Frank Shkreli: 50-Vjetori i revoltës Anti-Komuniste në Spaç

211
Sigal

Nga Frank Shkreli * Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë*

 

Me pjesëmarrjen e Shkëlqesisë së tij Presidentit të Republikës, Zotit Bajram Begaj u zhvillua ceremonia e përkujtimit të 50- Vjetorit të revoltës Anti-komuniste të Spaçit me datën 21 maj, 2023, ora 09: 30 në kampin çfarosës të Spaçit.

Përkujtimi me rastin e këtij përvjetori ishte një obligim për të nderuar qëndresën, sakrificën, patriotizmin kombëtar të Shqiponjave të lirisë, që 50 vite më parë, në mes breshërive të plumbave, mbrojtën identitetin kombëtar – Flamurin Kombëtar Kuq e Zi, përdhosur me yllin bolshevik të stalinizmit! Ishte ky një rast historik për të valvitur flamurin kombëtar mbas 50- vitesh nga ajo revoltë, në nderim të 4 martirëve të lirisë, që u pushkatuan në revoltën Antikomuniste të Spaçit nga regjimi komunist i Enver Hoxhes: Pal Zefi, Hajri Pashaj, Dervish Bejko e Skënder Daja, por, njëkohësisht, edhe në nderim të mbi 6000 shqiptareve të pushkatuar e të zhdukur nga diktatura komuniste! Në vijim shënimi i autorit, në kujtim të këtij përvjetori dhe heronjve të vrarë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës:

Në këtë përvjetor të revoltës anti-komuniste, unë do kisha shumë për të thënë për këtë vend çnjerëzor këtu në Spaç, por fjalët jo vetëm që nuk mjaftojnë por, njëkohësisht, janë edhe të tepërta!

Në këtë burg të vdekjes, po t’i mbyllim sytë dhe të dëgjojmë në heshtje, do ndiejmë britmat e viktimave të pafajshme nga qelitë e errëta e të izoluara.

Në heshtje mund të dëgjojmë ofshamën e tyre: ‘Pse na vratë o vëllazën shqiptarë!?’ Ata presin përgjigje prej nesh, ndërsa si patriotë të mirë, në luftë për liri e demokraci, megjithëse skuqën këto shkëmba me gjakun e tyre, sot ata bëjnë thirrje për PAJTIM dhe jo për hakmarrje.

Për fat të keq, kjo ofshamë, ende nuk gjen simpati në Shqipëri. Ende bie në veshë të shurdhër dhe në sy të verbër. Shqiptarët, pa dallim bindjesh politike “të majtë e të djathtë”, si dhe qeveritë dhe kuvendet e 3-dekadave të kaluara po bëhen gjithnjë e më indiferent ndaj këtyre krimeve të komunizmit dhe simboleve të atij regjimi, siç është Spaçi: tre dekada pas shembjes së komunizmit zyrtar.

A është sot Shqipëria, si shtet anëtar i NATO-s, në nivelin e saj njerëzor e moral që të pakën të përballet me krimet e komunizmit, të pranojë, zyrtarisht, me ligj distancimin nga e kaluara e saj kriminale komuniste, në interes të pajtimit kombëtar, ashtu siç kanë vepruar ish-vendet komuniste të Evropës lindore e qendrore, dekada më parë?

Indiferenca dhe heshtja zyrtare nga qeveria shqiptare sot ndaj këtyre krimeve kundër njerëzimit, është e papranueshme në shekullin XXI, në një shtet që e quan veten demokratik dhe anëtar i NATO-s. Kësaj i thonë të jesh i shurdhër dhe i verbër ndaj një peshe të rëndë të historisë: asaj të krimeve të komunizmit!

“Heshtja ndaj çështjeve me rëndësi morale për një komb, është në vetvete një pranim djallëzor i së keqës”,- ka thënë një amerikan i madh i shekullit të kaluar. “Parimet morale nuk varen nga vota e shumicës. E keqja është e keqe, krimi është krim, sidomos, atëherë, kur shumica është në rrugë të gabuar”,- ka thënë Kardinali Fulton Sheen.

Sot, viktimat e regjimit të Enver Hoxhës dhe familjet e tyre kërkojnë të vërtetën dhe zyrtarizimin me ligj të Kujtesës së viktimave të krimeve të komunizmit, që e kaluara kriminale e historisë së shëmtuar komuniste, si kjo e burgut të Spaçit të mos bëhet pjesë integrale e historisë së brezave të ardhshëm të shqiptarëve.

Para këtyre qëndrestarëve midis nesh, këtyre simboleve të vërteta të lirisë e demokracisë, të moralit, pajtimit dhe tolerancës unë përulem me respektin dhe falënderimin më të thellë për sakrificat e tyre dhe të gjithë ish-të burgosurve bashkëvuajtës të tyre, që kanë dhënë jetën për këto ideale dhe vlera perëndimore.

Ndërgjegja e jonë kolektive duhej të kërkonte të Vërtetën dhe përballimin me të kaluarën komuniste. Kërkon dënimin zyrtar të krimeve të komunizmit dhe kujtimin e viktimave siç kanë bërë vendet ish-komuniste evropiane.

Është një domosdoshmëri që viktimave të regjimit komunist në Shqipëri – të gjallë e të vdekur – në mos asgjë tjetër, të paktën, t’u kthehet një pjesë e dinjitetit të tyre njerëzor si shqiptarë. Çdo viktimë e regjimit totalitar komunist të Enver Hoxhës, ka të njëjtin dinjitet njerëzor si të gjithë ne dhe meriton drejtësi, përkujtim dhe njohje nga të gjithë, e sidomos nga autoritetet zyrtare në vend.

Simpatizantëve dhe nostalgjikëve të komunizmit si dhe atyre që deklarojnë se komunizmi ishte në anën e duhur të historisë, unë u them shkoni në Spaç dhe shikoni “sukseset” dhe anën “pozitive” të komunizmit të Enver Hoxhës! Të gjithë kanë nevojë të vizitojnë Spaçin. Ashtu siç është shprehur Ismail Kadare për veprën e At Zef Pllumit, “Rrno vetëm për me tregue”, si një vepër që duhet të lexohet nga të gjithë—ashtu edhe në Spaç e gjithë shoqëria shqiptare ka nevojë të shkojë e të shikojë për veten, “sukseset” dhe anën “pozitive” të diktaturës komuniste. Kanë nevojë ata që e kanë jetuar atë kohë, e po aq, në mos më tepër, ata që s’e kanë jetuar. Kanë nevojë të shtypurit e të nëpërkëmburit, e po aq në mos më tepër, ata që shtypën të tjerët. Kanë nevojë antikomunistët, e po aq e ndoshta më tepër, komunistët. Shkurt: për të ka nevojë ndërgjegjja jonë”, ka thënë Kadare.

Unë shpresoj se edhe në Shqipëri, më në fund, siç ka thënë Vaclav Havel: “E Vërteta dhe dashuria do të fitojnë mbi gënjeshtrat dhe urrejtjet”.

Krimet shtetërore gjysëm shekullore të ish-regjimit komunist kundër bashkombasve këtu në Spaç dhe anë e mbanë Shqipërisë, duhet të kujtohen dhe të mos harrohen, kështu që kjo histori fatzezë e Kombit të mos përsëritet më.

Spaçi kurrë më! NEVER AGAIN!