akademinë Ushtarake (AU), në vitet 1967-1968 kursin e lartë të kuadrove madhorë pranë AU. Në arsimin e përgjithshëm civil, krahas shkollës pedagogjike përfundoi edhe Fakultetin e Inxhinierisë në UT, Shkollën e Lartë të Filozofisë, etj. Në të gjitha shkollat ka merituar vlerësimin shkëlqyeshëm. Fillimisht shërbeu si shef i shërbimit kimik i batalionit në Berat, i brigadës në Peshkopi (1960-1963), i Korpusit në Shkodër (1965-1967), shef operativ i Korpusit Shkodër (1968-1970). Shef i Shtabit të Korpusit të Gjirokastrës (1970-1972), komandant i këtij Korpusi (1973-1974) deri sa u emërua shef i SHP të Ushtrisë Shqiptare. Në dhjetor ’74, u lirua nga ky post dhe u caktua komandant brigade, komandant i shkollës ushtarake të oficerëve rezervë në Zall-Herr (Tiranë) dhe mbyll karrierën si komandant i SHLU në Rrëshen. Në ’86 del në pension. Krijon organizatën e ushtarakëve “Pensionistë të liruar” (OUPLSH), duke u zgjedhur kryetar i saj (1991).

 

Veli Llakaj (1975-1982)

Veli Llakaj lindi më 18 shkurt 1935, në Kras të Tepelenës. Në vitin 1951 mbaron shkollën 7-vjeçare në vendlindje. Në vitet 1951-1954 punoi në gjeologji e tregti në Memaliaj. Në vitin 1954 shkon student në SHBO, të cilën e mbaron më 1957 me rezultate të shkëlqyera dhe i jepet grada më e lartë, toger. Me mbarimin e shkollës në vitin 1957 emërohet në SHBO komandant toge, detyrë të cilën e kryen deri në vitin 1960. Ndërkohë ka mbaruar dhe gjimnazin “Qemal Stafa”, po në Tiranë. Në vitet 1960-1963 punoi instruktor në Drejtorinë e Përgatitjes Luftarake në MMP; në vitet 1963-1966 kryen AU; në vitet 1966-1967 shef shtabi i Br5S Vlorë; në vitet 1967-1968 oficer drejtimi pranë SHP; në vitet 1968-1971 është komandant i BrLK, Tiranë; në vitet 1971-1972 në Akademinë e SHP dhe komandant i Korpusit të Burrelit; në vitet 1972-1974 komandant i Korpusit të Mbrojtjes Bregdetare, Fier; në vitin 1974 emërohet zëvendësministër i parë dhe shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, detyrë të cilën e kryen deri në vitin 1982. Më 13 tetor 1982 në Komitetin Qendror i bëhet gjyqi politik si “puçist” e bashkëpunëtor i Mehmet Shehut dhe dërgohet në Cërrik. Në vitet 1978-1982 deputet i zonës së Kurveleshit të Sipërm në Tepelenë. Në vitet 1975-1982, një nga 5 anëtarët e Këshillit të  Lartë të Mbrojtjes

Kiço Mustaqi 

(1982-shkurt 1991)

Kiço Mustaqi, ishte një ushtarak karriere i lindur në 22 mars 1938 në një fshat pranë Delvinës, Sarandë. Në detyrën e ministrit të Mbrojtjes vjen pasi kishte kryer detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare për nëntë vjet rresht. Në shkurt të vitit 1991 ngarkohet me detyrën e ministrit të Mbrojtjes të Shqipërisë në përbërje të qeverisë së kryeministrit Fatos Nano dhe që u largua nga detyra me dorëheqjen e qeverisë në qershor të po atij viti.

Kolonel Halim Abazi (shkurt-qershor 1991)

Kolonel Halim Abazi, lindi në dhjetor të vitit 1944 në Tërbaç të Vlorës. Ka kryer të gjithë llojet e arsimimit ushtarak shqiptar, të cilat i ka përfunduar me rezultate të shkëlqyera. Kështu në vitet 1953-1960 kreu studimet në shkollën ushtarake “Skënderbej”; në vitet 1960-1964 ka kryer Shkollën e Bashkuar të Oficerëve dhe në vitet 1970-1972 Akademinë e Mbrojtjes (AM). Ka kryer detyra të nivelit më të lartë në ushtrinë shqiptare, përfshi edhe ato në nivelet e shkollave ushtarake. Në shkurt-qershor 1991, u përzgjodh në detyrën e lartë të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare. Ka dalë oficer në rezervë në vitin 1993.

