“Atdheu është atje ku jemi të dashuruar”– Mihail Lermontov
Ne jemi brezi që u diplomuam për “Gjuhë Ruse dhe Shqipe” më 1970. Ishim 52 studentë, të ndarë në tri grupe. Ishte kulmi i konfliktit mes Partive të Shqipërisë dhe BS. Një konflikt që zbriti deri te fati i jetës të shumë njerëzve, por, sidomos të çifteve shqiptaro-ruse.
Ne kishim fatmirësinë se na jepnin mësim disa nga pedagoget ruse si; Aleksandra Shestova, Ana Ivanovna, Ina Tarasova dhe Nina Pumo. Në atmosferën e asaj lufte aq të ashpër mes dy partive, ato ishin kurajoja dhe gëzimi ynë, të cilat mbetën përgjithmonë, të paharruara për ne. Ato i jepnin bukuri mësimit dhe interes degës sonë. Gjuha ruse, ka shumë muzikalitet në të folur, por më të këndshme e bënin ato. Fatkeqësisht, politika arriti të cënojë edhe vendin e rëndësishëm që ajo kishte në jetën e asaj periudhe.Ishte mosha, kur ne vraponim pas jetës, kurse tani ndalemi në kujtime…
Sa herë të vini në Tiranë, ejani të më takoni

Këto ishin fjalët dëshiruese, që na i la si porosi prof. Nina Pumo në mbrëmjen e ndarjes. Shumë prej nesh, që u larguam nga Tirana, nuk e mendonim se ai zë i ëmbël, ai shikim i ngrohtë, ajo buzëqeshje e çiltër, do të mbeteshin kujtime të ndarjes së fundit. As ajo nuk e mendonte këtë.
…Ishte e martuar me Muntazin, djaloshin simpatik nga Gjirokastra, që tashmë ishte punonjës i rëndësishëm në një nga ministritë e Qeverisë shqiptare. U njohën kur ishin të dy studentë në fakultetin ekonomik në Moskë. Aty u bë edhe martesa. Aty u lind edhe fëmija i parë, Iliri. Pastaj jeta vazhdoi në Tiranë. Ishte në vitin 1961 dita e parë, kur ajo zbriti në atdheun e bashkëshortit të saj. Kulmi i mosmarrëveshjeve ideo-politike arriti deri në prishjen e të gjitha marrëdhënieve. Por, për prof. Ninën ishte edhe prova e një dashurie që s´përfillte pengesa. As lotët e nënës, as dëshpërimi i babait, as mundësia që mund ta vazhdonin jetën në Moskë. Jo. Asgjë nuk e pengoi atë. Ëndrrat ishin më të forta se realiteti.Ajo dallonte për bukurinë e saj, për sjelljen model. Dukej që ishte rritur lozonjare, por që e mbulonte me atë thjeshtësinë e një njeriu, që na donte të barabartë, ndonëse ne vinim nga qytete dhe krahina të ndryshme, jo aq të zhvilluar si Tirana e asaj kohe.Ajo ishte modeli i një tipi të ri si pedagoge. E dashur dhe e shoqërueshme me studentët. Autoriteti i saj qëndronte te kultura e saj, te metoda e mësimdhënies, që e bënte lëndën tërheqëse, interesante, thithëse.Kujton Sadedin Hoxha: – Me prof. Ninën jemi takuar në ditën e parë të vitit të tretë të studimeve. Na jepte lëndën “Zhvillim të foluri”. E kishim pedagoge-kujdestare. Nuk e harroj momentin kur hyri për herë të parë në auditor. Na befasoi bukuria dhe buzëqeshja e saj, që na çliroi nga emocionet që ndjen çdo student në kontaktin e parë me pedagogun. Pasi na përshëndeti “Dobroje utro”, iu afrua tavolinës, ku vendosi çantën ngjyrë kafe dhe, pastaj na u prezantua se kush ishte, dhe që, do të ishte kujdestare e grupit tonë. Lënda që na jepte kishte një ritëm intensiv, por ajo na i bënte të lehtë e tërheqëse. Nganjëherë, edhe pse nënë me dy fëmijë, gjente kohë të shëtiste e të rrinte me ne, gjë që e shfrytëzonte edhe për zhvillimin e të folurit në gjuhën ruse.Por, jeta, që rrodhi më pas nuk ishte si ajo që la në Moskë…
Ajo s´e dinte e as e merrte me mend që, po ecte në një rrugë me kurthe, me pabesi, me ligësi!…

