Skënder Seferaj/ Beqir Balluku dhe Petrit Dume kontrollonin elementet e gatishmërisë luftarake në shkollë

1068
Fëmijërinë e kaloi në Neshtë të fshatit Gjorm, e cila si territor është një orë larg nga fshati. Të parët e familjes kanë pasur në këtë vend tokën e punueshme dhe kullotat për bagëtitë. Fillimisht Neshta ka shërbyer si vend dytësor për shtegtimin e bagëtive, ku me kalimin e viteve shumë gjormiotë ndërtuan konare, ndërsa shtëpitë dykatëshe i kishin në fshat. Pra fëmijërinë e kaloi në këtë vend të ashpër me pyje e me gërxhe, duke shkuar pas vëllait të madh me bagëti. 
Çfarë përmban historia e fshatit tuaj?
Në kryengritjen kundër Tanzimatit më 1839 Çeta e Gjormit e përbërë nga 23 vetë u vendos në fshatin Bolenë. Në këto luftime dhanë jetën 10 luftëtarë atje në përrua dhe sot ky territor quhet “Përroi i Gjormit”. Gjatë periudhës 1915-1920 pushtuesit italianë në Gjorm kishin vendkomandën me rajone tepër të fortifikuara si në Veshkuq tek ura e lumit dhe Majën e Bahait. Pas kapitullimit të pushtuesve italiane kjo vendkomandë shërben si shkollë ku u edukuan disa breza, midis të cilëve edhe unë me moshatarët e mi. Gjormi u lidh tërësisht me Luftën Antifashiste N. Ç. L, sepse ishte ai pushtues, ai pushtues, që qëndroi në këtë fshat pesë vjet dhe mizoritë e tij i kishte provuar në kurriz. I takoi midis shumë individëve gjormiot edhe një brezi që ishte ndeshur me të njëjtin pushtues. Ishin këto arsye dhe puna e intelektualëve Gjormiot, që u ngritën të parat në krahinën tonë “Njësitet Guerile”, që u bënë tmerri i pushtuesit. Duke parë këtë vatër të lëvizjes N. Ç. L. në fshatin Gjorm më 04.12.1942 u krijua “Çeta Plakë” e Vlorës me komandant Neki Ymerin nga Gjormi Qazim Çakërri nga Tragjasi. Midis shumë trimave partizanë të Krahinës së Mesaplikut 8 luftëtarë gjormiot kishin pseudonime në këtë periudhë. Mjafton të përmendim vetëm një fakt në L. A. N. Ç ku e reja e këtij fshati Vita Hoxha e motra e komandantit të Çetës Plakë Neki Ymerit në aksionin për shkatërrimin e postëkomandës fashiste në Brataj hoqi flamurin italian dhe vendosi flamurin shqiptar. 
Gjormi fshat me tradita mikpritës dhe bujar. Poeti popullor anonim ka skalitur vargjet:
Gjormi Sofër shtruar mbi udhë 
Hanin buk’ turq e kaurë
Në fëmijërinë time midis shumë valleve këndonin edhe këngën:
Sofra me lule xheneti
Shtruarë që xhet pas xheti
Hanin bukë vilajeti
Kur mbaruat shkollën për mësues ku u caktuart? Si ishte mësimdhënia, po interesi i fëmijëve për shkollën?
Kur mbarova shkollën e mesme për mësues i ciklit të ulët bashkë me dy shokët e mi Gilon dhe Sazanin u caktuam në fshatin tonë të lindjes në Gjorm të Vlorës. Shkolla e mesme Pandeli Sotiri në Gjirokastër si shkollë me traditë na përgatiti si kuadro të aftë për mësimdhënien kështu që nuk e kisha të vështirë nga ana teorikë, por si mësues fillestar vështirësia qëndronte në anën praktike të mësimdhënies. Në atë periudhë shkolla tetëvjeçare e fshatit Gjorm ishte e kompletuar me kuadro të përgatitur. Nga shkolla e Gjormit në atë periudhë vareshin edhe shkolla e Lepenicës dhe e Velçës. Pra ne formonim një kolektivë të madh pedagogjik. Drejtoria e shkollës kishte planin e saj të kontrollit të çdo mësuesi, dhe 1 herë në muaj bëhesh analiza e punës, ku përmendeshin anët e mira dhe kritikoheshin të metat e çdo mësuesi. Për mangësitë dhe të metat drejtoria e shkollës merrte masat e nevojshme nga ana metodike, praktike, me punë të diferencuar etj. Po ashtu mësuesi kontrollohesh për mësimdhënien, për rezultatet në punë në mënyrë të vazhdueshme edhe nga inspektorët e arsimit, nga shefi i seksionit të arsimit dhe nga ministria e arsimit. Me fjalë të tjera mësuesi ishte në kontroll të vazhdueshëm dhe kjo e vinte në lëvizje të punonte sa më shumë, për eliminimin e të metave. 
