Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: Mos i thuaj nënës s’më do!

38
Sigal

Mos i thuaj nënës :s’më do sa të dua!

Është mëkat t’i shprehësh asaj ato fjalë…

Shpirti ia di, sa dhimbje e kanë dërmuar,

për të rritur e lartësuar emrin tënd, o djalë!…

Kur ti je larg, e dashuri s’të kanë ofruar,

zemra e saj e ndjen kur asaj i mungon,

si shqiponjë fluturon, atje ku rri menduar,

e shpirtit të derdh dashurinë që s’shteron.

Nëse ndonjëherë, harron e vjen vonuar,

në dritare të pret, pas xhamave në ankth,

qepallave të lodhura loz gjumi zëmëruar,

se shtratit të heshtur, nuk fle si më parë.

Nëse puna të ka lodhur e të ka stresuar,

puthjet ledhatuese nënës, mos ia ndaj,

se ajo pret mbrëmjen, të ndihet qetësuar,

dhe pse je i mërzitur, puthja dorën asaj!…

Sa herë në vogëli, ka fjetur e shqetësuar,

se netëve digjeshe e përvëloheshe prush,

botën e përmbyste, si një lodër me duar,

të te shihte buzëqeshur në gjumë,vogëlush.

Ajo s’është gjithkush, të ndihet e mashtruar,

prej birit, që qosheve drogohet me shokë!

Është e vetmja mbi dhe që duhet vlerësuar,

që fal pa asnjë kusht dashuri në çdo kohë.

Ndodh që shpirti i saj, të zgjohet i egërsuar,

kur ty të çnderojnë e marrin nëpër këmbë,

nuk pyet as për rrezikun e as jetën e flijuar,

se për ty nëna thyen hekurin me dhëmbë.

Ajo është degëzim ylli me rrënjët në tokë,

të ofron prehrin, ku ti të falesh i qeshur,

të biesh në gjumë dhe të ndihesh si zot,

se ajo vetë është perëndeshë e heshtur.

A s’e meriton nëna të jetë e përkëdhelur,

si gjënë më të shtrenjtë të ruajti në bark?

Ti bir i gjirit, mos ia njollos faqen e rreshkur,

nënës, kësaj martire ngrihi lapidar në gjak.

 

Të shenjta janë duart e tua

Ndjesinë që falin duart e tua të rreshkura,

që më kanë ngrohur në shi e në ngricë,

s’ma kanë dhënë mijëra rreze të hedhura,

gjithë jetën mbi trupin dhe shpirtin tim.

Sa shumë mallohem, për të bukurat duar,

kur larg teje qëndroj, si një zog shtegëtar,

buza tret aromën, që ka mbetur pa shijuar,

dhe rrudhat e tua që ka ngelur si mirazh.

Ç’nuk kanë bërë gjithë jetën, të shenjtat duar!

Kanë lidhur, kanë zgjidhur foshnja me radhë,

mbi djepin e drunjtë, janë mpirë e s’janë ankuar,

se mbi të ka gjalluar pjesë e shpirtit të saj.

Dhe pse janë vrarë e gërvishtur qindra herë,

sa shumë ngrohtësi më kanë dhuruar,

dhimbjen kanë fshehur nën rrudhën e qetë,

që unë të mos ndihesha asnjëherë trishtuar.

Kur nuk je mirë, më thërrit, por pa më friksuar,

pas zërit të kadifenjtë e di, se diçka nuk shkon!

Ti e nuhat shqetësimin, që rrokulliset mbi mua,

dhe e qetë më thua: më mori malli, dua të të shoh!

Shpirti loton për ty, prej resë së turbulluar,

në çast gjendem aty, ku dhimbja flet pareshtur.

Nëpër lotët që s’pushojne, puth të bukurat duar,

dhe gjoksit i vendos, që të ndihesh e qeshur.

Ti thua, më qetësove si perëndia me këto duar,

dhe syrit të shket loti, mbi faqen e rreshkur…

Ti, me ato duar, që sa shumë më ke mrekulluar,

u ndjeve si unë, kur gjoksit të mbajta mbledhur.