Suplementi Pena Shqiptare/ David Boseta: Dashuri në kohërat e virusit

735
Sigal

 

 

Atë mëngjes Klajdi me zor gjeti vend të lirë parkimi në oborrin e spitalit “Nënë Tereza”. Nxitoi -shkallëve me një frymë, nuk i pëlqente vonesat, për më tepër që këto ditë ishin tepër të ngarkuara. Që i vogël ishte mësuar me rregull e korrektësi, tipare që shpesh e bënin objekt ngacmimesh mes kolegëve, të cilët e thërrisnin Peshkop. Sapo hyri në dhomën e infermierëve u zhyt në vorbullën e bisedave që bënin kolegët e tij, flisnin të gjithë njëheri e askush nuk kuptonte çfarë thuhej në atë kakofoni fjalësh të cunguara. Kryefjala e ditëve të fundit ishte Coronavirus, pandemia vdekjeprurëse që kishte pushtuar botën. Flitej kudo për “virusin e shekullit” i cili fillimisht u evidentua në Kinë por shumë shpejt u përhap në mbarë botën. Ishte fillimi i marsit kur qeveria shqiptare urdhëroi mbylljen e shkollave dhe të subjekteve tjera shtetërore e private. Në rrugë nuk shihje këmbë njeriu. U mbyllën kufinjtë dhe u ndalua lëvizja e mjeteve e këmbësorëve. Lejohej vetëm një anëtar familjeje të dilte me leje njëorëshe, sa për të bërë pazarin. Izolim të tillë bota nuk kishte njohur kurrë më parë. Paniku vinte në rritje. Mediat vendase e ato ndërkombëtare raportonin 24 orë në ditë shifra marramendëse të përhapjes së virusit shkatërrimtar, rasteve të infektuara e jetëve të humbura. Kronikat televizive bombardonin sistematikisht shikuesit me lajme e parashikime makabre të ekspertëve gjithologë që realisht nuk dinin asgjë të saktë.  Coronavirus apo ndryshe  Covid-19 kishte gjunjëzuar globin. Bota ishte zhytur në kaos, darët e vdekjes shtrëngoheshin gradualisht. Lajme tronditëse vinin nga vendi fqinjë Italia ku çdo ditë humbnin jetën 800 deri në 1000 njerëz.

* * *

Klajdi prej gjashtë vitesh ishte pjesë e stafit të spitalit. Pasi kishte mbaruar studimet me rezultate të larta në degën e infermierisë si dhe trajnime formimi shtesë, ishte pranuar si kryeinfermier në repartin e sëmundjeve infektive. Natyra e tij studioze dhe shpirti human e kishin perfeksionuar në kryerjen e detyrave. – A e morët vesh – tha Kola – infermieri nga veriu – kryeministri asht tu ba nji staf me mjek e infermiera prej tanë Shqipnisë me i shku në ndihmë Italisë. – Fjalë e rrenë ke he dreq, gjynah me kenë malcor – e shpotiti Nardi oksigjenisti dibranë. – Jo pasha kryet e fmijve se ke rrenë – iu turr Kola – e kam ndie vetë drejtorin tu folë me doktor Gzimin.  Pa mbaruar Kola fjalën Klajdi doli me të shpejtë, ngjiti shkallët dhe trokiti në derën e drejtorit. – Më falni doktor, unë jam Klajdi kryeinfermier te reparti i sëmundjeve infektive. Dëgjova që po organizohet një staf për ti shkuar në ndihmë Italisë.  – Po është e vërtetë, dje mu komunikua nga ministria – iu gjegj drejtori duke e parë me kërshëri. – Nëse më lejoni, do doja të jepja kontributin tim modest në ndihmë të popullit italian i cili na është gjetur pranë në momentet tona më të vështira. Nëse është e nevojshme ju sjell një kopje të diplomës dhe dëshmive të gjuhëve të huaja. Drejtori entuziast u ngrit në këmbë dhe e përgëzoi me dashamirësi. – Bravo djalosh, njerëz si ju i duhen vendit tonë. Po komunikoj në çast me ministrinë.  Tre ditë më vonë Klajdi iu bashkua grupit prej 30-të bluzave të bardha. Në aeroport u përcollën nga kryeministri dhe shumë zyrtarë të lartë.

