“Lufta e  Ftohtë”, ja incidenti i rëndë mes Tiranës dhe Beogradit 

631
Sigal

 

Ekskluzive për  gazetën “Telegraf”

NOA

 Rrëfim i rrallë i Kolonel Dr. Eqerem Shakaj dhe dokumentet “Tepër sekret” për  incidentin e ndodhur 50 vite më parë në kufirin Shqipëri-Jugosllavi, në zonën Prizren- Has. Shfrytëzimi ilegal i kromit nga jugosllavët,s i u sigurua informacioni, faksimilet dhe fotografitë e kohës. Krijimi i Komisionit Shtetëror, marrveshja e Beogradit dhe takimi pas 5 dekadash në Tiranë

 

 Një incident i rëndë, cilësuar “Cënim i territorit të Republikës së Shqipërisë”, (nga Republika Federale e Jugosllavisë), ndodhur plot 5 dekada më parë, vjen i plotë, me detaje, me dokumente ‘Tepër sekret’ dhe me fotografi të protagonistëve të kohës, vjen në disa numra radhazi të gazetës sonë. E sjell kolonel, dr. Eqerem Shakaj, ish- përfaqësues i Komisionit Shtetëror të Mosmarrëveshjeve me shtetet Fqinjë, i Republikës së Shqipërisë në atë kohë.

I mbetur ‘Tepër sekret’ për kohën, çuditërisht dhe në 30 vite të postdemokracisë, zbardhja e tij tashmë, hedh dritë mbi atë ndodhi të rrallë të kohës, reagimet e ndërsjellta dhe përplasjet deri mes krerëve përkatës të shteteve atë kohë, nga Enver Hoxha, Mehmet Shgehu e Kadri Hazbiu nga pala shqiptare, tek udhëheqësit kryesorë të ish- Jugosllavisë e Josif Broz Titos. Flasin në këtë kontekst dokumentet e kohës, fotot, rrëfimet sotme të protagonistëve të kohës, shpalosen dyshimet, reagimet e përplasjet mes palëve (por dhe brenda secilit shtet) për incidentin, roli i funksionarëve më të lartë të UDB-së jugosllave e homologëve të Shqipërisë, roli i agjentëve në palën kundërshtare, femrat misterioze, skena e prapaskena të takimeve në Shkodër, Gjakovë, në Tiranë apo Beograd. Gjithçka, deri në fund, ku pala jugosllave kapet me ‘presh në duar’, pranon fajësinë e ndëshkimin (dhe dëmshpërblimin). Zbardhet gjithashtu dhe shkaku, pse qeveria shqiptare nuk pranoi dëmshpërblimin në të holla, dhe cili qe kompromisi i heshtjes nga qeveria shqiptare për mosdenoncimin botëror të këtij skandali pa precedent. Në fund, dossierët në vazhdim, si ‘qershia mbi tortë’, sjellin dhe takimet e vizitat e ndërsjellta të sotme të protagonistëve të kohës, të armiqve të djeshëm që u kthyen sot në miq. . .

 Ekskluzive/Rrëfim i rrallë i kolonel dr. Eqerem Shakaj dhe dokumentet tepër sekret të një incidenti të ndodhur 50 vite më parë, në kufirin shtetëror Shqipëri- Jugosllavi, në zonën Prizren- Has, shfrytëzimi i pasurisë minerare (krom) nëpërmjet galerive nëntokësore të Shqipërisë, në një vlerë tepër të madhe financiare.

 Shfrytëzimi ilegal nëntokësor i minierës nga jugosllavët, shkelje e paprecedentë e integritetit territorial të Shqipërisë, me pasoja të mëdha politike, ekonomike, ushtarake e morale

Nga Kujtim BORIÇI

 

Në vitin 1956, mbarova shkollën e lartë për oficer topograf me gradën nëntoger dhe u emërova në Detashmentin Topografik në Ministrinë e Mbrojtjes. Ai përbëhej pothuajse plotësisht prej ish skënderbegasve. Kam qenë një ndër specialistët, që u morën me përgatitjen dhe përpunimin e hartës me shkallë 1: 25000, që ishte një sukses dhe arritje e madhe për Shqipërinë, në atë kohë, për vitet 1956-1965. Pesë muajt e parë të vitit 1958, bashkë me oficerin topograf, Petrit Dervishi, kryem punime topo-gjeodezike nga Himara deri në Kepin e Stillos duke matur, llogaritur dhe ngritur një zinxhir pikash (3 m), që shërbyen për forcat e marinës ushtarake shqiptare dhe asaj greke, që u morën me çmontimin e Kanalit të Korfuzit nga minat e ngelura të Luftës së Dytë Botërore, hedhur nga gjermanët. Është periudhë tejet e rëndësishme kjo, e cila kërkon një bisedë tjetër të gjatë mes nesh. Kam fakte dhe dokumente (tepër sekrete të kohës), të panjohura e të papublikuara.