Kjo ishte edhe arsyeja që kuadrot, që u përgatitën në atë sistem ishin të aftë nga ana profesionale e tepër kërkues, gjë që është në kontrast të thellë me kuadrot e sotëm. 
Si çdo profesion edhe mësuesia ka vështirësitë e veta. Që të dalësh mësues i aftë nga ana profesionale duhet që patjetër të mbarosh shkollën e mesme pedagogjike, pastaj sipas aftësive profesionale, sipas prirjeve duhet të vazhdosh edhe arsimin e lart. 
Mësuesit me gjimnaz me korrespodencë dëmtojnë rëndë procesin e mësimdhënies. Në vitin e parë (1965) kur nisa profesionin si mësues mora klasën e parë me 38 nxënës, që ishte caktuar për dy mësues. Mësuesja tjetër që ishte caktuar nuk erdhi, ndaj kisha vështirësi si përmenda më parë nga ana praktike, por edhe nuk mund t’i kontrolloja çdo nxënës. Interesimi i fëmijëve për shkollën ishte tepër i madh. Ata ishin të edukuar, të qetë dhe dëgjonin me vëmendje dhe respektonin mësuesin. Edhe prindërit ishin të interesuar për fëmijët e tyre, por punët e fshatit në bujqësi, blegtori i hanin një pjesë kohe nxënësit për të mësuar. Puna e mësuesit në atë periudhë nuk mbaronte brenda kohës së procesit mësimor. Mësuesi ishte i detyruar të merrte kontakt me prindërit, për shqetësimet që kishte për çdo nxënës. E në këtë mënyrë edhe prindi ishte më i interesuar, ishte një faktor ndihmues për mbarëvajtjen e ecurisë së mësimit. 
Nga një profesion i nderuar ai i mësuesit, në një profesion tjetër po aq të nderuar por të vështirë. Më mirë mësues apo oficer?
Për të arritur në përfundimin logjik duhet bërë analiza e problemit, fenomenit, por unë po e nis me dy vargje të poetit Ali Asllani:
Ku ka më mirë se sa i lirë?
Profesioni i mësuesit është i mirë, por edhe i vështirë, sepse ka të bëjë me fëmijë me temperamente të ndryshme, ndaj mësuesi duhet të jetë edhe psikolog, të depërtojë në botën e brendshme të nxënësit, për të punuar edhe në mënyrë individuale me të. Mësuesi njohurit për çdo lëndë mësimore duhet të ja japë në klasë, brenda procesit mësimor, se për këtë paguhet. Sot është e pa tolerueshme që mësuesi jep kurse private për atë lëndë që paguhet nga shteti. Të kalojmë tek profesioni i oficerit. Profesioni i oficerit është tepër i vështirë, por asnjëherë i vlerësuar. Ne si ish oficerë në atë periudhë në mënyrë konfidenciale përdornim shprehjen: “Ikë se mu bëre si çizmet në gusht”! Oficeri sa vinte në shtëpi ruhesh se mos vinte korrieri, sepse në atë periudhë jo çdo oficer kishte telefon në shtëpi. Puna e oficerit është e vështirë, sepse ka të bëjë me personalitete të konsoliduara dhe secili bën të pamundurën për t’u ballafaquar me kërkesat e rregulloreve. Oficeri ishte pa kompetenca pas periudhës së heqjes së gradave. Si në shumë sektorë të ekonomisë edhe në ushtri u eksperimentuan shumë procese, por të gjitha këto rëndonin mbi shpatullat e oficerit. U abuzua me vijën e masave në ushtri, me kryerjen e ushtrisë brenda rrethit. Me gjithë këto vështirësi stërvitja bëhesh me parametra normale, duke arritur elementet e gatishmërisë me anë të stërvitjeve e të qitjeve luftarake. Mua si oficer më ra fati që gjatë gjithë karrierës sime të jem në reparte afër qytetit të Fierit, por shumë shokë të mi kanë shërbyer për vite të tëra në terrene të vështira. Shumë individë shpesh më kanë bërë pyetjen se pse shkova oficer. Kjo ka arsyet e veta. Unë mbarova shkollën pedagogjike për ciklin e ulët dhe paga ishte e vogël në relacion me punën. Pas përfundimit të ushtrisë nuk e dija se në cilin rreth do t’më caktonin. Mësuesi ishte i detyruar t’i zgjidhte vetë problemet e transportit. Këshilli i fshatit të caktonte një dhomë si mos më keq, ku atje do gatuaje e atje do flije. Çdo individ në atë periudhë mundohej të largohesh nga fshati. Këto ishin arsyet, që vendosa të shkoj për oficer. 
