Gëzim Tushi: Në kulturën e qytetërimit tonë, pavarësisht problemeve dhe mangësive, roli i femrës si nënë ka qënë shumë i vlerësuar

62
Sigal

– Sociologët sot flasin për ridimensionimin dhe reduktimin e sforcuar të rolit të gruas si nënë.

– Në një farë mënyre nuk është e lehtë që të jesh në të njëjtën kohë edhe prind i mirë dhe bashkëshort shembullor.

– Në shumë raste familja nga një vatër e ngrohtë për edukimin dhe zhvillimin normal të fëmijëve shndërrohet në një qëndër të konfliktualitetit bashkëshortor.

Gëzim Tushi-“Mjeshtër i Madh”

Për shoqërinë dhe familjen shqiptare, vlerësimi realist dhe modern i rolit të gruas si nënë nuk është “çështje gjinore” e thjeshtë, nuk është as problem mode. Mirëpo perceptimi i drejtë nga shoqëria, familja, por sidomos nga vetë gratë i rolit të tyre si nënë, në stadin e sotëm të zhvillimit të familjes moderne shqiptare mesa duket po bëhet një problem shqetësues. Padyshim nuk do të ishim realistë nëse në mënyrë metafizike do të mohonim faktin, që vetë zhvillimi i shoqërisë shqiptare në dekadatat e fundit, ndryshimi i tipologjisë së familjes shqiptare nga “tradicionale” në “familje nukleare” (një bërthamore), ka ndikuar në ridimensionimin e perceptimit sipas mënyrës patriarkale e tradicionale të konceptimit dhe realizimit të rolit të gruas si nënë. Ky rol doemos për shumë shkaqe ekonomike, sociale, gjinore tashmë është duke pësuar ndryshime që logjikisht duhen njohur dhe pranuar. Pikërisht ndoshta nga tranzicioni tipologjik i shoqërisë dhe ndryshim i roleve gjinore brenda familjes shqiptare, ka bërë që edhe figura e gruas si nënë të marrë përmasat e një debati konceptual, që ndikon në ndryshimet që po ndodhin në marrëdhëniet e saj me fëmijët. Në shumicën dërmuese të rasteve statusi i femrës shqiptare në rolin e saj si nënë është i garantuar. Por ndërkaq duket se po fillojnë të shfaqen shënjat e para të një lloj devijimi gjinor dhe ndryshimi të statusit të gruas, që në rolin e nënës ka disa detyrime që janë obligative, të cilat nëse deformohen akoma, me siguri që do të sjellin pasoja të dukshme që realisht do cënojnë rolin, identitetin gjinor dhe rolin social të gruas në familjen shqiptare. Në këtë kontekst, nuk mund të jemi indiferentë për faktin që në marrëdhëniet e nënës me fëmijët, po shfaqen disa dukuri të një lloj “neutralitetit gjinor” edukativ, që kanë filluar të justifikohen në emër të transpantimit mekanik të parimeve të familjes moderne, të standarteve të qytetërimeve të tjera. Padyshim, në shoqërinë shqiptare roli i veçantë i femrës si nënë, është një nga misionet e mëdha edukative gjinore dhe që me siguri që edhe në të ardhmen do të mbesë një nga vlerat e mëdha të familjes shqiptare. Në kulturën e qytetërimit tonë, pavarësisht problemeve dhe mangësive, roli i femrës si nënë ka qënë shumë i vlerësuar, sepse në këtë kulturë roli i saj ka qënë si “stabilizatore sociale” në marrëdhëniet e familjes me fëmijët. Ndërkaq, duke qënë në vëzhgim të disa dukurive sociale dhe difekteve edukative që po shfaqen në edukatën dhe procesin e edukimit të fëmijëve tanë, kanë sociologët që flasin për ridimensionimin dhe reduktimin e sforcuar të rolit të gruas si nënë.

Jo vetëm kaq, ky ndryshim i dukshëm i rolit edukativ të nënës në familje, kam përshtypjen se është bërë një nga shkaktarët kryesorë për një pjesë të problemeve sociale, me të cilat po përballemi në familje dhe jashtë saj, sidomos në marrëdhëniet me fëmijët. Ndaj nuk mund të mos shqetësohemi për njëfarë “lëkundje” që po pëson roli i gruas në “figurën e nënës”, për shkak të presionit dhe perceptimeve të deformuara të “rolit tradicional” i gruas shqiptare si nënë. Por sot shohim edhe një realitet tjetër, madje që nuk duhet ta mbulojmë, sepse kemi çifte bashkëshortësh konfliktualë dhe të hidhëruar dhe të nervozuar herë pas here me njëri tjetrin. Çështja e luajtjes së roleve dhe e sigurimit të pozicioneve të njeriut në familje, në martesë dhe marrëdhëniet me fëmijët është bërë nga më të vështirat për t’u luajtur ashtu siç duhet. Madje kjo sintezë rolesh dhe simbiozë pozicionesh midis rolit të prindit me fëmijët dhe të bashëkshortit me partneren është nga gjërat që në kohët e fundit në familjen shqiptare është komplikuar shumë. Në një farë mënyre nuk është e lehtë që të jesh në të njëjtën kohë edhe prind i mirë dhe bashkëshort shembullor. Është e vërtetë që në shumë raste familja nga një vatër e ngrohtë për edukimin dhe zhvillimin normal të fëmijëve shndërrohet në një qëndër të konfliktualitetit bashkëshortor, e kapluar nga grindjet, mëritë, dhuna e më në fund edhe divorci. Këto situata të shkaktuara nga faktorë stresantë të brendshëm apo të jashtëm, kanë ndikime shkatërrimtare në formimin e përgjithshëm të personalitetit të fëmijës. Modelet e këqija të prindërimit dhe bashkëshortësisë janë me shumë pasoja për të sotmen dhe të ardhmen e fëmijëve. Një familje me “stof edukativ” të dobët dhe me marrëdhënie bashkëshortore destructive e ka të vështirë të luajë si duhet rolet e prindërimit dhe të ketë impakt edukativ pozitiv mbi fëmijët.

Si ndikon kjo situatë tek fëmijët e tyre, të cilët presin nga nëna t’u japin çdo ditë dashuri dhe buzëqeshje?

Kjo ndikon në mënyrë dramatike në formimin e drejtë individual dhe sidomos në orientimin e deformuar social të fëmijëve që rriten në ambiente agresive dhe me prindër konfliktualë. Prindërit që duhet të jenë gjeneratorë të burimit të humanizmit, kujdesit, mirësisë, empatisë bëhen prodhues të acideve helmuese bashkëshortore, të cilat helmojnë në mënyrë serioze jetën e fëmijëve. Neurotizmi në familjet, konfliktet e zgjatura krijojnë një atmosferë mbytëse dhe mungesë hapësirash për zhvillimin e duhur të treguesve të zhvillimit të natyrshëm të personalitetit të fëmijës. Në këto ambiente në vend të fëmijëve të rritur në rrugë natyrale e klimë paqësore kemi fëmijë që rriten të zymtë, neurotikë, të frikshëm ndonjëherë, por dhe asocial e agresiv në shumë raste. Kjo pastaj bën që fëmijët të bëhen edhe gënjeshtarë e hipokritë, të pavullnetshëm për të përballuar sfidat e jetës. Kjo do të thotë se pavarësisht problemeve që mund të kenë bashkëshortët në marrëdhëniet midis tyre, ata nuk kanë të drejtë të humbasin sensin e orientimit dhe përgjegjësitë e pandryshuara të prindërimit.