Ilirian Lluri: Violinisti – Familja Bajo “kthehet” në shtëpi

23
Sigal

Në krijimtarinë e tyre artistike, artistët në përgjithësi, në mënyrë të vullnetëshme ose jo, nuk i shpëtojnë përfshirjes brenda saj, të mbresave dhe eksperiencave personale. Madje ka vepra të shumta të cilat flasin me nota të plota biografike. Këta filma artistikë apo dokumentarë paraqesin jetën e kërcimtarëve, koreografëve, aktorëve, rregjisorëve, piktorëve dhe skulptorëve me famë botërore. Por filmat autobiografikë janë të rrallë. Ata mund të realizohen vetëm nga rregjisorët e kinemasë, kur ata dëshirojnë të rrëfejnë mbi jetën e tyre. Filmi artistik i metrazhit të shkurtër, “Violinisti”, i rregjisorit Sajmir Bajo megjithëse ndoshta pjesë modeste e kinotekës autobiografike, është i një rëndësie të veçantë në historinë filmike të Gjirokastrës dhe më gjerë.

Autobiografi – artet figurative

Artistët që gjithmonë e kanë pasur më të thjeshtë të sjellin përmes artit copëza nga jeta e tyre apo një lloj “autobiografie”, janë ata të arteve figurative. Autoportretet e tyre shoqëruar e pasuruar nga portretet e babait, nënës, motrës apo gjyshes, janë në fakt përballja reale dhe e prekshme me një grup të tërë emocionesh të grumbulluara gjatë jetës së tyre. I pari ndër artistët e Gjirokastrës që na ka lënë një “segment autobiografik” përmes këtij lloj arti, është mjeshtri i madh, Bashkim Ahmeti. Salla familjare e Hotel “Çajupit” është “dekoruar” me piktura murale që sjellin copëza të magjishme nga jeta e tij familjare.

Artistë gjirokastritë të kinemasë

Në numrin e madh të artistëve të skenës dhe ekranit që ka nxjerë Gjirokastra, më të rrallët kanë qënë ata që i janë kushtuar ekranit të madh. Një emër i njohur ndërkombëtarisht, rregjisorja e parë shqiptare, “mjeshtre e madhe” Xhanfise Keko, u pasua për një kohë të gjatë vetëm nga rregjisori i njohur dhe i talentuar Eduart Makri. Emri i rregjisorit Sajmir Bajo përfaqëson emrin e krijuesit më të ri që i shtohet listës së artistëve Gjirokastritë të filmit, të cilët nuk janë pak. Operatorë gjirokastritë të kinotudjos kanë qënë  mjeshtrat e njohur, Pëllumb Kallfa dhe Saim Kokona, ndërkohë që djali i lagjes “Pazar i vjetër”, Leonard Qendro, drejtoi për një kohë të gjatë laboratorin filmik të Kinostudjos “Shqipëria e Re” dhe në vitet e mëvonëshme punoi edhe si operator. Por ekrani i madh, ka shkëlqyer edhe përmes kontributit të skenaristëve gjirokastritë; shkrimtarit Ismail Kadare e poetes Vllasova Musta.

Autobiografi – ekrani i madh  

Rregjisori i parë gjirokastrit që ndërtoi një “autobiografi-filmike”, është rregjisori Sajmir Bajo. Ashtu si shkollimi, aktiviteti i tij shtrihet jashtë kufijve të Shqipërisë, në Çeki. Realizimi i filmit artistik “Violinisti”, pasqyron jetën brenda familjes gjirokastrite Bajo, e cila në fëmijërinë dhe rininë e rregjisorit, jetoi në kufijtë e lagjeve Manalat – Cfakë të qytetit. Përmes filmit shpalosen ëndërrat e dy fëmijve të kësaj familjeje për të ndjekur shkollimin drejt artit muzikor. Përmes syve të fëmijës – violinist, na shpaloset jeta e banorëve të Gjirokastrës në ato vite. Imazhet e fëmijërisë me gjyshen, babanë, nënën, vëllanë, shokun dhe mësuesit, e shoqërojnë atë gjatë gjithë zhvillimit të subjektit filmik. Atmosfera e kohës përcillet  përmes aspekteve nga shkolla si, “betimi” i pionierëve etj. Ndërtimi i një skenari të tillë ndoshta nuk do të ishte mundësuar në se rregjisori Bajo do të jetonte në Shqipëri. Duket se malli i një jete të ndërtuar në “emigrim”, e nxiti atë  drejt “gdhendjes” së këtyre imazheve nga jeta e tij në Gjirokastër, duke u kujdesur kështu që ato të mos humbasin kurrë. Në galerinë e personazheve të tërheqin vëmendjen detajet nga jeta fëminore e dy vëllezërve Bajo; skulptorit dhe petagogut të Universitetit të Arteve Tiranë Arben Bajo dhe rregjisorit Sajmir Bajo.