Në shkollën për oficer kë kishit komandant shkolle? Si ishte ai me studentët? Pedagogët a ishin të përgatitur?
Shkollën e Bashkuar “Enver Hoxha” e fillova në muajin janar 1970 dhe e përfundova në fund të muajit dhjetor 1971. Komandant i Shkollës së Bashkuar në atë periudhë ishte Enver Begeja. 
Shkollën e artilerisë e përfundova tek “Rrapi i Treshit”. Ne pak lidhje kishim me komandantin e shkollës, sepse shkolla e artilerisë ishte e shkëputur nga degët e tjera. Me sa kemi kontaktuar komandanti i shkollës kishte marrëdhënie shumë të mira me studentët. Ishte kuadër i kompletuar dhe tepër kërkues. Unë u caktova në degën e artilerisë për artileri bregdetare. Kishim shumë pedagogë, por më kryesorët, që na jepnin teorinë e qitjes, taktikën dhe instrumentet, që kishte artileria bregdetare kishin mbaruar studimet në ish Bashkimin Sovjetik. Ishin kuadro shumë të përgatitur. Gjatë dy vjetëve të shkollës me programin e saj shkolla harmonizonte teorinë me praktikën, ku përveç teorisë secili student drejtonte qitje luftarake në Golem të Kavajës.
A keni pasur ndonjë aksident në repart?
Për t’ju përgjigjur kësaj pyetjeje unë po i referohem ditarit të shënimeve personale. Më 14.04.1986 në orën 1800 më erdhi korrieri në shtëpi e më tha:
“Të është vrarë ushtari, ka vdekur” – dhe u largua menjëherë. 
U hutova dhe nuk po u besoja fjalëve. U alarmuan bashkëshortja dhe fëmijët. Menjëherë u vesha dhe dola nga shtëpia duke vrarë mendjen se cili ushtar ishte dhe pse e ka bërë një veprim të tillë, e më keq kush mund ta ketë vrarë…? Gjeta makinën dhe shkova në repart. 
Para se të shkoja në analizën me kuadro dhe ushtarë, që i kishte mbledhur komandanti i divizionit hapa zyrën time dhe në kasafortë mora fletoren, që kisha të dhëna për ushtarët, se e dija që atë pyetje do të më bënin të parën si komisar që isha. Ju përgjigja disa pyetjeve që më bënë duke theksuar se nuk kishte asnjë arsye për të bërë një veprim të tillë. Ishte vetë fakti që duhesh të haja kritika ku thelbi ishte se si komisar e sekretar partie duhet të njihja më mirë gjendjen, se kisha qenë disa vjet sekretar komiteti rinie dhe kisha eksperiencën e duhur etj. Argumenti që u përqendruan më shumë ishte se ushtari ishte shprehur një herë se nuk shtyhet ushtria. Këtë fakt e di, ju përgjigja – e thirra ushtarin, kam zhvilluar disa biseda me të dhe këtë shprehie e përdorin zakonisht ushtarët e rinj. A mos jam unë fajtor për këtë problem? Para disa ditësh se ushtari të vriste veten e erdhi kunati i tij, më pyeti për të dhe i thashë fjalë të mira për të, se ashtu sillej. Më kërkoi leje për t’a marrë në Elbasan por unë nuk ja dhashë se nuk kisha fletëleje, se ato i mbante brigada dhe ora ishte 16:30 e nuk kishte njëri në brigadë. T’i kishe dhënë leje – ndërhyri komandanti i divizionit. Sipas rregullores ushtarit të ri nuk i jepet leje pa e shoqëruar me fletëleje. Po t’i kisha dhënë leje e ndodhte ky fenomen ju do të merrnit masë partie apo shtetërore. Me kaq u mbyll çështja. Emrin dhe mbiemrin e ushtarit nuk po e shënoj se pas kaq vitesh hap një plagë tek prindërit apo të afërmit. 
