Dhimitër Gjoka: Urimi i Thanas Nanos në 1975 në studio

1231
Sigal

Libri me kujtim i regjisorit dhe spikerit Dhimitër Gjoka:  Si mu dha rasti të lexoja materiale të rëndësishme të pleniumeve të Komitetit Qëndror të Partisë së Punës

Si më uroi Thanas Nano vitin e ri 1975 në studio

– Zëra si të Nevzat Dibrës, Sotira Gjymshanas, Vladimir Golemit, Antigoni Goxhit, Violeta Kongos, Angjelina Xharës, mbeten në kujtesë

-Si u njoha me Agron Çobanin, një prej gazetarëve të shkëlqyer që mbulonte ngjarjet politike në Radio

– Takimet interesante me regjisorët e talentuar të radios Xhelil Aliu dhe  Fane Anastasin.

Edhe pse unë nuk kisha folur me njeri tjetër përveçse me dhëndërin e shef Taqos, çdo gjë në repart ishte marr vesh tek oficerët e lartë. Shefi i Shtabit ishte me origjinë nga Narta e Vlorës. Për rastësi, unë isha shok gjimnazi me një nipin e tij, një ndër nxënësit më të mirë të shkollës “Halim Xhelo”. Në takimin me Shefin e Shtabit i cili ishte tepër miqësor, por gjithmonë duke ruajtur distancën epror-ushtar, më urdhëroi që pas bisedës që do të bëja me drejtuesit e Radio Tiranës, do të kthehesha në repart për t’u shpjeguar se si do të veproja për më tej në lidhje me oraret, si dhe më kujtoi për sjelljen shëmbullore që duhet të tregoja në të gjithë atë institucion të një rëndësie të veçantë për Republikën tonë,  siç ishte Radio Tirana.

Tashmë ishte e qartë për mua. Drejtuesit e Radios kishin bërë punën e tyre nëpërmjet shkresave dhe linjës telefonike me Regjimentin. Kjo do të thoshte se unë përfundimisht isha aprovuar për të qënë spiker në Radio. Nuk kishte kënaqësi më të madhe për mua ky nënkuptim e këto veprime të të sjellurit të eprorëve të mi. E nesërmja më gjeti sërish në RadioTirana. Në zyrën e Programacionit shef Taqua, me atë mirësjellje që e karakterizonte gjithmonë, më udhëzoi se si duhet të veproja. Ditët e para do të isha i pranishëm në studion e transmetimit zyrtar, pranë çdo spikeri për të parë dhe përfituar se si veprohej në transmetime të drejtpërdrejta. Në pushimet midis orareve të lajmeve ose kur do të kishte hapësira nga transmetimi i emisioneve, do të bëja edhe prova sikur do të isha në trasmetim të drejtpërdrejtë. Së pari, do të mësoja nga spikerët se si veprohej kur hapej mikrofoni për të folur, dhe kur duhej të mbyllej ai. Ishin veprime teknike të domosdoshme dhe të lidhura pazgjidhmërisht me procesin e të folurit. Çdo gjë duhet të ishte e saktë, pa veprime të tjera, pa fjalë të tepërta, përveçse ato që kishin destinën për t’u transmetuar. Duhej qetësi dhe vetëm vëmendje absolute ndaj materialit që transmetohej.

Më pas mësova se pjesë e Radios ishin edhe zëra të tjerë të bukur me karakteristika të veçanta që vinin, siç edhe unë, në orare jashtë orarit zyrtar. Me kalimin e kohës u bëmë shumë miq. Me ata ndërroja oraret e transmetimit. Zëra si të Nevzat Dibrës, Sotira Gjymshanas, Vladimir Golemit, Antigoni Goxhit, Violeta Kongos, Angjelina Xharës, bashkëkohës me startimin tim, do të plotësonin më së miri tingëllimin brilant të gjuhës shqipe në mikrofonin e Radio Tiranës.

Gjatë kësaj kohe më ishte dhënë mundësia të takoja edhe mjaft gazetarë të shkëlqyer, të cilët në shumë raste i kisha prezantuar nëpër edicionet e lajmeve. Takova Agron Çobanin, një prej gazetarëve të shkëlqyer që mbulonte ngjarjet politike në Radio. Shumë dashamirës dhe i komportueshëm më së miri me mua. Në shumë raste të takimit tonë, ai mundohej me takt të më bënte edhe ndonjë vërejtje, në thelb, shumë profesionale. E dëgjoja me kërshëri atë gazetar të madh, sepse vërejtjet e tij ishin shumë të sakta. Ndihesha mirë që ai më dëgjonte me vëmendje gjatë transmetimeve të mia direkte. Vëmendja e tij ishte në jo pak raste shumë e detajuar, deri aty sa më kishte dëgjuar edhe fëshfërimën e letrave kur i mbaja në dorë dhe i kaloja mbase pa kujdes nga njëra tek tjetra. As teknikja e transmetimit nuk ma kishte bërë këtë vërejtje, e vogël në dukje por jo e pastër për transmetimin. Edhe prej tij mora shumëçka që lidhej me profesionin tim. I dëgjoja prej fillimit e deri në fund punët që për mënyrën se si e ndërtonte lajmin dhe mbi të gjitha se si ai i përcillte nëpërmjet mikrofonit me atë zërin e tij të veçantë karakteristik. Një zë tjetër që njoha nga afër ishte Zamira Koleci. E përkushtuar pas punës së saj me plot pasion si gazetare e terrenit dhe e ngjarjeve. Një gazetare e kompletuar, kronikat e së cilës më pëlqenin.