Arti – start dhe destinacion

Historia e dy vëllezërve Bajo që e nisën rrugëtimin në artin e muzikës në shkollën artistike të qytetit të Gjirokastrës, njeri për violinë dhe tjetri për klarinetë, është domethënës për të gjithë ata të rinj që aspirojnë të bëhen artistë. Ndryshe nga nisja, si nxënës të degës së muzikës, dy vellëzërit Bajo e përfunduan arsimimin në rrugën e artit, në degë krejtësisht të ndryshme, Arbeni nisi ta gdhendë jetën në gur e mermer, Sajmiri në celuloid (film).

Skenografia

I njohur si qytet i kinemasë, Gjirokastra pavarësisht kohëve, të cilat shpesh kanë lënë gjurmë të këqia në drejtim të mbrojtjes së trashëgimisë, ende ruan pejsazhe arkitekturore të rralla dhe shumë të bukura për artin kinematografik. Edhe filmi “Violinisti”, shfrytëzoi këtë skenografi origjinale, ndërkohë që për ambientet e shtëpisë së fëminisë, u përdor banesa ku familja Bajo jetoi deri në vitin 2005. Skenat e xhiruara në shtëpinë e jetës, për të gjithë ata që ishin të pranishëm atje, u shoqëruan nga një emocion i brendshëm shumë i fortë. Kjo ndodhte sepse gjatë xhirimeve aty ishte e pranishme edhe nëna e vëllezërve Bajo, e cila vetëm pak kohë më parë kishte përcjellë për në banesën e fundit njerin nga djemtë, Arbenin, skulptorin dhe petagogun e njohur. Besoj e kuptoni se çfarë shoqërimi parafytyrimesh ka pasur ajo, kur shihte ti parakalonte parpara syve jeta e 40 viteve më parë, kur Arbeni ishte fëmijë. Ky emocion shoqëroi edhe vetë rregjisorin e filmit, i cili shpesh me delikatesë i fshihte sytë e përlotur nga nëna. Por edhe ambientet e ruajtura më së miri të dy shkollave, asaj artistike dhe “Urani Rumbo” e plotësuan më së miri jetën reale të Gjirokastrës së dikurshme.

Porta e Sokol Karaullit

Për shkak të angazhimit me filmin u bëra si pa dashur edhe spektator i disa episodeve ku unë vetë nuk isha pjesmarrës. Ndoshta për të prekur e dëshmuar nga afër atë klimë që banorët e Gjirokastrës krijojnë për artistët e filmit, kur ata janë miq në qytet. Kështu kishte ndodhur vite më parë kur pas ardhjes sime për pushime nga Berati ku isha emëruar, ndoqa disa xhirime të filmit “Përrallë nga e kaluara” të Dhimitër Anagnostit, ku interpretonte edhe shoku im i kursit në vitet e aktrimit në Akademinë e Arteve, Xhevdet Ferri, dhe aktorja e bukur dhe e talentuar gjirokastrite, Elvira Diamanti. Edhe Dhimitër Anagnosti kishte zgjedhur për xhirime një nga shtëpitë e kësaj lagjeje. Më herët banorët e lagjeve Cfakë  dhe Manalat, kishin marë pjesë si figurantë në xhirimet e filmit “Skënderbeu”, ku të veshur me roba popullore e me heshta e cfurqe në duar, mbushën gjithë bregun e lagjes duke brohoritur për “heroin Kombëtar”, ndërkohë që në kështjellën e qytetit Skënderbeu – aktori rus, kishte ngritur flamurin me shqiponjën dykrerëshe.  Por dashuria për kinemanë kësaj here ishte ndryshe. Sajmiri ishte artist i dalë nga kjo lagje. Ndaj edhe mikpritja e Sokol Karaullit dhe bashkëshortes së tij Marianthi, ishte krejt e veçantë. Shtëpia dhe avlia e tyre u kthyen në funksion të xhirimit të filmit nga mesdita e deri në mbrëmje, gjatë njerës prej  katër ditëve të xhirimit të tij. Mikpritja e tyre nuk i drejtohej vetëm djalit të lagjes, artistit Sajmir Bajo, por edhe artistëve e stafit teknik realizues ku spikasnin padyshim i madhi Erion Mustafaraj dhe mjeshtri Spartak Papadhimitri.