Kush nga udhëheqësit e kohës ka ardhur në shkollën e bashkuar? Ç’farë ka thënë, a ka marrë takim me ju?
Në shkollën e bashkuar vinin shpesh udhëheqësit, që përfaqësonin ushtrinë si ministri i mbrojtjes Beqir Balluku apo shefi i shtabit të përgjithshëm Petrit Dume. Petrit Dumja zakonisht kontrollonte elementet e gatishmërisë luftarake. Në vitin 1971 (muaji maj) ka ardhur në shkollë Beqir Balluku. U mblodhëm kuadro dhe ushtarë, zhvilloi një bisedë të thjeshtë. Me të unë asnjëherë nuk kam marrë takim. 
Ku u caktuat kur mbaruat shkollën?
Shkollën e mbarova në dhjetor 1971 me specialitet artileri bregdetare. Në muajin prill 1972 u zgjodha sekretar i komitetit të rinisë në Regjimentin bregdetar, detyrë të cilën e ushtrova për shtatë vjet.
Si ishte gatishmëria dhe armatimi aty ku shkove?
Në repartin ku shkova gatishmëria luftarake ishte në parametra normale. Çdo bateri bregdetare ruante me fanatizëm çdo element të gatishmërisë me teknikën që dispononte. 
Në rast leje të zakonshme për kuadrin apo ushtarin ishte planifikuar zëvendësimi i tyre. 
Në qytetin e Fierit me rrethina kishte katër bateri të artilerisë bregdetare. Secila nga këto një herë në katër ditë ishte bateri e gatshme, që nënkupton kuadrot qëndronin në repart, ushtarët ishin të pajisur me pajisjet personale dhe armatimin e lehtë. Predhat luftarake ishin pranë topave. Qëllimi ishte që bateria e gatshme të plotësonte elementet e zjarrit sa të kompletoheshin edhe Bateritë e tjera. 
Gjatë këtij 24 orëshi kur bateria ishte e gatshme, komanda e Baterisë me plan të detajuar jepte disa herë sinjalin e kushtrimit, për të parë si i plotësonte efektivi elementet e gatishmërisë luftarake. 
Armatimi në repartin ku shkova ishte i prodhimit rus dhe kinez. 
Armatimi i prodhimit rus ishin topa 130 mm dhe 100 mm me tërheqje mekanike. Armatimi kinez kishte topa 85 mm, që përdoreshin edhe për artilerinë tokësore.

Sa stërvitje keni organizuar? Cila qe stervitja më e vështirë? Kush nga udhëheqësit ka ardhur në këto stërvitje? Ç’farë ka thënë?
Gjatë periudhës si oficer karriere kemi zhvilluar disa stërvitje me trupa. Stërvitja me trupa nënkupton kompletimin e repartit me ushtarë aktive dhe rezervist sipas organikës luftarake. Këto ishin stërvitjet më të vështira dhe organizoheshin në bregdet në bashkëveprim me batalionet artmitralere.
Stërvitja më e vështirë ka qenë për mua ajo e vitit 1974. Atë vit unë kisha planifikuar martesën me një shtator, po ashtu komanda e repartit më kishte planifikuar për të më dhënë lejen e zakonshme. 
Situata ndryshoi, sepse doli në skenë “grupi armiqësor” i Beqir Ballukut. Kjo u quajt tradhëti kombëtare dhe për t’ju kundërpërgjigjur u zhvillua stërvitja me trupa. Komanda e regjimentit me dijeninë e komandës së korpusit me shumë vështirësi më dhanë tre ditë leje për martesë. 
Dasmën e bërë në fshatin tim sipas traditës zakonore duke filluar të shtunën në darkë e deri ditën e hënë në mëngjes. Po sipas traditës kënga ishte hapur një javë para. 
Ditën e hënë në mëngjes bashkë me dasmorët u largova edhe unë, se në orën 14:00 duhet të paraqitesha në vendkomandën e regjimentit. Gjatë periudhës së stërvitjes që zgjati disa ditë në vendkomandën e regjimentit erdhi shefi i shtabit të përgjithshëm Petrit Dume, bëri një takim të shkurtër me efektivin dhe u largua. E kuptuam që ishte shumë i shqetësuar, por ende nuk e dinim arsyen. 
Sigal