SPAÇI NUK E MPOSHTI SHPIRTIN
“Rikthimi” i Kardinalit Ernest Simoni në vendin e martirizimit rikthen në ndërgjegjën kombëtare, çmimin e lirisë, detyrimin për pajtim dhe kujtesën
Frank Shkreli*
Ish Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë
“Rikthimi” i Kardinalit Ernest Simonit në ish-burgun e Spaçit është shumë më tepër se një lajm i ditës, për një vizitë simbolike. “Rikthimi” i tij në Spaç përbën një kthim në vendin ku u vu në provë besimi, dinjiteti dhe qëndresa e një prej figurave më të njohura të Kishës Katolike Shqiptare. Them se ai nuk u kthye në Spaç si një vizitor i zakonshëm, por si një dëshmitar i gjallë i një prej kapitujve më të errët të historisë shqiptare.
Më 31 korrik 2026, në ish-burgun e Spaçit u celebrua mesha e udhëhequr nga Kardinali shqiptar, Hirësia e Tij Ernest Simoni (Troshani). “Rikthimi” i Kardinalit Ernest Simoni në vendin ku dikur ka vuajtur dënimin dhe punën e detyruar –me ftesë të Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë — shënoi një moment reflektimi për vuajtjet, torturat dhe sakrificën e qindra të dënuarve gjatë regjimit komunist në Shqipëri, njoftohet në faqen e internetit të Konferencës Ipeshkvore të Kishës Katolike të Shqipërisë (K.I.SH)
Vura re se “rikthimi” i Kardinalit Ernest Simoni në Spac u raportua në median shqiptare si nje lajm i rëndomtë i ditës. Por, besoj se vizita e tij atje, duhet të trajtohej si dicka më shumë se një lajm i zakonshëm. “Rikthimi” i Kardinalit Ernest Simonit në ish-burgun e Spaçit është shumë më tepër se një lajm i ditës, për një vizitë simbolike. “Rikthimi” i tij në Spaç përbën një kthim në vendin ku u vu në provë besimi, dinjiteti dhe qëndresa e një prej figurave më të njohura të Kishës Katolike Shqiptare. Them se ai nuk u kthye në Spaç si një vizitor i zakonshëm, por si një dëshmitar i gjallë i një prej kapitujve më të errët të historisë shqiptare. Kardinal Simoni ka kaluar vite të gjata në Spaç, duke punuar në galeritë e minierës dhe duke përjetuar tortura e privime gjatë regjimit komunist. Thashë se “rikthimi” i tij në Spaç të premtën e kaluar, megjithse në moshë të thyer, ishte më shumë se një lajm i rëndomtë i një vizite simbolike sepse ajo vizitë u shndërrua në një akt kujtese dhe pajtimi: një dëshmi se viktimat e diktaturës komuniste nuk kërkojnë hakmarrje, por të Vërtetën, Kujtesën dhe Respektin për sakrificën e mijëra të burgosurve politikë të regjimit komunist të Enver Hoxhës Frank Shkreli: Revolta antikomuniste në Gulagun shqiptar të Spaçit, 50-vjetë më parë | Gazeta Telegraf
Shenjtëria e Tij, Haxhi Dedë Baba Edmond Brahimaj, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve me Eminencën e Tij, Kardinalin Ernest Simoni (Troshani) dhe Imzot Gjergj Metën, ipeshkëv i Rrëshenit e President i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, dalë më 31 korrik 2026, në Mirditë. — Fotot janë marrë nga portali i Dioqezës Rrëshen
Kundërshtarët e komunizmit nuk sakrifikuan që shqiptarët, pas 35-vjetëve pas shembjes zyrtare të regjimit komunist, të vazhdonin të jetonin të ndarë nga urrejtja, por sakrifikuan që brezat e ardhshëm të jetonin në liri, demokraci në paajtim e paqë me njëri tjetrin dhe dinjitet.