* * *

Puna në spitalin e Breshias ishte tepër e vështirë, jo vetëm për ekipin shqiptar por edhe për kolegët italianë. Mbingarkesa e pacientëve sa vinte e bëhej më e madhe por të gjithë bashkë mjekë e infermierë punonin me vetmohim duke dhënë maksimumin e tyre. Fillimisht e gjitha kjo iu duk tronditëse Klajdit, sikur gjendej në ndonjë spital ushtarak në gjëndje lufte, ku  realisht bilanci i vdekjeve ishte shqetësues. Dita e parë e punës, pacientja e parë të cilës Klajdi po i bënte serumet përkatës në prani të mjekut ishte një grua brune me sy të zinj diku te të 35-tat.  Klajdi si djalë simpatik dhe i edukuar tregohej shumë i dashur në marrëdhënie me pacientët. – Si quheni? – pyeti ai me buzëqeshje. – Elvira – iu përgjigj ajo – Po ju? Zëri i saj këngëzonte me një timbrikë engjëllore. – Unë jam Klajdi – gëzohem. – Atëherë doktor, a mund të më shpjegoni çfarë po ndodh me mua? Vërtetë është vdekjeprurës ky dreq virusi?  – Së pari unë nuk jam doktor, nuk jam as italian por jam shqiptar. Ndërsa virusi është kinez – u mundua me humor ta zbuste situatën. – Shqiptar? I lindur këtu besoj. – Jo, i sapo rënë nga qielli, domethënë nga avioni – qeshi ai. – Epo, me italishten qënke goxha mirë – ngacmoi ajo. – Edhe ti gjithashtu – qeshi Klajdi. Qeshën të dy. Kalimi i bisedës nga Ju në Ti e ngrohu situatën. Sytë e qeshur të Elvires u miqësuan me sytë e djaloshit shqiptar. Ajo ishte vërtetë e bukur. Flokët i binin mrekullisht mbi supe, dukej sikur sapo kish dalë nga ndonjë sallon bukurie. Dukej femër e guximshme, ndryshe nga pacientët e tjerë nuk qahej por e mbante veten edhe pse brënda saj ndiente shqetësim e pasiguri.  Ditët kalonin mes ankthit e panikut. Vizita, testime, injeksione e konsulta të panumërta me mjekët specialistë. Spitali gumëzhinte rrëmujshëm si koshere bletësh. Qindra pacientë anembanë vendit humbnin betejën e tyre e qindra të tjerë shtroheshin çdo ditë.  – Kam temperaturë të lartë, ndiej shumë dhimbje – tha Elvira një mëngjes. – Mos u shqetëso, do kalojë, – iu kthye Klajdi duke i vënë dorën në ballë. Asgjë me rëndësi, do shërohesh shpejt. – Nuk kam hallin tim – foli me zë të ulët Elvira, ndërsa një lot i njomi faqen. – Shqetësohem për tim bir, e kam lënë në shtëpinë e një mikes time. Është vetëm pesë vjeç e në shtëpi nuk mund ta lija dot vetëm. Jam e divorcuar e nuk kam njeri tjetër të kujdeset për Lukan. Më duhet të shërohem për atë, jo për veten – tha ajo dhe uli sytë e njomur. Klajdi bëri dy hapa drejt dritares duke i kthyer shpinën pacientes së tij, e cila nuk vuri re se edhe ai po qante.