Ditët kalonin duke lënë pas mbresa të bukura për mua. Kur kisha pak kohë, qoftë edhe dhjetë minuta, shkëputesha nga studioja dhe rrija tek dhoma e montazhit e cila ishte afër, ku montoheshin kronika, emisione të ndryshme, radiodrama apo këngë dhe më pëlqente të vështroja se si Kristaq Katundi, ky mjeshtër i përkryer i montazhit operonte me materialet në shirita si një qëndistar i rrallë. Aty takohesha edhe me regjisorët e talentuar të radios Xhelil Aliu apo Fane Anastasin. Të gjithë teknikët ishin mjeshtra në punët e tyre. Isha kurioz për çdo gjë. Dëshiroja të mësoja se si realizoheshin gjërat prej fillimit dhe deri sa shkonin në transmetim. Rrija në dhomën e teknikës kundruall studios së spikerave ku bëhej transmetimi i drejtpërdrejtë dhe aty mësova artin e bukur që tekniket si Vjollca Luto, Kasjani Gegeni, Zana Kora, Ida Luarasi apo Zana Pecani, me shkathtësinë e paimagjinuar të duarve të tyre kalonin nga njëra bobinë në tjetrën, me një saktësi dhe mjeshtri të jashtëzakonëshme. Takimet me kolegët e mikrofonit ktheheshin në biseda rreth transmetimit. Shpesh takoheshim sidomos paraditeve, kur thirresha për të lexuar ndonjë material që i shkonte zërit tim dhe që shihej e arsyeshme për të qënë unë në mikrofon drejtpërsëdrejti apo i inçizuar. Qëndroja me të gjithë sepse kishim se çfarë të flisnim. Merrja shpesh lavdërime nga Elsa, Liljana, Vironi me të cilin rrija pak më shumë apo edhe nga Meropi. Liljana lexonte edhe për Radion e jashtme. Me Verën takohesha më rrallë, pasi ajo jepte edhe mësim në institutin e Lartë të Arteve. Unë isha më i vogli në moshë dhe dukesha aty si “biri i Regjimentit” ngaqë i veshur si ushtar dhe me kokën e qethur më dukej se përkëdhelesha nga të gjithë. Kur kisha orarin e transmetimit në mbrëmje, në ditë të veçanta transmetohej muzikë klasike. Programi mbushej me rreth një orë me vepra nga autorë të mëdhenj botëror të kompozimit, si Bet’hoven, Puçini, Verdi, List, Shtraus, Bize, Moxart, e të tjerë, të cilët më kultivuan dëshirën për t’i ndjekur me ëndje. E prisja me padurim këtë orë transmetimi. Anonçoja plot tituj të veprave dhe rrëmbehesha pastaj pas notave që tingëllonin bukur nga orkestra prestigjoze botërore por edhe të luajtura nga orkestra jonë simfonike e Radio Televizionit. Fillova të pëlqeja shumë ariet e bukura të kënduara nga artistë të mëdhenj të skenës së operas. Zëra tenorësh, sopranosh dhe baritonësh më mbeteshin në mëndje për forcën dhe bukurinë e zërit të tyre. Ndieja se nga dita në ditë po aftësohesha gjithnjë dhe më mirë para mikrofonit. (Sa për gabimet, as nuk diskutoheshin se mund të ishin pjesë në leximet e mia të drejtpërdrejta.) Sipas rastit, merrja me vete edhe ndonjë libër për të lexuar në studion e transmetimit, pasi kisha edhe kohë të lirë kur transmetoheshin emisione që zgjatnin nga tridhjet minuta e më shumë. Nganjëherë ndieja edhe lodhje nga gjithë ajo punë e tensionuar. Ec e jaket nga Regjimenti në Radio dhe anasjelltas apo detyrat që zbatoja si ushtar që isha, edhe më lodhnin. Shpesh shkoja në tualet dhe  shplaja fytyrën por edhe qafën me ujë të ftohtë. Por asgjë nuk më ndalte, nuk më lodhte shpirtërisht në përkushtimin tim. Gjithmonë mendoja se, si ushtar, isha në një pozicion të dëshirueshëm për të gjithë. Mësova se në konkursin që ishte zhvilluar pjesë e të cilit isha, kishin ardhur shumë konkurentë nga çdo cep i Shqipërisë. Dhe rezultati ishte që fitues kisha dalë vetëm unë. Kjo më detyronte moralisht të perfeksionohesha dhe vetëm të perfeksionohesha sa më shumë që të ishte e mundur. I kisha vënë vetes detyrë që të dëgjoja me vëmendje çdo koleg në oraret e tyre të transmetimitdhe të merrja prej tyre më të mirën e mundshme. Zërat e tyre ishin një mrekulli. Nisur edhe nga përvoja qëbartnin,ata kishin kapur lartësitë e komunikimit radiofonik me dëgjuesit, aq sa mua më dukeshin të pakapshëm,. Sinqerisht e ndieja veten shumë poshtë atyre zërave magjik që tingëllonin kaq bukur në mikrofon dhe që mua më kishin dhënë shumë nga profesioni. Ua kisha për faleminderit që e ndieja veten si pjesë e atij kolektivi. Kaq për mua ishte e vlefshme. Por në ambicien time kishte vend për më shumë akoma. Duhej punë dhe vetëm punë.

