KLP kthehet në “KÇK” me britma dhe ofendime largojnë kryetarin, Alfred Balla

33
Sigal

Pasthirma, sharje, bërtitje, ofendime personale, kjo ishte panorama e mbledhjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në të cilën po diskutohej nëse duhej ndërprerë mandati i kryetarit Alfred Balla, i shkarkuar nga KPA!

 “Jeni në konflikt interesi. Balla është në detyrë se po diskutojmë mandatin e tij. Gabim ka bërë që ka ikur nga mbledhja, duhet të ishte këtu. Ka bërë gabim fatal”.

“Je zëdhënëse apo është kërkesë e kryetarit. Nëse është kërkesa juaj, e marrim në shqyrtim, nëse është e kryetari nuk legjitimohet. Sepse ashtu sikurse dhe ai vetë fokuson, pra qasja e tij sot është në konflikt interesi”

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka votuar me 9 vota pro për përfundimin e mandatit të Alfred Ballës, i cili ishte edhe kryetar në detyre i KLP-së. Kundër ka votuar vetëm Nurihan Seiti.

Mbledhja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për përfundimin e mandatit të kryetarit Alfred Balla është zhvilluar me debate të ashpra. Çështja nëse Balla duhet të vijojë detyrën si kryetar apo jo, ndau në dy ‘kampe’ anëtarët. Vendimi i javës së kaluar të KPA-së për shkarkimin e tij nga detyra, si pasojë e “dorëheqjes nga statusi i ndihmësit ligjorë” u bë shkak për një mbledhje me tone shumë të larta të Këshillit të Lartë të Prokurorisë këtë fillim jave. Mbledhja e drejtuar nga zv.kryetari Tartar Bazaj, i cili ka shprehur më herët publikisht qëndrimin e tij se Alfred Balla duhet të ishte larguar vetë nga detyra, pas shkarkimit nga KPA. Anëtarja Nurihan Seiti, më e zhurmshmja në mbledhje, mbajti që në krye të seancës qëndrimin se KLP nuk duhet të shkarkonte Alfred Ballën. Seiti kur e nisi fjalën e saj me qëndrimin se ajo vetë, si edhe Alfred Balla e zv.kryetari Tartar Bazaj, kanë përfunduar mandatin 5-vjeçar në dhjetor 2023 dhe për këtë arsye nuk duhet të ishin fare në mbledhje. Por, megjithëse pretendoi se edhe ajo vetë nuk duhet të ishte në detyra, anëtarja Seiti vijoi më tej, duke u shprehur se vendimi i KPA-së nuk ka efekt mbi Alfred Ballën, pasi ai nuk e kishte statusin e ndihmës-ligjorit, pra rrjedhimisht as atë të subjektit të Vetingut, pasi ishte zgjedhur në Këshillin e Lartë të Prokurorisë nga radhët e shoqërisë civile. Ky argument i rrëmujshëm i Seitit nxiti anëtarin tjetër, Sokol Stojani, që, duke lexuar bazën ligjore, tentoi t’i jepte një drejtim normal rrjedhës së diskutimit. Por, qëndrimi i Stojanit nuk ishte aspak sqarues për Nurihan Seitin, e cila rimori fjalën me tone të ashpra, duke u përplasur shpesh me drejtuesin e seancës dhe njëkohësisht zv.kryetarin e KLP-së, Tartar Bazaj. Për më shumë se 30 minuta, mes dyshes Seiti-Bazaj pati një debat me emocione të larta, ku shumica e fjalëve që thoshin ishin të pakuptueshme, për shkak të interferencave të sinjalit audio të mikrofonëve të njëri-tjetrit. Disa prej anëtarëve të tjerë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë tentuan që, me qetësi, të ulnin tonet mes debatuesve dhe të vijonin me argumentimin e qëndrimeve të tyre, si edhe, në fund, me vendimmarrjen nëse Alfred Balla duhet të jetë më në krye të KLP-së apo duhet të shkarkohet. Niveli i debatit në mbledhjen e paradites së kësaj të Hëne në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dëshmon se në çfarë “derexheje” janë institucionet e “Drejtësisë së Re”. Ajo çfarë mund të kuptohet nga kjo mbledhje, por jo vetëm prej saj, është fakti që Shqipëria, në vitin 2016, mori vrull me “Drejtësinë e Re” për t’u afruar me Europën, por devijoi rrugën dhe përfundoi në standartin afrikan, të asaj Afrike që ende nuk e ka njohur organizimin dhe rigorozitetin shtetëror.

Pasthirma, sharje, bërtitje, ofendime personale pjesë nga debatet në KLP:

 

Nurihan Seiti: Çfarë është ky nxitim zoti Sajani. Çfarë është ky nxitim?