“Rikthimi” i Kardinalit Ernest Simoni në Spaç, në atë vend, ku mijëra burra u privuan nga liria, ku u shkatërruan jetë, familje dhe ëndrra, At Ernest Simoni kaloi vite të tëra të mundimit. I dënuar për shkak të besimit dhe fjalës së lirë, ai njohu punën e detyruar, urinë, poshtërimin dhe dhunën. Por regjimi nuk arriti t’i nënshtrojë atij shpirtin. Dom Ernest Simon Troshani vazhdoi të mbetej meshtar edhe kur i ishte ndaluar të ushtronte meshtarinë, duke u bërë atë burim shprese për bashkëvuajtësit e tij, për shumë dekada. Frank Shkreli: 50-Vjetori i revoltës Anti-Komuniste në Spaç | Gazeta Telegraf
Prania e Kardinalit Simoni, javën që kaloi në Spaç, nuk është vetëm një kujtim personal. Është një akt ndërgjegjeje kombëtare. Është një kujtesë se liria, besimi dhe dinjiteti njerëzor kanë pasur një çmim të jashtëzakonshëm në Shqipëri, për pothuaj gjsëm shekulli komunizëm. Në një kohë kur dëshmitarët e drejtpërdrejtë të diktaturës po pakësohen, zëri i Kardinalit Simoni fiton një vlerë edhe më të madhe. Ai nuk flet për hakmarrje, por për të Vërtetën. Jo për urrejtje, por për falje. Jo për harresë, por për kujtesë. Një shoqëri që nuk ruan vendet e vuajtjes, si kujtesë për breza, rrezikon të humbasë edhe kuptimin e lirisë. Spaçi nuk është thjesht një ish-burg. Ai është një monument i ndërgjegjes kombëtare. Çdo gur, çdo galeri dhe çdo qeli mbart historinë e njerëzve që paguan me rininë, me jetën dhe me familjet e tyre për të mos hequr dorë nga bindjet e tyre politike dhe fetare. Prandaj “rikthimi” i Kardinalit Ernest Simoni të premten që kaloi në Spaç, duhet parë vetëm si një ngjarje kishtare apo ceremoniale. Vet prania e tij atje ishte një apel drejtuar institucioneve, historianëve, arsimit dhe shoqërisë shqiptare që kujtesa e krimeve të komunizmit të mos mbetet vetëm në librat e historisë, por të jetojë në ndërgjegjen e brezave.
Figura e Kardinalit Simoni mishëron një të vërtetë të rrallë: njeriu mund të burgoset, por ndërgjegjja nuk mund të vihet në pranga. Kjo është arsyeja pse kthimi i tij në Spaç nuk është vetëm një rikthim në të kaluarën, por është edhe një thirrje për të ardhmen. Sepse kombet që kujtojnë martirët e tyre ndërtojnë qytetërimin mbi të Vërtetën. Sa herë është thënë, se kombet që harrojnë krimet e së kaluarës, ata rrezikojnë të përsërisin gabimet e historisë. Prandaj, për të ritheksuar, përballë Spaçit dhe çdo vendi tjetër të vuajtjes, shqiptarët nuk kanë luksin e harresës, por kanë detyrimin e kujtesës. Ky vend nuk duhet të mbetet vetëm një rrënojë e heshtur, por një shkollë e hapur e ndërgjegjes kombëtare, ku brezat e rinj të mësojnë se liria nuk është dhuratë, por sacrifice. Se dinjiteti njerëzor nuk është i vetëkuptueshëm, por i fituar me dhimbje; se e vërteta nuk shuhet, edhe kur për dekada është përpjekur, zyrtarisht, të varroset.
Siç e kam theksuar edhe në të kaluarën, vet ekzistenca e burgu i Spaçit dhe revolta atje para më shumë se 50-viteve, nuk ishte thjesht një sfidë kundër diktaturës komuniste. Ajo ishte një thirrje për dinjitet njerëzor, për liri dhe për nderin e shqiptarit. Sot, kujtimi i atyre burrave që ngritën flamurin kombëtar pa simbolin me yll të diktaturës komuniste nuk duhet të shërbejë për të hapur plagë të reja, por për të mbyllur ato të vjetrat me të Vërtetën, Drejtësinë, Pajtimin dhe Paqën. Frank Shkreli: 51-vjet nga revolta e Spaçit. Pajtim e Paqe midis shqiptarëve! | Gazeta Telegraf—Prandaj sot me rastin e “rikthimit” Kardinalit Ernest Simoni në Spaç nuk duhet të ndalemi vetëm te heroizmi i atyre burrave që vuajtën dhe shumë prej tyre vdiqën atje. Por duhet të ndalemi edhe te mesazhi që Spaçi i përcjell Shqipërisë së shekullit XXI. Siç ka theksuar edhe vet Kardinali shqiptar, ky mesazh nuk është urrejtja. Nuk është hakmarrja. Nuk është ndarja e shqiptarëve në fitimtarë e të mundur.
Mesazhi është pajtimi i ndërtuar mbi të vërtetën dhe drejtësinë. E kam thënë shpesh në shkrimet e mia modeste, gjatë viteve, mbi këtë subjekt se asnjë komb nuk mund të ecë përpara duke harruar të kaluarën komuniste. Por duhet theksuar edhe njpherë se po aq i vërtetë është fakti se asnjë komb nuk mund të ndërtojë të ardhmen duke mbetur rob i plagëve të së kaluarës. Kujtesa historike nuk duhet të jetë barrë që ndanë shqiptarët, por urë që i bashkon. Spaçi nuk është pronë e një partie politike, e një ideologjie apo e një brezi të caktuar. Sot si është pjesë e ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Është vendi ku u provua se edhe në kushtet më çnjerëzore, shqiptari mund të mbetet i lirë në shpirt. Prandaj, nderimi për të burgosurit politikë dhe kundërshtarët e komunizmit, nuk duhet të përdoret për të ushqyer përçarje të reja në shoqërinë shqiptare, siç kemi venë re kohët e fundit. Përkundrazi, sakrifica e tyre duhet të frymëzojë një kulturë dialogu, respekti dhe pajtimi.
