Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino kërkon mbështetje politike nga SHBA për të siguruar të ardhmen e tij në krye të FIFA-s, pasi organi drejtues europian ka kërkuar dorëheqjen e tij dhe ka lëshuar një paralajmërim zyrtar për FIFA-n dhe aktorët kryesorë në projektin FFE .
Pritet të zhvillohet një bisedë private mes Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe Infantino-s, për të kërkuar mbështetjen e administratës Trump në përpjekjet e tij për të qëndruar në krye të FIFA-s, dërkohë qe UEFA po kërkon dorëheqjen e tij.
Telefonata ishte planifikuar të mbahej të hënën, menjëherë pas orës 09:00 me kohën lokale në SHBA. Zyrtarisht, diskutimi do të fokusohej te roli i futbollit si një instrument i “fuqisë së butë” për Shtetet e Bashkuara, por burime të cituara nga media amerikane pretendojnë se qëllimi kryesor lidhet me sigurimin e mbështetjes politike për pozitën e Infantinos.
Ndërkohë UEFA kërkon të ruhen të gjitha dokumentet, e-mail-et, mesazhet dhe provat e tjera që lidhen me rastin. Çdo shkatërrim ose ndryshim i këtyre artikujve mund të ketë pasoja ligjore.
Ky zhvillim vjen pasi FIFA tërhoqi propozimin për krijimin e Ndërmarrjes së Përparuar FIFA (FFE), një projekt që parashikonte investime private në një degë të re përgjegjëse për menaxhimin e të drejtave komerciale të Kupës së Botës dhe turneve të tjera.
Plani hasi në kundërshtime të forta nga konfederatat dhe federatat kombëtare.
Ndërkohë, Shoqata e Futbollit të Uellsit njoftoi tërheqjen e mbështetjes për një mandat të ri të Infantinos, duke u bërë federata e parë kombëtare që ndërmerr një hap të tillë.
Sipas raportimeve, edhe Shoqata Angleze e Futbollit pritet të ndjekë të njëjtën linjë, duke shtuar presionin ndaj presidentit aktual të FIFA-s.





