Aktorët e filmit

Në përzgjedhjen e stafit aktorial, Sajmiri u kujdes të alternojë aktorët kryeqytetas më ata vendorë. Kjo kishte ndodhur edhe me rregjisorët e dikurshëm të filmit shqiptar, të cilët zgjodhën Gjirokastrën si shesh xhirimi si Piro Mlkani, Kujtim Çashku, Vladimir Prifti, Kristaq Mitro e Ibrahim Muço. Kështu së bashku me Erjon Mustafaraj, Mirela Naska, e Julinda Emiri, u aktivizuan në role; Fjordi Sejfo, Vangjel Kondili, Mimoza Lluri, Aleksandër Kondi, Mimoza Çabeli, Ilirjan Lluri, Nikol Çabeli e Rushit Dudumi. Si risi në këtë film erdhi roli i gjyshes i interpretuar nga aktorja Mimoza Lluri, e cila njihej më së shumti si aktore e skenës dhe jo e ekranit. Ajo ishte bërë pjesë e ekranit të madh në filmin dokumentar “Nusja me shifon të zi” dedikuar disidenetes Musine Kokalari, duke sjellë për herë të parë figurën e zbukurueses së nuseve, kako Pino. Sigurisht që roli i saj, në krah të interpretimit shumë të bukur të aktorëve Erjon Mustafaraj dhe Mirela Naska mori tjetër dritë. Ndryshe nga koha për të cilën flasim, figura e babait karakterizohej nga kultura e gjerë. Babai si figurë, paraqitet që në skenar si një njeri mëndjehapur, duke kontrastuar me shoqërinë e kohës për të cilën flet filmi. Në trajtimin e këtij personazhi ndjehet dobësia e djalit rregjisor për figurën atërore. Thjeshtësia dhe ngrohtësia interpretative e aktorëve Erion Mustafarajt dhe Mirela Naska, krijoi një atmosferë shumë të bukur krijuese, emocioni i së cilës kulmoi natyrshëm në skenën më dramatike të filmit; në humbjen dhe kërkimin e djalit – violinist. I vlerësuar mbetet pa dyshim edhe interpretimi i aktores së re Julinda Emiri. Në vlerësim të profesionit të aktrimit, ajo interpretoi e pa drojtur e pa pargjykime, një nga skenat të cilësuara deri para pak kohe “të vështira”, për të mos thënë të pamundura në kinematografinë shqiptare.

Stafi Teknik

Duke qënë një film autobiografik kuptohet që idea e filmit lindi tek rregjisori Sajmir Bajo, ndërkohë që skenari u finalizua në bashkëautorësi me Genc Përmetin. Drejtor i fotografisë së filmit ishte i mjeshtri i njohur Spartak Papadhimitri. Kolona muzikore erdhi nga kompozitori Aulon Naçi. Asistent rregjisorë në këtë filmi ishin vajzat artiste dhe profesioniste në artin e komunikimit, Ornela Karaj dhe Klodiana Keço. Operatorët Adi Grishaj dhe Edison Shalca i kaluan pa vështirësi sfidat profesionale që vendosi përpara skenari, rregjia dhe aktorët.