* * *

Klajdi punonte pa u lodhur në krah të kolegëve të tij. Pacientët e donin të gjithë sidomos ato më të moshuarit pasi iu shërbente me përkushtim e respekt, madje edhe duke shkëmbyer batuta me të gjithë për të thyer sadopak klimën spitalore. Sa i mbetej ndonjë minutë i lirë vraponte te dhoma 7 aty ku e priste Elvira. Çdo mëngjes i sillte lule dhe çokollata. – Si e kam princeshën time sot? – Pyeste ai me buzëqeshje.  – Lodhesh kot – i kthehej Elvira – unë kam një tjetër princ, madje me emër fisnik “Coronavirus”. Qeshnin të dy, Elvira mundohej me çdo mënyrë ta sfidonte situatën në të cilën ndodhej, ndërsa Klajdi mundohej ti gjendej afër, ti tregonte se ajo nuk ishte vetëm, kurrë më. Mbrëmjeve vonë në hotel Klajdi mendonte shumë për Elviren, nuk i hiqej nga mendja. Për të parën herë ndiente ti rrihte zemra fort për një femër. Sigurisht që kishte patur njohje me vajza por kjo ishte diçka tjetër, e ndiente, kjo ishte dashuri. E kishte dashuruar me shikim të pare apo  colpo di fulmine siç thonë italianët. Ndoshta duket vërtetë e pamundur të dashurosh dikë në situata të tilla kaq tragjike, ku jeta vallëzon me vdekjen, po ja që ndodh. A nuk është diçka e mrekullueshme?

* * *

Dita ditës Elvira përmirësohej dukshëm falë edhe kujdesit që tregonte Klajdi. Shpesh herë dashuria është ilaçi më i mirë, por jo të gjithë e dinë, veç ata më fatlumët. Të nesërmen në mëngjes Klajdi fluturonte në koridor, në dorë mbante përgjigjet e analizave të Elvires dhe fletë-daljen nga spitali.Hyri i lumtur në dhomën 7 por shumë shpejt hasi në vështrimin serioz të Elvires. – Klajdi, mbylle pak derën të lutem, dua të të them diçka. Toni i zërit nuk premtonte bisedë pozitive. Ai u ul përballë saj ta dëgjonte. – I dashur Klajdi, unë e vlerësoj shume gjithçka që ti bën për mua. E ndiej çdo ditë përkujdesjen e simpatinë që ke për mua. Të dy ndiejmë që mes nesh po lind diçka e bukur por ndoshta nuk e kuptojmë se ndërsa tentojmë të fluturojmë lart me krahë engjëjsh padashur po biem në një hon të thellë nga i cili nuk do mund të dalim me.  – Përse mi thua këto fjalë Elvira? Unë nga ti prisja puthje jo plumba.  – Klajdi, mundohu të më kuptosh i dashur. Jam menduar gjatë para se ti them këto fjalë. Është e pamundur të funksionojë mes nesh. Unë jam më e madhe se ti, jam e divorcuar, kam një fëmijë  për të rritur. Ndërsa ti je një djalë simpatik në moshën më të mirë, ti mund të kesh çdo femër të bukur në krah. – Unë nuk dua të kem femër tjetër Elvira –  tha Klajdi, duke i kapur duart. Dua të të kem ty, ashtu siç je. Nëse mendon për vete, më jep një arsye të fortë. Nëse mendon për lumturinë time më lejo të të dua. – Ah, ti je i çmendur shqiptari im i vogël – pëshpëriti Elvira mes puthjesh të zjarrta, – të dua, të dua, të dua.  – E ku ka më bukur se të jesh i çmendur e të dashurosh çmendurisht – ia ktheu Klajdi me puthje. – Çohu tani, të arratisemi prej “kështjellës” ku të solli “princi me kurorë”.  Unë nuk të premtoj kështjellë por një zemër brenda të cilës do jetosh e lumtur përgjithmonë.

* * *

Të kapur për dore kaluan portën e spitalit. Elvira u mahnit kur dolën në rrugën që zhurmonte fuqishëm. Në ballkonet e pallateve përballë, qindra italianë duartrokisnin me sytë nga spitali. – Po këta çfarë bëjnë kështu? Për kë duartrokasin kaq fort?- pyeti e mahnitur Elvira. – Duartrokasin për respekt të bluzave të bardha, këtë e bëjnë çdo ditë, por sot më duket se duartrokasin për ne – tha Klajdi duke e përqafuar fort.