Prof. Dr. Bardhyl Çipi: Prova shkencore të vdekjeve mbresëlënëse

Bardhyl Çipi


“Babai më ka treguar për vitet e para të vendosjes së komunizmit: “Jetoja vazhdimisht me frikën e arrestimit nga ҁasti në ҁast. Infermierë të pandërgjegjshëm më spiunonin për ҁdo veprim që kryeja, por punoja, me kaq këmbëngulje dhe përkushtim në detyrën humanitare të mjekut duke mos lënë as edhe shkakun më të vogël për të më zënë në gabim”.

 

Në këtë libër studimor dhe kujtimesh, unë kam paraqitur prova shkencore të sëmundjeve dhe vdekjeve të disa personave publikë të vendit tonë dhe të huaj, atyre të persekutuar si dhe të disa ngjarjeve të rënda kryesisht ato vdekjeprurëse. Për këtë, jam mbështetur në bagazhin e pasur, që kam fituar për një kohë shumë të gjatë më shumë se 50 vjeҁare nga ekzaminimi i disa mijra kufomave, shqyrtimi i rasteve të tjera të vështira, të përforcuara këto edhe nga specializimet dhe trajnimet që kam kryer në vendet e zhvilluara dhe të pasqyruara në botimet e mija të shumta. Një pjesë e këtyre ngjarjeve janë paraqitur edhe në librat “Tranzicioni shqiptar në lupën e mjekësisë ligjore”, “Manual i mjekësisë ligjore” dhe në botime të tjera të mëparshme. Por, një arsye tjetër që më shtyu ta shkruaj këtë libër, ka qenë se sot ne po jetojmë një periudhë kur mund të shpallen shumë ngjarje dhe të hulumtohen në mënyrë shkencore, të cilat më parë në kohën e diktaturës komuniste në vendin tonë, ato mbaheshin të fshehta. Përpara se t’ju jap disa të dhëna më konkrete mbi ҁështjet që do të trajtohen, them se do të ishte e nevojshme të tregoja diҁka, ndofta dhe duke e zgjatur pak, për jetën time, kryesisht atë profesionale si dhe të familjes ku kam lindur dhe në gjirin e së cilës jam rritur si dhe disa mendime apo opinione mbi situatën e sotme në Shqipëri. Unë Bardhyl Çipi, pasi përfundova fakultetet e mjekësisë dhe drejtësisë të universitetit të Tiranës me rezultate të shkëlqyera, kam filluar të ushtroj profesionet e anatomistit dhe mjekut ligjor në fakultetin e mjekësisë në Tiranë, të cilat për 20 vitet e para, ato u kryen në kohën e diktaturës komuniste deri në vitet 1990, kur u përmbys ky regjim. Në të vërtetë, unë kam lindur, jam rritur, edukuar dhe arsimuar në kohën e shtetit komunist, pra jam si të thuash produkt i tij. Në atë kohë, pavarësisht izolimit dhe varfërisë që jetonim, luftës së klasave, futjes së panevojshme të të ashtuquajturit trekëndësh revolucionar (mësim, përgatitje fizike dhe ushtarake), përfshirjes së detyruar të lëndëve të ideologjisë komuniste në programet mësimore të shkollave të  vendit tonë, rregullave të pakuptimta për veshjen, paraqitjen e jashtme, frikës për të kritikuar pushtetin dhe shumë aspekte  të tjera negative , unë megjithatë jam arsimuar në shkollat dhe universitetin publik nga mësues dhe pedagogë me një nivel të lartë në përgatitjen e tyre, seriozë dhe të përkushtuar në detyrë. Kjo gjë si dhe puna e palodhur në studime dhe më pas në ushtrimin e profesionit të pedagogut dhe mjekut, ndikuan në arritjen e rezultateve të larta në mësime dhe punë pas përfundimit të fakultetit të mjekësisë. Këto u pasuan me përfshirjen time në shumë studime dhe botime dhe u kurorëzuan me mbrojtjen me sukses të dizertacionit të doktoraturës, pavarësisht se mjekësia ligjore ka qenë e konsideruar e parëndësishme, e