Në vitin 1961 jam transferuar si specialist topograf në Ministri, për të kryer të gjitha punët topo-gjeodezike për tunelet, vend strehimet si dhe në kufijtë shtetërorë. Kam qenë pedagog për lëndën topografi ushtarake në Akademinë e Rendit, deri sa dola në pension. Në vitin 1964 u diplomova inxhinier topo-gjeodezi në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Në vitin 1985 mbrojta disertacionin për “Doktor Shkencash”, para Këshillit Shkencor të Akademisë Ushtarake me temë:“Roli dhe rëndësia e terrenit dhe mënyrat e studimit të tij. ”. Pra kjo është shkurtimisht karriera, një jetë e tërë në një punë delikate. Kuptohet, se në kohën e luftës së ftohtë, unë isha personi i parë specialist në atë kohë që ne bashkëpunonim me ekspertët teknikë të vendeve fqinj.

“Eqerem Shakaj: M’u përforcua dëshira që të punoja për t’i kapur me “presh në duar” jugosllavët, që kishin cënuar integritetin territorial të Shqipërisë dhe grabitjen e pasurive tona minerale, që përbënte precedent dhe provokacion shumë të madh. Po arsyetoja më tej: ky vend ka zot, jo vetëm për ta ruajtur dhe mbrojtur kufirin tokësor dhe ajror me armë në dorë, por edhe për ta mbrojtur edhe, në thellësi të tokës jo me armë, por me “laps në dorë”. Kështu, si atdhetar, oficer karriere, si specialist, u vura të verifikoj dyshimin. E dija që do të ishte e vështirë e me plot rerziqe. ”

 

Ngjarjet nëpërmjet bashkëbisedimit:

-Pra, kolonel, kjo punë që ju keni kryer, tejet specifike, sigurisht e dokumentuar (dokumente me siglën ‘Tepër sekret”), përmbledh një mori ngjarjesh, personazhesh, takime komisionesh dypalësh, biseda apo takime pune me udhëheqësit më të lartë të shtetit të kohës, takime pune brenda e jashtë Shqipërisë, ditë apo net pune me kolegë jugosllavë, grekë, italianë, që në fakt, siç dhe kemi biseduar, shumë prej tyre ishin dhe ministra apo zëvendësministra të shteteve përkatëse, funksionarë të lartë të UDB-së, Asfalisë greke apo zbulimit italian?

-Sigurisht që po. Sikundër dhe në ekipet tona. Ka qenë luftë e ftohtë e, qenia e Shqipërisë e izoluar për shkak të regjimit, kishte specifikë të veçantë, kërkonte angazhim, kërkonte profesionalizëm e këmbëngulje, pasi ishim betuar se i shërbenim vendit tonë dhe e dinim se përballë kishim armiq të deklaruar që i shërbenin politikave e interesave të vendeve të tyre.

-Tashmë, pas mbi 5 dekada, si do e përmblidhnit në pak fjalë këtë përballje apo detyrë tuajën dhe kolegëve, të suksesshme, apo dhe me probleme apo. . . ?

-Jo për mburrje, por me bindjen e plotë dhe sot si atëherë: Plotësisht të suksesshme. Kemi mbrojtur me dinjitet, profesionalizëm e atdhetari interesat tona, çdo pëllëmbë të tokës sonë, (pasi në vijën kufitare dypalëshe, kishte tendenca për të na ‘ngrënë’ dhe metra apo centimetra). Dhe për këtë, jemi vlerësuar (më saktë jemi respektuar) dhe nga kundërshtarët tanë në takimet zyrtare, apo dhe në biseda të lira. Flas për atëherë, por edhe tani vonë jemi takuar e ky ka qenë konfirmimi e vlerësimi i tyre.

-Jeni takuar pas vitit 1990 me armiqtë tuaj të dikurshëm, me kolonelët e UDB-së?

-Sigurisht që jemi takuar. Kemi riparë fotot e atëhershme të bëra zyrtarisht apo dhe ‘shoqërisht’, kemi bërë dhe foto të tanishme. Në Prizren, në Kosovë, në Beograd, në Tiranë e në Durrës. Ata kanë ardhur dhe për pushime tashmë në pleqëri dhe frekuentojnë plazhet tanë.