Tartar Bazaj: Po prisni zonja Seiti.

Nurihan Seiti: Pse duhet ta shtyni dhe ta zëvendësoni tjetrin. Kjo është çmenduri.

Tartar Bazaj: Ju deklaroj se nuk do të kandidoj për kryetar.

Nurihan Seiti: Ky është fashizëm. Se si të interpretoni këtë vendim. Ju nuk ishit në Romë. Kemi kërkuar përjashtimin tuaj, jeni në konflikt interesi. Mbaroj, është e thjeshtë.

Tartar Bazaj: Unë kam dy zyra ligjore dhe nuk ma ndjen fare. Publikisht po ju bëj thirrje, zonja Seiti, jo pa leje.

Nurihan Seiti: Mandatin e ndërpresim ne! Ne nuk kemi marrë asnjë vendim.

Bazaj: Zonja Seiti ju lutem kini etikë, se jeni para mediave. Zonja Seiti po bëheni objekt hetimi nga ILD-ja. Lejoni kolegët të flasin. Me mua nuk keni shans.

Pretendimet e Alfred Ballës

Do të kërkoja prej Jush të më respektohen të drejtat e mia kushtetuese për t’u dëgjuar jo vetëm formalisht, por edhe të analizoni e vlerësoni të gjitha problemet ligjore, që kanë lindur për shkak të konfuzionit të vendimit të 3 prej 5 anëtarëve të KPA-së, pasi nuk jeni para një vendimi të shkarkimit të një magjistrati dhe për pasojë deklarimin e mandatit të tij për shkak të ligjit, si në rastet e trajtuara më parë nga ky Këshill (Sevdari, Cani, Dollapaj etj.) Sikundër kam mbrojtur kolegët e mi prokurorë (ish anëtarë të KLP-së) me besimin se e drejta e tyre do rivendosej nga Strasburgu, ashtu vazhdoj të besoj tek kauza ime e drejtë dhe kam bindjen se do triumfoj!Nuk kërkoj mbrojtje dhe as mbështetje tej ligjit prej kolegëve, sepse në jetën time mbështetja e vetme që kam patur është e vërteta dhe mos humbja e dinjitetit. Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka pranuar kërkesën e Alfred Ballës për ta dëgjuar.

Si u zvarrit mandati i përfunduar i anëtarit të KLP-s

Teksa mandati i zyrtarit më të rëndësishëm të KLP ka përfunduar prej dhjetorit 2023 dhe ishte në detyrë derisa të zëvendësohej, me vendimin e formës së prerë të Vettingut Alfred Balla nuk mund të emërohet as gjyqtar, as prokuror, apo anëtar KLP, KLGJ dhe inspektor deri në vitin 2035. Kolegji i Pavarur i Apelimit shpalli se Balla ishte dorëhequr me dëshirën e tij nga kontrolli i 3-fishtë i Vettingut ndryshe nga pretendimi i tij që këmbëngul se nuk kishte statusin e magjistratit përderisa e kishin shkarkuar nga detyra si ndihmës ligjor në gjykatën e lartë dhe më pas në KLP mori një mandate si anëtar i shoqërisë civile. Çështja e kryetarit të KLP u mbyll në shkallën e parë të Vettingut pa një vendim përfundimtar, dhe për këtë arsye komisioneri publik apeloi në KPA. Trupa gjyqësore e përbërë nga Ina Rama Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo e shfuqizoi shkallën e parë dhe vendosi të ndërpresë Vettingun për Ballën, një vendim marrje që do të thotë largim për 15 vjet dhe që më herët mbas dorëheqjes nga procesi është aplikuar edhe ndaj ish kryeprokurorit Adriatik Llalla. Vendimi për Alfred Ballën u dha gjatë kohës që ai ishte në një vizitë studimore në Romë së bashku me anëtarët e Këshillit dhe meqenëse është vendim i formës së prerë, sipas ligjit zëvendësimi i tij i përkohshëm deri në hapjen e garës do të bëhet nga Tartar Bazaj. Por Bazaj, sikurse edhe Nurihan Seitit u ka mbaruar mandati prej dhjetorit 2023 dhe pritet të zëvendësohen. Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi më 21 maj të largojë nga sistemi i drejtësisë Ballën për një periudhë 15-vjeçare, duke rrëzuar një vendim të shkallës së parë që e mbylli procesin e tij pa një vendim. Pozicioni aktual i Ballës si kryetar i KLP-së bie ndesh me vendimin e KPA. Megjithatë, në njoftimin e shpërndarë të premten, Balla pretendon se KPA nuk ka “analizuar dhe vërtetuar fakte që të bënin të diskutueshme zgjedhjen time si anëtar jo-magjistrat i KLP, për të pasur vend për t’u zbatuar neni 149/b i Kushtetutës.