Ishte mbrëmja e fundit e Vitit të Ri 1975.

Isha caktuar që të jepja Revistën Radiofonike dhe prej fillimit të saj e deri në mbyllje të transmetimit do të isha në mikrofon drejpërdrejtë. Pasi mbarova lajmet dhe bëra anonçimin për programin e Vitit të Ri, u hapën dyert e studios dhe pashë se brenda  hyri Drejtori i Përgjithshën i Radio Televizionit Shqiptar Thanas Nano, mbështjellë me një pallto të gjatë, ngjyrë të zezë,  e cila i rrinte mirë në trupin e tij të imët, i shoqëruar nga shefi i programit Taqo Katro.

-Erdha Dhimitri, – më tha – të të uroj Gëzuar Vitin e Ri!

Për mua ardhja e Drejtorit të Përgjithshëm ishte e papritur.

-Të kam ndjekur me shumë vëmendje! – vazhdoi më tej i buzëqeshur – Bile edhe ata lart e pëlqejnë shumë zërin tuaj!

Edhe pse i hutuar nga vizita e papritur e mblodha veten dhe me mirësjellje i ktheva edhe unë përgjigje:

-Shumë faleminderit dhe gëzuar edhe Ju! Për shumë vjet! – i thashë dhe shtrënguam duart fort me njëri-tjetrin. Pastaj u përshëndeta edhe me shef Taqon. I përcolla deri në koridor dhe u ktheva sërish në studio.

Një vizitë e shkurtër por shumë domethënëse për mua. Më mbetën në mend fjalët e pakta që më tha. “Edhe ata lartë e pëlqejnë shumë zërin tuaj!”. Kjo fjali do të më ngrinte peshë. Kisha marrë urimin më të bukur. Udhëheqja e lartë e partisë më kishte pëlqyer. Në atë kohë përgëzime të tilla ishin të jashtëzakonshme. Të të vlerësonin ata, ishte një nder i madh që bëhej. U ula në karriken e punës dhe të them të drejtën ndihesha jashtëzakonisht i lumtur.

JETËSIMI I ËNDËRRAVE

 Më në fund u lirova nga shërbimi nën armë. Qysh në ditët e para, nisa të ndihesha më mirë në jetën civile.Nuk do të më shqetsonte më rreshtimi,apeli apo ec e jaket në kohë të mirë apo të keqe nga Tirana në Farkë dhe anasjelltas.Nuk do të më shqetësonte më as llustrimi ikëpucëve, i togzës së rripit apo e kisha të pastër qaforen, apo pecet e këmbëve.Isha më i lirë dhe shumicën e kohës ndieja se e kisha plotësisht timen.

Për një periudhë tjetër vazhdova si bashkëpuntor i jashtëm i Radio Tiranës.Tashmë kisha fituar një përvojë shumë të madhe, aq sa m’u besua, me alternime, edhe “Revista Radiofonike” e mbrëmjes,edicioni qendror i lajmeve.Më ishte dhënë rasti të lexoja shumë e shumë materiale të rëndësishme të pleniumeve të Komitetit Qëndror të Partisë së Punës që duheshin transmetuar ashtu si edhe materiale të shumta nga fushat e kulturës,rinisë dhe tëbujqësisë. Ndieja se kisha fituar një pjekuri zëri edhe më të mirë dhe kjo përvojë e fituar më bënte të barabartë me kolegët e tjerë.Por nuk mund të vazhdoja për shumë kohë kështu.Honoraret që merrja për punën time ishin një e ardhur e mirë, por ato nuk mjaftonin siç mund të ishte një rrogë mujore pune. Tashmë domosdoshmëria kryesore e imja ishte shkolla e lartë, ashtu siç më duhej të vishesha,të ushqehesha dhe tëkisha të holla në përdorim të përditshëm. Nuk mund të isha më i varur nga familja.Isha në një moshtë të rritur, ku përgjegjësitë mbarten mbi supe.Përveçse në Radio, nuk e shikoja veten në asnjë punë tjetër.