Ilir Çumani: Shqipëria nuk është pushteti

(Kur populli ngrihet për dinjitet, bie miti i regjimeve të paprekshme)

Në historinë 35-vjeçare të pluralizmit shqiptar, vendi rrallëherë ka përjetuar një reagim qytetar kaq masiv, kaq gjithëpërfshirës dhe kaq të ngarkuar me revoltë morale sa protestat e ditëve të fundit, që me sa duket kurrë nuk do të kenë kthim pas derisa protestuesit të mbërrijnë në qëllimin e tyre final.

NOA

Ato nuk përfaqësojnë thjesht pakënaqësinë ndaj një qeverie apo kundërshtimin e zakonshëm politik mes mazhorancës dhe opozitës. Përmasat e tyre shkojnë shumë më larg.

Këto protesta po marrin gjithnjë e më shumë tiparet e një refuzimi të madh mbarëpopullor ndaj gjithë establishmentit politik, ekonomik dhe mediatik që, për më shumë se tri dekada, ka mbajtur peng zhvillimin normal demokratik të Shqipërisë.

Në thelb të kësaj revolte qëndron ndjenja e akumuluar e zhgënjimit të qytetarëve ndaj një sistemi që premtoi demokraci, meritokraci dhe mirëqenie, por që në shumë raste prodhoi një regjim nepotik me korrupsion të frikshëm, pabarazi sociale, klientelizëm dhe emigrim masiv të shqiptarëve.

Pikërisht për këtë arsye, protesta e sotme nuk mund të lexohet vetëm si reagim emocional i momentit. Ajo është pasqyrë e një krize shumë më të thellë besimi mes qytetarëve dhe elitave që kanë qeverisur vendin në këto 35 vite pluralizëm.

Pjesa më dërrmuese e shqiptarëve ndiejnë se shteti prej shumë kohësh është larguar nga interesat publike dhe është kthyer në instrument të privilegjeve të një pakice të lidhur me interesa okulte me pushtetin politik dhe ekonomik.

Dimensioni antiestablishment i kësaj lëvizjeje bëhet edhe më i dukshëm për faktin se në të po bashkohen shtresa, mosha dhe kategori të ndryshme shoqërore pa bindje politike: të rinj pa perspektivë, familje të goditura nga kriza ekonomike, pensionistë të mjeruar, të tallur dhe të nëpërkëmbur nga një pushtet arrogant dhe i padhembshur që u jep një lëmoshë poshtëruese për mundin dhe sakrificat e tyre prej një jete të tërë, profesionistë të zhgënjyer nga mungesa e meritokracisë, qytetarë që ndihen të pambrojtur përballë korrupsionit dhe arrogancës së pushtetit.

Kjo e bën protestën të ndryshme nga shumë reagime të mëparshme politike, të cilat shpesh kanë qenë të kufizuara nga interesat partiake apo nga retorika elektorale.

Në këtë kuptim, ajo që po ndodh sot mund të konsiderohet si një moment i rëndësishëm kthese psikologjike dhe shoqërore.

Për herë të parë pas shumë vitesh, po krijohet perceptimi se revolta qytetare nuk buron vetëm nga militantizmi politik, por nga një ndjenjë e gjerë kolektive se modeli aktual i qeverisjes ka konsumuar dhe tradhtuar prej kohësh besimin publik dhe ka penguar potencialin normal të zhvillimit të vendit.

Kjo është edhe arsyeja pse këto protesta po rezonojnë shumë më tepër sesa si një ngjarje politike e zakonshme.

Ato po lexohen si simptomë e lodhjes së një shoqërie të tërë ndaj tranzicionit të pafund, ndaj kapjes së institucioneve, ndaj propagandës boshe dhe ndaj mungesës së një vizioni real për të ardhmen e vendit.

Ajo që po ndodh sot në Shqipëri nuk mund të lexohet thjesht si revoltë politike kundër një qeverie të korruptuar në çdo qelizë, por është shumë më tepër se kaq. Është shpërthimi i gjatë i një zemërimi mbarëpopullor, i akumuluar prej vitesh kundër arrogancës së pushtetit, grabitjes sistematike të fondeve publike, shkatërrimit të meritokracisë dhe përdhosjes së shpresës qytetare.

Për vite me radhë, kryeministri Edi Rama dhe mekanizmi i tij politik kanë tentuar të ndërtojnë një narrativë të rreme: sikur pushteti është vetë Shqipëria. Sikur qeveria është kombi. Sikur propaganda është realiteti. Dhe sikur kushdo që kundërshton këtë regjim klientelist e kleptokratik, automatikisht del kundër vendit.