Gjeneral/major Kostaq Karoli

(qershor ’91-gusht ’92)

Gjeneral/major Kostaq Karoli, lindi në dhjetor të vitit 1945 në Korçë. Ka qenë ushtarak i talentuar, ka kryer të gjithë llojet e arsimimit ushtarak shqiptar, të cilat i ka përfunduar me rezultate të shkëlqyera. Në qershor 1991 deri në gusht 1992 ka kryer detyrën madhore të shefit të SHP. Ka komanduar FA kur kishin një efektiv të madh, si aktiv ashtu edhe rezervist, me rreth 16500 oficerë, 9000 nënoficerë, 60000 ushtarë e 8000 civilë, rezervistë rreth 450000 vetë dhe 230000 forca vullnetare. Me 22 divizione dhe tre forca që ishin: mbrojtja kundërajrore, flota luftarake-detare dhe aviacioni. SHP kishte nën komandë 127 brigada këmbësorie, brigada artilerie dhe brigada sulmuese; rreth 1050 tanke, rreth 4000 gryka zjarri artilerie tokësore; 34 regjimente të artilerisë kundërajrore pa llogaritur artilerinë kundërajrore të brigadave etj. Në kufi, mitralozat e rëndë (armët roje), bateritë e gatshme të artilerisë kundërajrore, hapnin zjarr për 2-3 minuta. Për 20-30 minuta, batalionet mitralierë në vijën e kufirit ishin bërë gati për luftim; për 15-20 minuta, artileria tokësore e gatshme kishte hapur zjarr. Ka punuar dhe punon në sektorët shkencorë ushtarakë me titullin akademik “Profesor”.

Gjeneral Ilia Vasho

(1992-1994)

Ushtarak shqiptar si dhe kualifikimet më të larta ushtarake. Kështu në vitet 1962-1964 ka kryer Shkollën e Bashkuar të Oficerëve dhe në vitet 1976-1978 Akademinë e Mbrojtjes. Ka kryer detyra të nivelit më të lartë në ushtrinë shqiptare përfshi edhe ato në nivelet e shkollave ushtarake. Mbante gradën shkencore “Doktor Shkencash”. Në 1992-1994 u përzgjodh për detyrën e lartë të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare. Dalë oficer në rezervë në vitin 1997 nga funksioni që ka pasur si përfaqësues ushtarak në NATO, funksion që e kreu nga 1994 deri në 1997.

Gjeneral me katër yje, Sheme Kosova

Gjeneral me katër yje Sheme Kosova. Në periudhën 1994-1997 ka kryer detyrën madhore shef i Shtabit të Përgjithshëm. Sheme Kosova lindi në 24 mars 1949. Ndoqi studimet në Shkollën e Mesme Pedagogjike në 1967 dhe Shkollën e Lartë të Bashkuar në vitin 1971, ndërsa në vitet 1979-1981 ka përfunduar studimet në Akademinë Ushtarake. Ka kryer detyra të nivelit më të lartë në ushtrinë shqiptare deri në shef i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Shqiptare. Në 2 mars 1997 lirohet nga kjo detyrë madhore.

Gjeneral/major Adem Çopani (mars-gusht 1997)

Gjeneral/major Adem Çopani, lindi në korrik të vitit 1944 në Tiranë. Ka kryer të gjithë llojet e arsimimit ushtarak shqiptar, të cilat i ka përfunduar me rezultate të shkëlqyera, si: shkollën ushtarake “Skënderbej”, Shkollën e Bashkuar të Oficerëve dhe Akademinë e Mbrojtjes. Ka kryer detyra të nivelit më të lartë në ushtrinë shqiptare përfshi edhe ato në nivelet e shkollave ushtarake. Në vitet 1991 deri në mars 1997 ka kryer detyrën e këshilltarit ushtarak të presidentit të Republikës në një nga periudhat më të vështira e të errëta të ushtrisë shqiptare. Në mars të vitit 1997 zgjidhet në postin madhor të shefit të Shtabit të Përgjithshëm, detyrë që e mbajti deri në gusht të vitit 1997. Në karrierën e tij ushtarake ka fituar edhe gradën shkencore “Doktor Shkencash” si dhe titullin akademik “Profesor”. Ka dalë oficer në rezervë në vitin 1997 dhe aktualisht është me banim në SHBA.