“Nuk po kërkoj të vras njerëz”/ Trump: Bisedimet e reja me Iranin do të fillojnë të hënën

Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se bisedimet me Iranin do të nisin të hënën, menjëherë  pasi vendosi të anulojë sulmet ushtarake që ishin planifikuar ndaj Teheranit.

Trump tha se palët do të zhvillojnë negociata për të arritur një marrëveshje dhe se takimet do të nisin të hënën pasdite. “Po flasim me ta në formën e një negociate. Fillon nesër pasdite”, u tha Trump gazetarëve në bordin e avionit presidencial “Air Force One”.

Sigal

Sipas presidentit amerikan, disa vende të Lindjes së Mesme, përfshirë Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarin, i kërkuan të mos ndërmerrte sulmin, pasi besojnë se ekziston mundësia për një marrëveshje.

Njoftimi për rikthimin e negociatave ndikoi menjëherë në tregjet ndërkombëtare. Çmimet e naftës ranë në bursat aziatike, pasi investitorët panë mundësinë e një uljeje të tensioneve mes SHBA-së dhe Iranit.

Trump nuk dha një afat për arritjen e një marrëveshjeje me Iranin, por theksoi se SHBA mbetet e gatshme për veprim ushtarak nëse negociatat dështojnë. “Jemi gati të veprojmë kurdo që të duam. Nuk po kërkoj të vras njerëz”, tha ai.