Por historia dhe përvojat botërore kanë një ligj të hekurt: asnjë pushtet nuk mund ta zëvendësojë popullin.

Sot, në sheshe, në rrugë, në fytyrat e mijëra të rinjve dhe qytetarëve të zakonshëm, po shfaqet Shqipëria reale — ajo Shqipëri që nuk pranon më të jetojë e poshtëruar, e përjashtuar dhe e grabitur.

Kjo është edhe arsyeja pse kjo lëvizje qytetare ka një domethënie shumë më të madhe sesa rotacioni politik.

Në vetvete, ajo përfaqëson refuzimin moral të një modeli qeverisës që ndërtoi luksin e shfrenuar të pakicës së lidhur me pushtetin korruptiv mbi varfërinë e shumicës; që ndërtoi fasada propagandistike mbi rrënimin institucional; që ndërtoi kultin e individit mbi heshtjen dhe frikën.

Në thelb, protesta e sotme është një akt çlirimi psikologjik i shoqërisë shqiptare, sepse regjimet autokrate, të padhembshura dhe arrogante nuk mbahen vetëm nga pushteti administrativ apo ekonomik. Ato mbijetojnë kryesisht nga bindja që përpiqen t’u imponojnë njerëzve përmes makinerisë së frikshme të propagandës dhe jeniçerëve të kësaj industrie: se asgjë nuk ndryshon, se rezistenca është e kotë, se qytetari është i pafuqishëm përballë makinerisë së propagandës dhe korrupsionit.

Dhe pikërisht këtë bindje po rrëzon sot ky uragan popullor.

Në mënyrë simbolike, protestat po shembin mitin e “pushtetit të pathyeshëm”. Ato po tregojnë se Shqipëria nuk është prona private e askujt; se shteti nuk është dekor propagande për luksin e oligarkëve; se demokracia nuk mund të reduktohet në spektakël mediatik dhe marketing elektoral.

Në këtë pikë, roli i të rinjve bëhet vendimtar dhe historik. Janë pikërisht ata — djemtë dhe vajzat që refuzojnë të largohen nga vendi, që refuzojnë të pranojnë korrupsionin si fat, që kërkojnë dinjitet dhe meritë — ata që po rilindin kuptimin e qytetarisë shqiptare. Ata nuk po kërkojnë vetëm ndryshim qeverie, por më së shumti ndryshim kulture në administrimin e shtetit përmes mirëqeverisjes.

Një kulturë ku suksesi të mos vijë nga lidhjet me pushtetin. Ku drejtësia të mos jetë selektive. Ku fondet publike të mos trajtohen si plaçkë private. Ku propaganda të mos zëvendësojë të vërtetën.

Dhe kjo është arsyeja pse protesta tremb kaq shumë establishmentin aktual më të korruptuar në të gjithë historinë e Shqipërisë, sepse regjimet e ngritura mbi kontrollin e frikës, propagandës dhe klientelizmit kanë një dobësi fatale: ato nuk dinë të përballen me qytetarin e lirë.

Në këtë sfond, bie edhe maska e asaj pjese të mediave të kapura, të cilat për vite kanë shërbyer si studio grimi të pushtetit, duke relativizuar skandalet, duke normalizuar korrupsionin dhe duke sulmuar çdo zë kritik. Por realiteti nuk mund të maquillohet pafundësisht. Ka një moment kur e vërteta shpërthen jashtë ekranit dhe hyn në sheshet e qyteteve.

Pikërisht ky moment duket se ka ardhur. Sot, përballë kësaj lëvizjeje popullore, pyetja nuk është më nëse njerëzit janë kundër një qeverie. Pyetja është nëse Shqipëria do të vazhdojë të qeveriset si pronë e një elite të mbyllur apo do të rikthehet tek qytetarët e saj.

Kjo protestë nuk është fundi i një beteje politike, por fillimi i një epoke të re qytetare, sepse kur populli zgjohet, propaganda e humbet fuqinë. Kur qytetari ngrihet, pushteti zhvishet nga miti. Dhe kur rinia zgjedh të mos heshtë më, historia fillon të ndryshojë drejtim.

Ky uragan i pashembullt mbarëpopullor që po ndodh sot në sheshin “Dëshmorët e Kombit” është ATDHEU dhe FYTYRA më e bukur dhe më e vërtetë e Shqipërisë evropiane.

BEKIME SHQIPËRI!