Arben Bajo – Qytetar Nderi

Vlerësimet apo titujt e nderit “pas vdekjes”, gjithmonë janë të trishta. I tillë ishte edhe titulli “Qytetar Nderi” akorduar nga Këshilli Bashkiak i Gjirokastrës për artistin e ndarë nga jeta, Arben Bajo. Pak kohë para ndarjes nga jeta skulptori dhe petagogu i njohur ishte në Gjirokastër nën shoqërinë e Timo Fllokos e bashkëshortes së tij, rregjisores së njohur, Vera Grabocka. Aty ku pejsazhi i qytetit flet me të gjitha ngjyrat dhe madhështinë e vet arkitekturore, në bashtenë e Teqesë, ata po konsumonin një kafe me kreun e Bashkisë Flamur Golemi tek kafe “Gjirokastra”.. I ulur dy tavolina më tutje, unë po diskutoja një projekt kulturor me mikun tim të paharuar, Eduart Pesha. U përshëndetëm më profesor Timo Fllokon me të cilin Edi më kërkoi ti bëja edhe një fotografi. Profesori, i thjeshtë dhe i mësuar me Gjirokastrën jo vetëm përmes kujtimeve familjare, por edhe si artist që i kishte dhënë “frymë një monumenti”, Çerçiz Topullit, u ngrit dhe pozoi në krah të Edit. Aty u përshëndetëm edhe me Arben Bajon. Por askush nuk mund ta mendonte  se në atë shkëmbim përshëndetjesh miqësore, përshëndetjet e Arben Bajos dhe të Edi Peshës, do të ishin për ne të tjerët, përshëndetje lamtumire. Gjithmonë kam shpresuar që takimi i skulptorit Arben Bajo dhe miqve të tij të famshëm me kreun e Bashkisë, do të pasohej me siguri nga një ngjarje artistike në qytet. Por kjo, as nuk ndodhi, dhe as nuk po ndodh. Kjo sigurisht që më trishton. Parë në këtë këndvështrim, akordimi i titullit “Qytetar Nderi” për një artist të këtyre përmasave, pavarësisht përkushtimit të këshilltarëve të nderuar dhe kreut të bashkisë, mbetet fare pak. Gjirokastra është nga qytetet e rralla në Shqipëri që 35 vjet pas demokracisë nuk ka shtuar në rrugët e tij, asnjë vepër arti, përjashtuar financimit të 24 viteve më përë nga Bashkia e drejtuar nga Ylli Asllani e basorelievit të figurave të nderit Çabej, Kadare e Musine Kokalari. 18 apo 19 vite më vonë qyteti mori si dhuratë shtatoren e patriotit Hasan Xhiku. E dhuroi nipi i tij nipi i patriotit, skulptori Kreshnik Xhiku. Mendoj se është pikërisht momenti kur përmes një krijimi të tij në skulpturë, ne mund ta kthejmë Arbenin në vendlindje.  Se kush mund të jetë ajo vepër, dhe sa ajo mund ti përshtatet qytetit, kjo mbetet në vlerësim të specialistëve të fushës, apo kolegëve të tij petagogë në Universitetin e Arteve të Bukura Tiranë.

Prezantimi i filmit

Ndryshe nga prezantimet rutinë të prodhimeve fimike, prezantimi i filmit “Violinisti”, u shoqërua nga të tjera detaje. Emocioni që shoqëroi momentet e skenave që kishin si interier shtëpinë e jetës, kur nëna shikonte ti parakalonte ndër sy jeta e saj e 40 vjetëve më parë, “shpërtheu” në sallën e kinema “Agimit” në Tiranë, dhe në sallën e kinemasë së Qendrës Kulturore “Musine Kokalari” në Gjirokastër. Skenari i filmit u shkrua kur vëllezërit Bajo ishin bashkë në jetë, por xhirimet filluan kur Arbeni ishte ndarë papritur nga jeta. Sajmiri, rregjisori më i ri gjirokastrit i kinemasë, ndoshta jo pa qëllim zgjodhi ta prezantonte veten si artist në vendlindje me filmin autobiografik “Violinisti”. Ai dëshironte të kthente artistikisht në shtëpinë e jetës dhe në vendlindje familjen e tij të dashur, mes të cilëve gjyshen, babanë të ndarë nga jeta shumë herët, por edhe vëllain e tij të shtrenjtë, Arbenin. Sajmiri ishte rikthyer me dhjetra herë në vendlindlindjen e tij, nga vendi ku jeton e punon, Çekia. Por filmi i tij autobiografik, “Violinisti”, e ktheu atë dhe familjen e tij përsëri në Gjirokastër. Të ngjan se familja Bajo vijon të jetojë e pashqetësuar dhe e lumtur në shtëpinë e saj, ashtu si dikur. Të gjithë do të dëshironim të riktheheshim edhe njëherë rrugës së fëmijërisë, por këtë mund ta arijnë vetëm artistët e filmit. Mirëse erdhe familja Bajo! Mirëse erdhe Sajmir!