E burgosur politike
Nuk ishte e para dhe nuk mbeti e vetmja. Edhe shumë të tjera, bashkëpatriote të saj patën të njëjtin fat. U arrestuan dhe u dënuan për “Spiunazh dhe tradhëti ndaj Atdheut“(!…). Për prof. Ninën ndodhi më 17 tetor 1975. Ishte një arrestim i bujshëm. Nina Pumo nuk ishte thjesht një vajzë ruse e martuar me një shqiptar. Ajo, tashmë, kishte një emër të zëshëm si një pedagoge prej së cilës kishin kaluar breza të tërë stuntentësh. Mirëpo, ajo nuk e kishte kuptuar se, ajo kohë nuk ishte për atë sjellje të çiltër e për atë sinqeritet të pastër, ndofta, edhe brenda rrethit shoqëror!…
Dhe… kush ishte faji i saj? Se, duhej të mos mbronte atdheun e vet, kur politika ia qëllonte egërsisht?! Ajo ishte bijë e një vendi të përflakur nga lufta fitimtare kundër nazizmit, e një vendi të përgjakur nga të rënët për mbrojtjen e atdheut të tyre, e një vendi, që “Nuk na mësoi vetëm si të kapnim peshk(!…)“, por, ne shqiptarëve, na dha edhe për të ngrënë e na hoqi urinë…
Më kujtohen dy vargje të Dritëro Agollit: “Atdheu nuk është as mëkat e as faj/Po thjeshtë trupi im, trupi yt”. E, kur të qëllojnë në trup, të gjithë ndiejnë dhimbje.
…Çfarë spiunazhi bënte ajo pedagoge pasionante, kur jeta e saj përmblidhej brenda familjes së vet dhe studentëve? Djali i madh, Iliri ishte 15 vjeç, kurse i vogli, Misha s´i kish mbushur 8 vjeç. Kur ky (Misha) e kujton atë ditë, i ndryshon fytyra, i mbushen sytë me lot dhe, nuk do ta vazhdojë më tutje bisedën…Familja u nda në dy pjesë, ajo në burg, kurse bashkëshorti me djemtë e tyre në internim, në Rrëshen. Aty i gjeti edhe Nina pas 12 vjetësh. Tashmë jeta e saj kishte tjetër shije. Ishte një jetë e plagosur. I kishin vrarë gëzimin. Veç dashurisë së pacënuar për Muntazin dhe të dy djemtë, asaj nuk i interesonte më asgjë. Prandaj, pas një viti, më 1987, bashkë me Ilirin, që kishte lindur në Moskë, largohen përfundimisht në vendlindjen e vet. Ishte një ndarje dramatike, një ndarje pa shpresë se mund të takoheshin përsëri. –Të qoftë rrugë e mbarë,-i tha, Muntazi, dukE mos i përmbajtur dot lotët. – Të paktën të na shpëtoj njëri djal…
Por, pashpirtësia vazhdoi edhe më pas…Kur Nina u largua për në Moskë, Muntazin dhe Mishën i largojnë edhe nga Rrësheni dhe i mbyllin në fshatin Perlat Eper të Mirditës. Kemi dëgjuar për shumë lloje pangopësish, por që të mos ngopesh me dhimbjet që u shkakton të tjerëve, kjo është shtazëri…
Bashkimi në Moskë

Kishte ardhur koha e zbutjes së marrëdhënieve mes dy shteteve. Më 1990, pas tri vitesh nga përgjysmimi përsëri i familjes, ata u bashkuan në Moskë për të mos u ndarë më.
Ligor Cullufi, bashkëstudenti ynë, që i përfundoi studimet me rezultate të shkëqyera, na tregon:
– Pata fatin që ta takoja prof. Ninën, kur isha me detyrën e diplomatit në ambasadën tonë në Moskë. Ishte një takim i përmallshëm. Donte të dinte sa më shumë se ç´bëhej në Shqipëri. Biseda shkonte edhe te jeta si e „dënuar politike“. Nuk mbante urrejtje për peripecitë që kishte hequr. Kur përmendte sjelljen e keqe të ndonjërit, sillte edhe shembujt e mirë të të tjerëve. Ndihej respekti për atdheun e bashkëshortit të saj, ndonëse, që kur u largua në vendlindjen e vet, ky vend qendronte vetëm në kujtime.Ai që nuk i ka shkëputur lidhjet me Shqipërinë, është Misha, djali i saj. Këtu ai ka një shoqëri të zgjeruar dhe që e duan shumë, sidomos në Rrëshen. Vjen çdo vit. Është një intelektual i vërtetë, ku spikat edhe si korrespodenti ynë televiziv në Moskë, të cilin e kemi parë shpesh në shumë panele, ku dallon për kulturën, profesionalizmin, informacionin dhe analizat objektive. Nga e shkuara e familjes së tij ka zgjedhur të marrë qëndresën për të patur të lehtë udhëtimin drejt të ardhmes. I kujton peripecitë që ka hequr e, megjithatë, ka një thënie të bukur: “Kur jam në Moskë, nuk dua të ma shajnë Tiranën dhe, kur vij në Tiranë, nuk dua të ma shajnë Moskën…”. Pastaj vazhdon: – Mamaja, më nxit e gëzohet shumë, kur unë vij në Shqipëri.. Dëshira ime është të kthehem këtu, përgjithmonë.Fati i jetës së prof. Ninës dhe familjes së saj, më sjellin ndermend disa vargje të Pushkinit:
“Mos u ngrys prej dëshpërimit/nëse jeta të gënjen
Hesht në dritën e mundimit/rishtaz dita e gazit vjen.“
Mirëseardhsh Misha. Jetë të gjatë profesoreshë NINA PUMO.





















