Presidenti shqiptar Bajram Begaj priti në Tiranë sot në 4 qershor homologun nga Lituania, Gitanas Nausėda, në kuadër të një vizite zyrtare.
Gjatë takimit, dy presidentët diskutuan për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Një nga temat kryesore të bisedimeve ishte procesi i integrimit evropian të Shqipërisë dhe mbështetja që Lituania i ka dhënë vendit në këtë rrugëtim. Begaj vlerësoi qëndrimin e vazhdueshëm të Vilniusit në favor të zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Dy liderët diskutuan gjithashtu për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në teknologji, energji, turizëm dhe inovacion.
Në fokus të takimit ishte edhe siguria Euroatlantike dhe bashkëpunimi mes dy vendeve si aleate në NATO. Presidenti Begaj ritheksoi mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën dhe rëndësinë e unitetit të aleancës përballë sfidave të sigurisë në Evropë. Në bisedë u trajtuan edhe zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, ku u theksua mbështetja për integrimin euroatlantik të Kosovës.




