papërkrahur, madje e padëshëruar nga mjekët e tjerë. Babai im Dr. Spiro Çipi ka qenë mjeku ligjor i parë në Shqipëri, i pasionuar pas këtij profesioni delikat, i cili jo vetëm më udhëhoqi në edukimin e përgjithshëm dhe atë mjekësor dhe juridik, por më nxiti që edhe unë ta ushtroj specialitetin e mjekësisë ligjore. Madje gjatë 15 viteve të para të ushtrimit të këtij profesioni të ri mjekësor në Tiranë, ai u bë për mua, para se të vdiste, drejtuesi dhe konsulenti më i vyer, në kryerjen e ekspertimeve të panumërta mjekoligjore. Por në kuadrin e luftës së klasave të diktaturës komuniste, babai im konsiderohej me prejardhje borgjeze që kishte kryer studimet në vendet perëndimore dhe i përkiste një familjeje me pasuri të sekuestruar nga pushteti, pavarësisht se ai dhe familja e tij e kishin ndihmuar lëvizjen nacional – ҁlirimtare. E njëjta gjë edhe për mamanë time, Anastasi (pavarësisht se ishte kushurirë e parë dhe shoqe e ngushtë e Margarita Tutulanit), sepse e ëma e saj (gjyshja ime Urani) ishte gruaja e një prej tregtarëve më të pasur të Fierit. Jo vetëm kaq, por ky regjim na sekuestroi pasurinë duke na shkaktuar drama familjare, duke na vrarë burrin e gjyshes, një patriot i vërtetë deputet i Fierit në kongresin e Lushnjes, gjë që solli një tronditje të fortë për dajën tim, të shoqëruar më pas me një sëmundje psikike të pashërueshme Unë në atë kohë sapo kisha lindur, por më vonë  që në moshën fëminore dhe më pas kur u rrita, kam ndjerë dhe jetuar vazhdimisht dëshpërimin që prindërit e mij, sidomos mamaja dhe gjyshe Urania shfaqnin për këto ngjarje tragjike të familjeve të tyre. Im atë Spiro Çipi tregohej më i rezervuar në shprehjen e pakënaqësisë ndaj regjimit prej këtyre ndodhive të hidhura të familjeve të tyre. Sidoqoftë, prej këtyre të dhënave biografike që konsideroheshin negative për regjimin komunist, familja ime nuk është parë me sy të mirë. Këtë, unë fillova ta kuptoj më mirë kur isha në moshë më të rritur, pavarësisht se ne nuk ishim të persekutuar politikë (me përjashtim të gjyshe Uranisë në Fier, që nuk kishte triskë fronti dhe konsiderohej e deklasuar, me burrin e dënuar me vdekje). Në një situatë të tillë, që vazhdoi për disa dhjetra vite ne jetonim me ndrojtje që na ka ndjekur gjatë gjithë kësaj periudhe. Babai më ka treguar për vitet e para të vendosjes së komunizmit: “Jetoja vazhdimisht me frikën e arrestimit nga ҁasti në ҁast. Infermierë të pandërgjegjshëm më spiunonin për ҁdo veprim që kryeja, por punoja, me kaq këmbëngulje dhe përkushtim në detyrën humanitare të mjekut duke mos lënë as edhe shkakun më të vogël për të më zënë në gabim “. Por në saje të babait tonë inteligjent, që na mësonte që të përshtateshim sa më shumë që të ishte e mundur, pa ndryshuar karakteret tona dhe duke studjuar shumë fort, unë, motra dhe vëllai arritëm të bëhemi profesionistë të mirë në fushat tona. Një këshillë për marrëdhëniet me njerëzit, që babai na jepte, të cilën unë dhe motra e kujtojmë gjithmonë ishte kjo: “duhet të mos harroni sesa do i keq të jetë njeriu me të cilin keni të bëni, edhe ai ka një anë të mirë, pas të cilës duhet të kapeni, por duke ruajtur pavarësinë dhe karakterin tuaj”. Nga ana e tij, babai përpiqesh me gjithë shpirt, duke harxhuar një pjesë të madhe të energjive të tija, për të na siguruar të tre ne fëmijëve një arsimim