Av. Kujtim Cakrani: Si Rama po kërkon të instalojë modelin Kinez me opozitë fasadë?

220

“Presidenti Vuçiç i përçau, duke përdorur të gjitha format për të shuar protestat dhe zërin opozitar. Prej asaj kohe Serbia s’ka më opozitë, dhe Vuçiç qeveris i vetëm. Ai zotëron çdo institucion në vend. Kjo formë qeverisëse si në Serbi, tashmë është inplementuar edhe në Shqipëri nga Rama, ka kapur institucionet, duke i kthyer në zgjatime të partisë, tashmë i ka mbetur vetëm nënshtrimi i opozitës.”

Sigal

Rreth 6 vite më parë në Serbi nisën protestat e opozitës. Arsyeja ishte, sepse presidenti Vuçiç me metoda antidemokratike po shkatërronte opozitën, dhe po instalonte një regjim ku po merrte nën kontroll gjithë institucionet e vendit. Opozita Serbe në atë kohë denoncoi veprimet dhe nisi menjëherë protestat në sheshet e Serbisë. Presidenti Vuçiç i përçau, duke përdorur të gjitha format: madje edhe bandat e krimit u organizuan për të shuar protestat dhe gjithë zërin opozitar në vend. Prej asaj kohe Serbia s’ka më opozitë dhe Vuçiç qeveris i vetëm pa asnjë shqetësim. Gjithë kjo luftë dhe shtypja e opozitës në Serbi u bë në sytë e ambasadorëve ndërkombëtar të SHBA dhe BE. Asnjë prej tyre nuk foli? Sot Serbia është një vend në regjim…Natyrisht bëhen votime, zgjedhja bashkë me rezultatin përfundimtar është paracaktuar. Opozita arrin të marrë 20 deri në 25% të votave. Prej kohësh Vuçiç drejton i vetëm qeverinë, por jo vetëm!

Ai zotëron çdo institucion në vend, gjykata, prokurori, polici shërbimet sekrete dhe mbi të gjitha trupat paramilitare, bandat e krimit organizuar të cilët i përdor për shantazh ndaj liderëve dhe popullit opozitar. Kjo formë qeverisëse si në Serbi, tashmë është implementuar edhe në Shqipëri nga Rama. Rama pasi ka kapur dhe ka vënë nën kontroll gjithë Institucionet, Gjykatat e të gjitha niveleve, Prokurorinë, edhe atë të Posaçme SPAK, Shërbimin Informativ, Policinë e Shtetit dhe çdo institucion tjetër duke i kthyer ato në zgjatime të partisë në pushtet, tashmë i ka mbetur vetëm nënshtrimi i opozitës. Në zgjedhjet e fundit për pushtetin vendor të 14 majit Rama vërtetoi që ka në shërbim të tij edhe bandat kriminale si trupa paramilitare për të shantazhuar opozitën dhe zgjedhësit duke deformuar rezultatin e votimeve.

“Ashtu si në Serbi ambasadorët e huaj edhe në Shqipëri po heshtin edhe pse evidentojnë shkeljet dhe liritë e njeriut, por jo vetëm… A mos vallë ky model Kinez qeverisje është një strategji për të ruajtur stabilokracinë?”

Ky model që është implementuar tashmë në Serbi dhe nga Rama në Shqipëri është një axhendë që mbështetet edhe nga qarqe të fuqishme ndërkombëtare, me qëllimin e një modeli Kinez, qëllimi të cilit është që në Shqipëri të mos ketë më opozitë dhe të mbizotërojë jetën politike, ekonomike vetëm një parti, që do të lejojë edhe pronën private si një fasadë, që të duket si ekonomi tregu i lirë. Kjo axhendë ndërkombëtare e modelit Kinez tashmë nuk është më në fazën e eksperimentit! Rama me VKM e tij të përjavshme po krijon hapësirat për të ndërtuar pasanikët e rinj, njerëz afër pushtetit dhe që paratë e fituara nga lehtësimet që kryeministri ju bën për të fituar miliona euro duhet t’i përgjigjen në një moment të caktuar si p.sh në votime për të blerë votat dhe korruptuar ndërkombëtarët, që të heshtin përpara fakteve të manipulimit.

Ashtu si në Serbi ambasadorët e huaj edhe në Shqipëri po heshtin edhe pse evidentojnë shkeljet dhe liritë e njeriut, por jo vetëm…A mos vallë ky model Kinez qeverisje është një strategji për të ruajtur stabilokracinë? Natyrisht që po! S’ka asnjë shpjegim tjetër, sepse faktet me shkelje të lirive të drejtave themelore të njeriut janë evidente dhe mos të flasësh asnjë fjalë, nuk ka tjetër arsyetim. Pra kthimi i Shqipërisë si Kina me një pushtet absolut dhe një opozitë të dobët, që duhet vetëm për fasadë nuk është gjë veçse për të përligjur demokracinë FAKE! Ju kujtoj se edhe më 1945 kur u instalua “Demokracia Popullore” dhe opozita po pushkatohej, trupi diplomatik ishte present, nuk foli, dhe heshtja tregon miratim.