Hysen Tabaku: Një homazh për një luftëtar të lirisë, për Ziqiri Halilin

Historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare është shkruar me gjakun, sakrificat dhe heroizmin e mijëra bijve e bijave të popullit shqiptar. Njëri prej tyre është Zeqir Kadri Halili, luftëtar i Brigadës së Parë Sulmuese dhe mitraljer trim, i cili me armën e tij mbrojti nderin e luftëtarit shqiptar dhe dha një kontribut të çmuar në çlirimin e vendit.

Zeqir Kadri Halili lindi në vitin 1892, në Ohër, në trojet shqiptare të Maqedonisë së sotme të Veriut.Që në rini, jeta e tij mori rrugën e kurbetit. Ai shkoi në Turqi, ku punoi për disa vite së bashku me shqiptarin Estref Beqiraj nga Gopeshi i Korçës.

Sigal

Në vitin 1934, pas miratimit të Ligjit nr. 2510 (Ligji i Vendbanimeve), autoritetet turke zbatuan një politikë shtetërore që synonte vendosjen dhe asimilimin e popullsive joturke, duke favorizuar vetëm ata që pranonin të identifikoheshin me kulturën turke.

Besnik ndaj prejardhjes dhe identitetit të tij shqiptar, Zeqir Halili nuk pranoi të hiqte dorë nga kombësia e tij. Ai vendosi të kthehej në atdhe së bashku me Estref Beqirajn, duke zgjedhur me krenari të jetonte si shqiptar në vendin e vet.

Ky ishte akti i parë i madh patriotik i jetës së tij. Patriotizmi i Zeqirit nuk filloi në vitin 1944, kur mori mitralozin në Brigadën e Parë Sulmuese. Ai kishte lindur shumë më herët, kur zgjodhi Atdheun dhe identitetin kombëtar përpara çdo përfitimi personal. Kur vendi u përfshi nga Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, Zeqiri nuk qëndroi spektator. Në një moshë kur shumë njerëz mendonin vetëm për familjen dhe jetën e qetë, ai vendosi të merrte armën.

Në muajin mars të vitit 1944 Zeqir Kadri Halili u rreshtua në Brigadën e Parë Sulmuese, formacioni më i lavdishëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Ai u caktua në Batalionin e Dytë, që komandohej nga Ferit Radovicka, ndërsa komisar ishte    “Heroi i Popullit “ Myslim Shyri, dy drejtues të shquar që udhëhoqën me trimëri dhjetëra luftëtarë në betejat për çlirimin e vendit. Në këtë batalion, Zeqirit iu besua një nga detyrat më të vështira dhe më të rrezikshme të luftës, ai i Mitraljerit.        Kur e shihje me mitralozin në krah, të krijohej përshtypja sikur ishte lindur për atë armë. Forca e tij fizike bashkohej me guximin, vendosmërinë dhe gjakftohtësinë në çdo përballje me armikun.

Mitralozi ishte arma që mbulonte përparimin e shokëve, ndalte kundërsulmet armike dhe mbronte jetën e të gjithë repartit. Prandaj mitraljeri ishte gjithmonë objektivi i parë i armikut.Për të mbajtur në veprim një mitraloz në kushtet e luftës nuk mjaftonte vetëm forca fizike. Kërkohej zemër prej çeliku, durim, gjakftohtësi dhe vendosmëri. Zeqir Kadri Halili i kishte të gjitha këto cilësi. Veterani Neim Zaimi, bashkëluftëtar në Batalionin e Dytë të Brigadës së Parë

Sulmuese, ka dëshmuar pjesëmarrjen aktive të Zeqir Halilit në Luftën Antifashiste

Nacionalçlirimtare. Dëshmi të tilla kanë një vlerë të veçantë, sepse vijnë nga njerëz që ndanë me të të njëjtat beteja, të njëjtat sakrifica dhe të njëjtat rreziqe.

Madhështia e Zeqirit nuk qëndronte vetëm te guximi në luftë. Mbi të gjitha, ajo që e dallonte ishte forca e zemrës. Këtë e dëshmon edhe një nga episodet më domethënëse të jetës së tij luftarake. Gjatë një beteje të ashpër, ai mori mbi supe bashkëluftëtarin e plagosur Abaz Zani, pa e braktisur mitralozin dhe duke e nxjerrë nga zjarri armik. Ky nuk ishte vetëm një akt trimërie. Ishte edhe një akt i madh humanizmi. Vetë Abaz Zani, në librin kushtuar Brigadës së Parë Sulmuese, e ka përmendur me mirënjohje ndihmën që i dha Zeqir Halili në ato çaste vendimtare.

Pas përfundimit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, shteti shqiptar njohu kontributin e Zeqir Kadri Halilit. Ai u dekorua nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me medaljet:“Kujtimi”, “Çlirimi” dhe “Trimërisë”

Këto nuk ishin thjesht dekorata. Ato përfaqësonin mirënjohjen e shtetit shqiptar për një luftëtar që kishte rrezikuar jetën për lirinë e Atdheut.

Si veteran lufte, emri i tij figuron në dokumentacionin zyrtar të Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, si edhe në gazetën “Kushtrim Brezash”, duke dëshmuar kontributin e tij në radhët e Brigadës së Parë Sulmuese.

Pas Çlirimit, Zeqir Kadri Halili u vendos në Gramsh, qytetin ku ndërtoi jetën e tij të re. Si shumë veteranë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ai nuk kërkoi poste, privilegje apo favore. Besonte se Shqipëria ndërtohej jo vetëm me pushkë, por edhe me punë të ndershme.

Fillimisht punoi si peshmatës në tregun e qytetit dhe më pas si këpucar, deri sa doli në pension. Në çdo detyrë u dallua për korrektësi, ndershmëri dhe përkushtim.

Edhe pas luftës mbeti po ai burrë i thjeshtë, fisnik dhe punëtor, që nuk mburrej

kurrë me të kaluarën e tij. Në fytyrën e tij lexohej qetësia e njeriut që kishte kryer detyrën ndaj Atdheut dhe nuk priste shpërblime për sakrificën e bërë.

Në qytetin e Gramshit krijoi familjen e tij, duke u martuar me Zylfie Seni nga fshati Shëmbërdhenj i Skënderbegasit.

Zylfia ishte rritur në një familje të njohur për ndjenjat patriotike dhe atdhetare. Në këtë familje Zeqiri gjeti mbështetje, mirëkuptim dhe forcë për të ndërtuar një jetë të ndershme.

Së bashku rritën dy fëmijët e tyre, djalin Arif dhe vajzën e tyre, duke u përcjellë vlerat e punës, ndershmërisë, dashurisë për Atdheun dhe respektit për njerëzit.

Në vitin 1967 ai u nda nga jeta, duke lënë pas kujtimin e një luftëtari të guximshëm dhe të një qytetari model. Megjithëse Zeqir Kadri Halili nuk jeton më, emri dhe vepra e tij vazhdojnë të ruhen me krenari nga familja.

Djali i tij Arifi, vajza, nusja Merzako, si edhe mbesat Vojsava dhe Albana, janë pranuar si pasardhës veteranësh dhe e mbajnë gjallë kujtimin e tij.

Sot, kur kanë kaluar më shumë se tetëdhjetë vjet nga Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, kemi detyrimin moral të mos lejojmë që emra si Zeqir Kadri Halili të mbulohen nga pluhuri i harresës.