Ambasada e SHBA nuk u jep viza turistike këngëtarëve për punë

572
Sigal

Pavarësisht karrierës dhe suksesit në tregun muzikor shqiptar, sërish fitimet më të mëdha për këngëtarët në vendin tonë vijnë falë koncerteve që zhvillojnë jashtë shtetit, në komunitetet shqiptare. Një nga tregjet më fitimprurëse për artistët janë Shtetet e Bashkuara, ku herë pas here publikohen në media pamje nga koncerte të këngëtarëve shqiptarë në Amerikë. Fitimet në vende si Amerika janë të mëdha dhe gjithnjë e më shumë po shtohet numri i artistëve që ftohen nga diaspora shqiptare për të dhënë koncerte. Megjithatë, kohët e fundit ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka refuzuar vizat për shumë artistë, me motivimin se këta të fundit përdorin vizat turistike për të punuar, gjë që përbën një shkelje. Në media janë raportuar disa raste të këngëtarëve shqiptarë, të cilëve iu është mohuar viza turistike nga ana e ambasadës, teksa një prej tyre ishte dhe Gena, i cili e pranoi publikisht se i ishte mohuar e drejta e udhëtimit për në Amerikë.