480 padi në Gjykatë për drejtuesit e rinj

371
Sigal

Të larguarit nga puna, kërkojnë rikthimin

Në Gjykatën e Elbasanit, deri datë 16 dhjetor, ishin depozituar plot 480 padi civile nga personat e larguar nga puna në 2 muajt e fundit. Bëhet fjalë për Drejtorinë e Policisë Qarkut, drejtorinë e Uzinës së Mjeksit, Ujësjellësin, Drejtorinë e Shëndetit Publik, Drejtorinë e Spitaleve, DAR, Ndërmarrjen e Trajtimit të Studentëve, (NTS), Prefekturën etj. Në paditë e tyre, të larguarit nga puna, kërkojnë rikthimin në detyrë, dhe dëmshpërblimin sipas ligjit. Burime nga Gjykata e Elbasanit thanë për “Telegraf” se, “çdo ditë kemi padi të dorëzuara nga persona që janë larguar dhe largohen nga puna, dhe ne do t’i trajtojmë sipas ligjit, dhe të drejtës që u takon, përveç ndonjërit që është larguar me motivacion të mbështetur në ligj”. Në Elbasan prej 2 muajsh ka nisur largimi nga puna në pothuajse të gjitha ndërmarrjet ku janë emëruar drejtuesit e rinj. Po largohen njerëz që kanë mbi 10 apo 15 vite punë, dhe janë specializuar në profesionet dhe pozicionet e tyre, duke u zëvendësuar me militantë dhe persona që absolutisht nuk janë në përputhje me ligjin. Largime masive ka pasur në polici, ku brenda 2 muajve janë larguar nga puna mbi 80 vetë, nga të gjithë sektorët, rendi, qarkullimi rrugor, krimi ekonomik, antidroga etj. Largime masive ka pasur në uzinën e Mjeksit, duke larguar specialistët e demontimit të armëve dhe municioneve e duke i zëvendësuar ata me njerëz që nuk e kanë haberin e atij profesioni. Largime masive janë bërë nga Ndërmarrja e Trajtimit të Studentëve, ku brenda një dite u pushuan nga puna pa asnjë motivacion 60 persona, burra e gra. Po ashtu largime ka pasur edhe nga kreu i ri i Prefekturës Arben Kamami i disa zyrtarëve, duke mos u lënë kohë as të marrin zyrtarisht shkresën e largimit. Të gjitha këto veprime duket sikur kryhen “për rinovimin e administratës dhe përmirësimin e proceseve të punës”. Por fakti tregon se, largimi i tyre nuk ka suprimuar asnjë vend pune, por po shoqërohet me prurjen e militantëve. E vetmja rrugë të larguarve u mbetet vajtja në Gjykatë, dhe më pas marrja e dëmshpërblimit, që do të thotë marrje e parave nga arka e shtetit. Refreni i largimeve nga puna me motive politike mbetet një turp i madh i shoqërisë shqiptare, një shkak më tepër për ti mbushur mendjen europianëve se, ne nuk kemi ndërmend të ndryshojmë kursin e nisur qysh para 23 viteve. Ka dy dekada që njerëzit punësohen diku dhe mbeten me frikën se pas 4 viteve kur të ndryshojë forca qeverisëse ata do të largohen nga detyra. Llogariten në miliona lekë, paratë e marra nga personat e larguar nga puna pasi kanë fituar gjyqet, dhe kjo padyshim ka rënduar mbi xhepat e gjithë shqiptarëve. Por pavarësisht kësaj, largimet duket se sapo kanë nisur. Kjo pasi mësohet se në Janar –Shkurt 2014  do të nisë sërish një valë e re largimesh nga puna të zyrtarëve, dhe nëpunësve të rrengjeve të ulëta, duke rritur ndjeshëm faturën që kjo qeveri do tu paguajë  atyre, pasi të kenë fituar proceset gjyqësore. Vetëm në Elbasan llogariten të largohen nga puna në fillimin e vitit 2014 edhe afro 1200 vetë, duke rritur ndjeshëm numrin e atyre që do të dynden sërish në dyert e Gjykatës për të kërkuar drejtësi.