Dalan Buxheli/ Akti i jashtëzakonshëm i Vasil Laçit

818
Populli shqiptar, ndonëse i tradhtuar dhe i gënjyer nga Ahmet Zogu, i vuri gjoksin me trimëri agresionit fashist të 7 prillit 1939. Në Durrës e në Shëngjin, në Sarandë e në Vlorë, në Bestrovë e te Ura Baçallëkut mbi Drin, ushtarët italianë gjenin vdekjen nga plumbat e vullnetarëve shqiptarë të Heroit të Popullit Mujo Ulqinaku me shokë e pasuar nga djaloshi nëntëmbëdhjetë vjeçar Heroi i Popullit Vasil Laçi që shkrepi 5 plumba mbi perandorin. Armiqësinë e thellë të popullit shqiptar kundër pushtimit fashist e vërtetoi në mënyrë të veçantë akti i guximshëm i djaloshit nëntëmbedhjet vjeçar Vasil Laçi që i shtoi fisnikërin dhe dinjitetin kombit shqiptar, i cili më 17 maj 1941 qëlloi pesë herë me rovolver, në një nga rrugët kryesore të Tiranës Viktor Emanuelin III që sapo kishte mbaruar vizitën e tij njëjavore në Tiranë e po ikte si trumfator drejt aeroportit i shoqëruar në makinë të hapur nga kryeministri kuisling Shefqet Vërlaci. 
Akti i Vasil Laçit 74 vjet më parë ndezi zjarr e flakë zemrat e rinisë shqiptare të epopesë së Luftës së Madhe Antifashiste Naçionalçlirimtare. Monarku shpëtoi vetëm pse ndërhyri një oficer i policisë sekrete, që u ndodh pranë atentatorit në çastin kur ky qëllonte dhe i ndryshoi drejtimin armës. Një nga predhat kapi rrotën e makinës dhe shpoi gomën. Nga frika perandori nuk lejoi të ndalej makina, nuk e la as Vërlacin te zbriste për të marrë masat e duhura në shenjë nderimi e bindje ndaj monarkut. Automobili me goma të çara e mbajti vrapin në aeroport prej nga Viktor Emanueli fluturoi menjëherë drejt e në Romë. Plumbat e Vasil Laçit, të drejtuara kundër perandorit, ishin një shprehje e urrejtjes së thellë të popullit shqiptar ndaj armiqve fashistë, e vendosmerisë së tij të patundur për t`u ngritur në luftë çlirimtare, ishin lajmëtarët e furtunës luftarake që do të fshinte nga toka shqiptare fashizmin italian dhe kuislingët shqiptare. Gjyqi fashist vendosi më 26 maj, pra 9 ditë pas atentatit, që Vasil Laçi të varej në litar. Vasilin e torturuan barbarisht në birucat e errëta duke i mohuar edhe avokatin mbrojtes të tij. Ai qëndroi burrërisht para hetuesve fashistë duke deklaruar me forcë urrejtjen e madhe që ndjente kundër pushtimit fashist. Edhe para litarit ai thirri: POSHTË FASHIZMI! RROFTË SHQIPËRIA!.
Vasil Laçi lindi më datën 15.09.1922 në fshatin Piqerras të Sarandës. Në moshën shumë të vogël, pasi kreu shkollën fillore në vendlindje, për arsye ekonomike mori rrugën e kurbetit brenda vendit si punëtor ngarkimshkarkimi në portin e Sarandës e në Durrës. Duke mos e përballuar këtë punë kaq të rëndë për moshën e tij, u largua dhe u vendos në Tiranë. Vasili ndjeu nga afër shtypjen dhe shfrytëzimin, sidomos skamjes që sa vinte dhe rritej. Kjo gjendje e rëndë ekonomike, shtoi urrejtjen dhe pakënaqësin karshi zaptuesve fashist dhe qeveritarëve kuislingë që bashkëpunonin me pushtuesin. Vasil Laçi hyri në historinë e Shqipërisë si simbol i guximit atdhetar, trimërisë dhe qëndrimin burrër or ndaj vdekjes. Njerëz të tillë që bëjnë histori në shërbim të popullit dhe atdheut nuk vdesin kurrë, prandaj ne jemi krenarë për këta bij të këtij populli dhe përkulemi me nderim ndaj veprës së tyre që e kanë shkruar me gjak. Në shenjë nderimi Bashkia e Sarandës në bashkëpunim me Organizatën Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ dhe dëshmorët e tjerë të Atdheut, bustet e Heronjve të Popullit Vasil Laçi, Mitro Xhani e Lefter Talo do të vendosen e zbukurojnë qendrën e qytetit të Sarandës. 
Ne sapo festuam me solemnitet 70 vjetorin e fitores mbi murtajën nazifashiste, një nga luftrat më të mëdha dhe më e përgjakshme që ka njohur historia, nga e cila popujt e 61 vendeve të përfshira në të pësuan humbje të mëdha njerëzore e materiale, mbi 55 milionë njerëz humbën jetën, 120 milionë u gjymtuan, shkatërrime e dëme kolosale iu shkaktuan ekonimisë së këtyre vendeve, të cilat llogariten në miliona dollarë. Shqipëria, një nga viktimat e para, ndonëse një vend i vogël, karshi popujve të tjerë i dha luftës 28 mijë dëshmorë gjatë betejave për çlirimin e vendit. Ndaj kërkohet të jemi vigjilent, pasi vrehen dukuri te ringjalljes së nazizmit nga grupime të ekstremit të djathte si në Francë, Greqi, Austri, Itali, Belgjikë e Gjermani që tundin flamurin e Hitlerit dhe që mbështetin racizmin, antisemitizmin, terrorizmin, shovenizmin. Kundër kësaj dukurie të rëndë duhet një strategji efikase mirëqeverisje në luftë për drejtësi, ndëshkushmëri kundër korrupsionit për të krijuar kushte më të mira jetese të njerëzve në nevojë, për afirmimin e demokracisë, paqes, lirisë e transprencë maksimale.
Sigal