Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) ka përfunduar hetimin disiplinor të nisur me iniciativë ndaj prokurores A.K., pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, duke i propozuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) caktimin e masës disiplinore “Vërejtje publike”. Sipas raportit hetimor, prokurorja, në cilësinë e prokurores së çështjes, ka kundërshtuar një vendimmarrje të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe ka dërguar shkresa të shoqëruara me mbi 20 akte procedurale pjesë të dosjes tek institucione të ndryshme brenda dhe jashtë sistemit të drejtësisë. ILD vlerëson se këto veprime janë kryer në kundërshtim me kompetencat e saj dhe përbëjnë shkelje të rregullave që lidhen me organizimin dhe funksionimin e prokurorisë, si edhe me ruajtjen e konfidencialitetit të të dhënave hetimore. Hetimi ka evidentuar se A.K. ka nënshkruar dokumente me funksionin e Drejtuese së Seksionit të Posaçëm, pa pasur kompetencën përkatëse, si dhe ka shpërndarë kopje aktesh të një çështjeje në proces hetimi tek persona të tretë. Sipas ILD-së, këto veprime kanë cenuar autoritetin e drejtuesit të prokurorisë, imazhin institucional të organit të akuzës dhe kanë krijuar rrezik për mbarëvajtjen e hetimit. Raporti i referohet edhe detyrimeve të përcaktuara në ligjin nr. 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë”, i cili ndalon publikimin ose shpërndarjen e të dhënave që mund të dëmtojnë një çështje në hetim apo gjykim, si dhe ndalon prokurorët të japin deklarata ose opinione për veprimtarinë e organeve të tjera. Në përfundim të hetimit, ILD ka arritur në konkluzionin se veprimet e prokurores përbëjnë “shkelje disiplinore të lehtë”, të parashikuar nga neni 102, pika 1, shkronjat “g” dhe “j” të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Duke marrë në konsideratë faktin se bëhet fjalë për shkeljen e parë disiplinore të magjistrates, përvojën dyvjeçare në detyrë, si dhe pasojat që lidhen me cenimin e imazhit të prokurorisë dhe besimit të publikut në sistemin e drejtësisë, ILD i ka propozuar KLP-së caktimin e masës disiplinore “Vërejtje publike” ndaj prokurores A.K. në Korçë.





