sa më të plotë. Më vonë, kur babai Dr. Spiro Çipi, rifilloi të ushtronte profesionin e mjekësisë ligjore, shfrytëzoi edhe epërsinë që kishte përfituar, nga formimi i përsosur mjekësor, juridik edhe në fushat e mjekësisë ligjore dhe psikiatrisë në studimet e kryera në universitetin e Sorbonës në Paris, gjatë qëndrimit 10-vjeҁar atje, ku ishte në atë kohë një nga intelektualët e paktë që botoi një libër shkencor në universitetin e Parisit. Ai e ruajti dinjitetin profesional aq më tepër nga pasioni i veҁantë që kishte për shkencën e mjekësisë ligjore, pavarësisht se ai ishte i punësuar në laboratorin qendror të kriminalistikës që ishte në varësi të ministrisë së punëve të brendshme. Unë në saje të rezultateve shumë të larta të studimeve u emërova mësimdhënës në fakultetin e mjekësisë në Tiranë. Ky emërim, u bë, sepse unë isha studenti më i mirë i të diplomuarve në fakultetin e mjekësisë atë vit. Për ironi, pavarësisht ushtrimit me sukses në mësimdhënie dhe pjesëmarrjes në aktivitete të shumta shkencore, pothuajse shumicën e këtyre viteve unë mbeta me titullin më të ulët pedagogjik, atë të asistentit. Megjithatë, për shkak të origjinës, ndaj nesh mbahej një qëndrim jo dashamirës si në pallatin ku jetonim ashtu dhe në rrethana të tjera, për vite të tëra, ku më i keqi ka qenë pushimi nga puna i motrës, duke u mbështetur në letrat që kishin ardhur për biografinë e keqe të prejardhjes së saj. Por gjatë këtyre viteve unë kisha marrëdhënie të sinqerta dhe miqësore me të gjithë moshatarët e mij në shkollën e mesme dhe në pallatin ku banoja. Më pas në studimet në fakultetin e mjekësisë përsëri mbaja lidhje të ngushta miqësore dhe në shumë aktivitete të tjera me të gjithë bashkëstudentët, që vazhdojnë edhe sot. Gjatë viteve të punës në fakultetin e mjekësisë si asistent dhe pedagog isha shumë i lidhur me studentët që u jepja mësim duke u aktivizuar bashkë me ta në stërvitjet ushtarake, aksionet e përgatitjes fizike dhe aktivitete të tjera. Po kështu ruaj kujtimet më të mira për të gjithë kolegët e mij pedagogë dhe ekspertë mjekoligjorë. Në këto marrëdhënie miqësore me një numër kaq të madh njerëzish, pavarësisht karaktereve të ndryshëm të tyre, shumica ishin të thjeshtë, të ҁiltër. Megjithatë, ndjenja e pasigurisë, ndrojtjes ndaj regjimit në të cilin jetonim, e ngulur te mua që në moshën fëminore, vazhdonte përsëri, por tani duke u venitur deri në përmbysjen e diktaturës komuniste, madje edhe më pas. Për këtë arsye shpesh herë në ato vite na kanë thënë, sipas një shprehjeje popullore, “që ju nuk mund të bëheni dot trima, sepse jeni të vrarë që kulish”. Por nuk duhet harruar se ndjenjat e frikës kanë bërë që në mendjen e njeriut, po kështu edhe te mua dhe familja ime të ketë lindur dhe të ketë ardhur duke u forcuar edhe ndjenja e pakënaqësisë ndaj regjimit të mëparshëm. Këtë unë e kam shprehur duke e dënuar publikisht regjimin komunist nëpërmjet botimeve në shtyp, apo me anën e kryerjes së shumë ekzaminimeve mjekoligjore për zbulimin e krimeve të tij. Por nganjëherë, këto ndjenja na ringjallen edhe tani, të paktën mua, nga që në vendin tonë sot janë në pushtet pasardhësit e drejtuesve dhe ekzekutorëve të diktaturës komuniste. Ka shumë raste të tilla që më kanë ndodhur mua dhe familjes time në vitet e fundit, të cilat mendoj t’i paraqis më vonë.