-E keni fjalën konkretisht për incidentin e rëndë, shfrytëzimin e pasurive tona nëntokësore ilegalisht në zonën Has (Kam)- Prizren në formë tuneli nga jugosllavët, ku grabitën pasuri në miliona euro, për kolonelët e funksionarët e lartë të UDB-së që u ballafaquat dekada më parë?

-Jo vetëm për ata. Po ata, sigurisht që po. Nuk e harrojnë ballafaqimin e argumentet e palës sonë, këmbënguljen deri në verifikimet në vend, në minierë, të skandalit. Ata mbronin interesat e tyre, ne tonat dhe e vërteta ua mbylli gojën. Dokumentet dhe dëshmitë zyrtare të kohës, që po u afroj, zbardhin një nga incidentet më të rënda të kohës, që çuditërisht (e kam fjalën për këto 30 vitet e fundit), ky incident nuk është përmendur asnjëherë.

-Për kuriozitet dhe për lexuesin: Mes këtyre kolonelëve jugosllavë, kundërshtarët tuaj të dikurshëm në ballafaqime, që vijnë tani në pleqëri e që ju thoni se i keni takuar, ka shqiptarë?

-Ka posi. Bile, meqë jeni dhe kurioz, apo shtroni këtë pyetje, ata, veçanërisht një shef i UDB-së për Prizrenin, një zëvendësministër, bile, të dy shqiptarë, njëri me origjinë të largët nga Burreli, e tjetri nga Kavaja, (mbante këtë mbiemër atëherë dhe sot), ishin më të ashpër me ne, më kundërshtues se kolegët e tyre jugosllavë. Unë do u jap dokumentet e kohës, emrat e tyre debatet e gjithçka që ka ndodhur lidhur me këtë incident të rëndë të kohës.

-Faleminderit! Por për të qenë më të qartë dhe me lexuesin, ndoshta mund të na thoni diçka rreth detyrës, funksionit tuaj, ose më saktë, a kanë veçori dalluese punimet topo-gjeodezike në kufirin shtetëror me ato që kryen zakonisht për matjet dhe bërjen e hartave, planeve etj?

-Po, kanë. Nga pikëpamja e matjeve dhe llogaritjeve nuk koincidojnë. Por specialistët topografë kur dërgohen në kufi për punë, janë të detyruar të zbatojnë me saktësi protokollet dhe marrëveshjet ndërkombëtare të viteve 1922, 1926, që përbëhen: nga hartat me shkallë1: 50000, skicat e çdo piramide me përshkrim vijën kufitare midis tyre, si dhe disa përcaktime të kritereve të shtrirjes së vijës së kufirit në ujëra, që janë të detyrueshme për çdo shtet. Topografi e ka të qartë plotësisht shtrirjen e kufirit shtetëror në tokë dhe në hartë. Ajo mund të shtrihet nga një piramidë te tjetra në kurrize, ujëmbledhëse, në vijë të drejtë, në zig-zage dhe matet e llogaritet deri në m/m në fjalë, dhe në letër. Po kështu është dhe për shtrirjen e kufirit në liqene, lumenj, përrenj dhe det. Kur ekziston mirëkuptimi midis specialistëve, çdo problem zgjidhet drejt. E kundërta ndodh kur mbron interesin e shtetit që përfaqëson, duke pretenduar më tepër se ajo që të lejon në dokument. Shpesh herë puna ndërlikohet kur ndaj specialistit bëhet presion që dokumenti (plani, harta) të mos interpretohet sipas matjeve, por sipas kërkesës të drejtuesve, që nuk janë specialistë. Shumë rallë ndodh që të mos bien në dakortësi për interpretimin e shtrirjes së kufirit. Ka probleme për saktësim të vijës së kufirit, sidomos në fshatra ose shtëpi, që shtrihen në afërsi të kufirit (raste të tilla kanë qenë të pakta). Kur vija e kufirit kalon afër tokës ose pyllit të fshatit, njoftohen organet lokale e deri lart në qeveri. “Po ta hedh serbi. Ato janë pronat tona” na thonë. Por shtrirja e kufirit sipas dokumenteve, nuk pyet njeri. Ajo do të vendoset. Prandaj topografi mat shtatë herë dhe vepron njëherë. Për t’u dalë përpara këtyre problemeve, zakonisht shkojnë dy topografë. Në formatin e dokumenteve të kufirit shtetëror, firma e specialistit topograf është kryesorja. Ai përgjigjet penalisht. Firma e kryetarëve ka rëndësi për vërtetimin e firmës së ekspertit. Në vend që topografi të jetë anëtar komisioni, ai vendoset në fund të listës, tek daktilografisti. Të gjithë anëtarët dhe ekspertët në komision, zbatojnë ato që thotë specialisti. Probleme në kufijtë shtetërorë ka pasur dhe do të ketë. Kështu në vitet ’50, Italia me Jugosllavinë u përplasën për probleme të tilla. Në vitet 1970, rusët dhe kinezët për një ishull në vijën kufitare të Amurit, u përplasën me armë. Problemi i shtrirjes së kufirit midis Kosovës dhe Malit të Zi u zgjidh me vështirësi.