Kundërshtarët e komunizmit nuk sakrifikuan që shqiptarët, pas 35-vjetëve pas shembjes zyrtare të regjimit komunist, të vazhdonin të jetonin të ndarë nga urrejtja, por sakrifikuan që brezat e ardhshëm të jetonin në liri, demokraci në paajtim e paqë me njëri tjetrin dhe dinjitet. Pajtimi nuk nënkupton harresë. Nuk nënkupton relativizim të krimeve të diktaturës dhe as barazim moral midis viktimës dhe persekutorit. Pajtimi fillon me pranimin e së vërtetës, me respektin për viktimat dhe me dënimin moral të çdo sistemi që mohon lirinë e njeriut. Vetëm mbi këtë themel mund të ndërtohet një paqe e qëndrueshme shoqërore ndër shquiptarët në shekullin XXI. Sot, shqiptarët, kudo që jetojnë – në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Luginën e Preshevës apo në diasporë – kanë më shumë arsye të bashkohen sesa të ndahen. Sfidat kombëtare sot kërkojnë unitet, mençuri dhe mirëkuptim, jo armiqësi të trashëguara. Spaçi na kujton se liria nuk fitohet vetëm një herë. Ajo mbrohet çdo ditë me kulturën e dialogut, me respektin për mendimin ndryshe dhe me aftësinë për të ndërtuar ura aty ku dikur ishin ngritur mure.
Nëse brezi i shqiptarërve si Kardinal Ernest Simoni (Troshani) që vuajti në burgun e Spaçit pati guximin të sfidonte një diktaturën komuniste, atëherë brezi i sotëm duhet të ketë guximin të ndërtojë Pajtimin Kombëtar. Ky është nderimi më i madh që mund t’u bëhet martirëve dhe të mbijetuarve të Spaçit. Prandaj, le të jetë kujtimi i Spaçit jo vetëm një homazh për të shkuarën, por edhe një thirrje për të ardhmen. Për një Shqipëri më të drejtë, një shoqëri më të bashkuar dhe një Komb që gjen forcën të pajtohet me historinë, pa e harruar kurrë atë. Si rrjedhim, Shqipëria, Kosova dhe mbarë Kombi shqiptar, duhet ta vendos kujtesën e Spaçit dhe të krimeve të diktaturës komuniste në përgjithsi, në një shtyllë të edukimit kombëtar. Fëmijët dhe të rinjtë duhet të njohin jo vetëm emrat e heronjve të lirisë, por edhe vendet ku ajo u vu në provë deri në kufijtë e saj më të skajshëm. Spaçi, Burreli, Tepelena dhe çdo kamp apo burg politik duhet të ruhet, jo si relike të ftohta, por si dëshmi të gjalla që flasin gjithnjë. Sepse një komb që nuk e ruan kujtesën e vuajtjes së vet, rrezikon të humbasë ndjeshmërinë ndaj padrejtësisë. Dhe një shoqëri që nuk e edukon brezin e ri me të Vërtetën e plotë të historisë së saj, rrezikon ta përsërisë atë. Prandaj, le të mos mjaftohemi me përkujtim. Njëkohsisht, le të kërkojmë ruajtje, edukim dhe ndërgjegjësim. Le ta kthejmë Spaçin në një vend ku heshtja flet, ku gurët dëshmojnë dhe ku historia nuk fshihet, por mësohet. Vetëm atëherë kujtesa jonë do të jetë e plotë. Vetëm atëherë liria do të jetë e sigurt.
Faleminderit, Kardinal Ernest Simoni, që u rikthyet në Spaç, jo me urrejtje, por me lutje. Jo për të hapur plagë të reja, por për të nderuar kujtimin e atyre që vuajtën dhe për t’u kujtuar brezave se liria, besimi dhe dinjiteti njerëzor kanë gjithmonë një çmim.

Me këtë rast, Papa Leoni i XIV i dërgoi një mesazh Kardinalit shqiptar https://kish.al/papa-leoni-leter-kardinalit-ernest-simonit-asnje-burg-nuk-mund-ta-ndaje-njeriun-nga-dashuria-e-hyjit/ — “Ai vend, i gdhendur në kujtesën e popullit shqiptar, mbetet një prej faqeve më të dhimbshme të historisë së tij. Spaçi ka qenë një vend ku shumë njerëz kanë mbartur kryqin e rëndë të padrejtësisë; gjaku i atyre që kanë vuajtur dhe kanë vdekur mes atyre maleve e ka ujitur atë tokë, duke e bërë një dëshmi të heshtur besnikërie, guximi e shprese.” (Papa Leoni i XIV
Fotot janë marrë nga portali i K.I:SH






