Në këtë libër, unë kam shqyrtuar edhe vdekjet e Mehmet Shehut dhe Nako Spirut, të deklaruara zyrtarisht si vetëvrasje me armë zjarri, por me dyshime të mëdha, që mund të kenë qenë vrasje, sikurse vrasjet e tjera të panumërta dhe të dokumentuara, të urdhëruara nga diktatori komunist. Për të dy këto raste, nga shqyrtimi i dokumenteve forensike të tyre, unë kam shfrytëzuar kriterin e mjekësisë ligjore kriminalistike “të drejtimit të qitjes”.

Sigal

*                *                    *

Nga të gjitha këto sa tregova, u nxita që në këtë libër, përveҁ të tjerave, të analizoj edhe provat shkencore, të disa prej veprimeve kriminale, apo të dyshuara si të tilla të kryera në kohën e regjimit komunist, me të cilat jam ndeshur gjatë ushtrimit për një kohë shumë të gjatë të profesionit të mjekësisë ligjore. Kjo gjë, mendoj se do të jetë e rëndësishme për të përforcuar edhe më shumë vlerën e dokumenteve të panumërta që kanë dalë ose po vazhdojnë të zbulohen si dhe të dëshmive të shumta nga ata që kanë vdekur ose janë ende gjallë, por që kanë qenë persekutuar ose ju janë vrarë të afërmit për arsye politike nga ky regjim. Me sa kam lexuar dhe studjuar, ajo që më ka rënë në sy, në asnjë prej këtyre dokumenteve dhe dëshmive me të cilat jam ndeshur, nuk kam gjetur që ndonjë mjek ligjor të ketë marrë pjesë në kryerjen e veprimeve të paligjshme, apo torturave shpesh herë vdekjeprurëse, ndaj të persekutuarve politikë në burgjet dhe kampet e internimit të asaj kohe. Nga ana tjetër, dua të kujtoj që në ҁdo ekzaminim mjekoligjor të kryer prej meje, kryesisht për krime ordinere: vrasje, vetëvrasje, plagosje, aksidente, përdhunime etj. që kanë qenë të shumta në atë kohë, pa përjashtuar edhe ato të rasteve të viktimave për arsye politike, unë kam respektuar me rigorozitet parimet morale të ekspertimit. Midis tyre po përmend parimet e objektivitetit dhe paanshmërisë. Për këtë arsye, pavarësisht nga konsideratat e mija personale të pakënaqësisë ndaj komunizmit, që kanë ardhur duke u venitur me kalimin e viteve dhe tani pothuajse janë zhdukur, unë kam mbajtur gjithmonë një qëndrim asnjanës gjatë kryerjes së këtyre ekspertimeve mjekoligjore, duke pasur si qëllim që të zbulohet vetëm e vërteta në bazë të provave shkencore. Në këtë libër, unë kam shqyrtuar edhe vdekjet e Mehmet Shehut dhe Nako Spirut, të deklaruara zyrtarisht si vetëvrasje me armë zjarri, por me dyshime të mëdha që mund të kenë qenë vrasje, sikurse vrasjet e tjera të panumërta dhe të dokumentuara, të urdhëruara nga diktatori komunist. Për të dy këto raste, nga shqyrtimi i dokumenteve forensike të tyre, unë kam shfrytëzuar kriterin e mjekësisë ligjore kriminalistike “të drejtimit të qitjes”. Sipas tij, kur drejtimi i qitjes në trup ka qenë i pjerrët: nga sipër – poshtë, sikurse ka rezultuar në të dyja këto vdekje kriminale, mundësia më e madhe është që ato të kenë qenë vrasje. Për ta përforcuar këtë ide, unë së bashku me një ekspert kriminalist kemi kryer një studim të hollësishëm, të mbështetur në