“Në korrikun e vitit 1968, Komisioni i Përbashkët Shqiptaro- Jugosllav për riparimin e piramidave kufitare, po punonte rreth dy kilometra larg në perëndim të postës së kufirit “2 Prushi” dhe në të majtë të rrugës Kame-Gjakovë, për vendosjen e një piramide të re ndërmjetëse kufitare. Për të shkuar në rrugën më të shkurtër dhe sa më shpejt në sektorin ku do të punonim, lëvizëm brenda kufirit Jugosllav. Ndodhi që po kalonim në afërsi të rrugës të një miniere kromi, që gjendej rreth 200 -250 larg nga vija e kufirit shtetëror. Më lindi dyshimi këtu.  ”

 

-Të kthehemi tani tek incidenti i rëndë me jugosllavët? Së pari, si u evidentua shkelja e kufirit shqiptar nga jugosllavët dhe punimet nëntokësore ilegalisht në një distancë të konsiderueshme?

-Po. Në korrikun e vitit 1968, Komisioni i Përbashkët Shqiptaro-Jugosllav për riparimin e piramidave kufitare, po punonte rreth dy kilometra larg në perëndim të postës së kufirit “2 Prushi” dhe në të majtë të rrugës Kame- Gjakovë, për vendosjen e një piramide të re ndërmjetëse kufitare. Për të shkuar në rrugën më të shkurtër dhe sa më shpejt në sektorin ku do të punonim, lëvizëm brenda kufirit Jugosllav. Ndodhi që po kalonim në afërsi të rrugës të një miniere kromi, që gjendej rreth 200 -250 larg nga vija e kufirit shtetëror. Në hyrje ishin dy barana të vogla dhe fundi i hyrjes të tunelit të lartë. Ishte hera e parë që e shikoja, por më tërhoqi vëmendjen. Nga Tropoja deri në malin e Pashtrikut është zonë krommbajtëse; e njohur dhe e shfrytëzuar që në kohën e Turqisë, që vazhdoi me italianët dhe gjermanët. Të dy shtetet vazhdonin të kërkonin dhe të shfrytëzonin kromin, në të dy anët e kufirit. Në Gjakovë është ngritur një kombinat për përpunimin e mineralit të kromit.

Një oficer i kufirit, që kishte 10 vjet, që shërbente më tha: “Unë kam zëvendësuar një shokun tim, që edhe ai kishte shërbyer për shumë vite dhe, kjo minierë shfrytëzohej edhe atëherë.” Kromi ishte një mineral shumë i përdorur në industri, ndërmjet të tjerave edhe për prodhimin e armëve. Thuhej se kishte rënë në dorë një pushkë e prodhimit gjerman me inicialet e Krom -Kam. Më lindi mendimi: ka shumë mundësi që jugosllavët, pasi të mbaronin shfrytëzimin e kromit në tokën e tyre, meqë trupat e kromit vazhdonin të shtriheshin edhe brenda tokës shqiptare, mund të vazhdonin shfrytëzimin më tej. Patjetër kam menduar se është shumë e vështirë të zbuloheshin punimet e tyre në thellësi të minierës. Po edhe në qoftë se na kapnin do të kërkojmë të falur, se gjoja ka gabuar një specialist i yni në matje dhe jemi gati t’i dëmshpërblejmë për mineralin e shfrytëzuar. M’u përforcua dëshira që të punoja për t’i kapur me “presh në duar” jugosllavët, që kishin cenuar integritetin territorial të Shqipërisë dhe grabitjen e pasurive tona minerale, që përbënte precedent dhe provokacion shumë të madh. Po arsyetoja më tej: ky vend ka zot, jo vetëm për ta ruajtur dhe mbrojtur kufirin tokësor dhe ajror me armë në dorë, por edhe për ta mbrojtur edhe, në thellësi të tokës jo me armë, por me “laps në dorë”.

Kështu, si atdhetar, oficer karriere, si specialist, u vura të verifikoj dyshimin. E dija që do të ishte e vështirë e me plot rreziqe.

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Biseda e kolonelit me eprorët për dyshimin, informacioni zinxhir dhe diskutimi në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Kontaktet me krerët e Ministrisë së Energjitikës e Gjeologjisë dhe asaj të Ministrisë së Mbrojtjes. Ndihma që kërkohej dhe personat që u angazhuan.