shqyrtimin e disa dhjetra rasteve të njohura të vdekjeve me armë zjarri të vendit tonë dhe të literaturës së huaj bashkëkohore përkatëse. Këtë studim që është paraqitur edhe në një konferencë ndërkombëtare të fakultetit të drejtësisë të universitetit të Tiranës, para disa viteve, e kam përfshirë edhe në këtë libër. Gjithashtu është trajtuar ҁështja e sekretit mjekësor pas vdekjes, sidomos e atyre të personave publikë, ku analizohen sëmundjet dhe vdekja e Enver Hoxhës. Më pas kam përshkruar dhe analizuar zhvarrimin e kufomës së Enver Hoxhës, ato të vetëvrasjeve të presidentit Omer Nishani dhe vrasjeve dhe vetëvrasjeve të disa figurave të tjera drejtuese të regjimit komunist të vendit tonë.  Një vend i veҁantë u kushtohet paraqitjes të aspekteve mjekësore dhe mjekoligjore të sëmundjeve dhe vdekjeve të udhëheqësve të shquar të disa vendeve Evropiane si Napoleoni, Lenini, Stalini, Hitleri, një studimi mbi vrasjen e Trockit dhe vrasjet e dy presidentëve të SHBA: Abraham Linkolnit dhe Xhon Kenedit. Një temë me interes është ajo e rezultateve të ekzaminimeve mjekoligjore të krimeve, vrasjeve, vetëvrasjeve dhe të tjera, të kryera në kohën e diktaturës komuniste për arsye politike. Një prej këtyre mizorive më të rënda ka qenë ai i pushkatimit pa gjyq i 22 intelektuaëve në vitin 1951, me preteksitn se ata kishin marrë pjesë në vendosjen e një bombe në ambasadën Sovjetike në Tiranë, si dhe të disa vdekjeve kriminale të tjera të kryera nga ky regjim. Përveҁ këtyre, ka disa tema në lidhje me aspektet shkencore të varrezave të ushtarëve grekë në Shqipëri, vrasjeve të shtetasve Shqiptarë të Kosovës nga ushtria dhe paramilitarët serbë të zbuluara pas luftës së vititi 1999, vdekjet nga oksidi i karbonit, aspektet etiko-juridike të pandemisë botërore të covid-19 dhe vaksinës së saj, disa vdekje për shkaqe ordinere të ndodhura në vendin tonë në vite të ndryshme etj. Një ekzaminim i rrallë me karakter historik, është ai i disa mbetjeve skeletike që u vërtetua kohët e fundit që u përkisnin banorëve që kanë jetuar në vendin tonë mbi 1500 vite më parë. Në fund do të analizohen disa të dhëna nga pikëpamja historike, etike, mjekoligjore mbi ekzaminimet e kufomave në botë dhe në vendin tonë, të shoqërura me disa njohuri mbi vdekjen dhe ndryshimet që ndodhin pas saj në trupin e njeriut. Duke përfunduar, mendoj se ky libër i një fushe të veҁantë, për të cilën mungojnë botimet në vendin tonë, do të jetë i dobishëm për specialistët e mjekësisë ligjore dhe kriminalistikës, punonjësit e drejtësisë dhe policisë (prokurorët, oficerët e policisë gjyqësore, gjyqtarët, avokatët), studentët e shkollave mjekësore dhe juridike. Po kështu ai do ta njohë publikun e gjerë dhe qytetarë të tjerë që duan të zgjerojnë horizontin dhe kureshtjen e tyre për fusha kaq specifike dhe tërheqëse. Nga ana tjetër, ai do t’u bëjë të njohur atrye që kanë qenë të persekutuar apo parsardhësve të tyre, të cilët u janë vrarë të afërmit nga diktatura komuniste, ҁështjet e ndryshme që trajtohen në këtë libër.