APELI/ KLGJ vulos me dyer të mbyllura “katapultimin” e anëtarëve të Vettingut!

Pa garë dhe pa debat, 7-0 për KPA-në

 “Sheikët” e vettingut, kërkojnë të futen të pakontrolluar në Gjyqësor dhe pa vetting, pas intimidimit që i bënë KLGJ- së, ku flitet se Ina Rama kërkon karrigen e Kryetares së Apelit të GJKKO, dhe Sokol Çomo atë të Kryetarit të Apelit Civil. Procesi i Vettingut rrezikon të kthehet në një “karusel” që rrotullon të njëjtët njerëz, teksa qytetarët zvarritet mbi 15 vjet për të marrë drejtësi. Anëtarët e KPA-së që për vite me radhë firmosën shkarkime, konfirmime dhe largime nga sistemi, sot kërkojnë në mënyrë të pamoralshme të futen në sitemin e drejtësisë nga oxhaku dhe jo nga dera.

NOA

Për vite me radhë ishin njerëzit që vendosën fatin e gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë. Firmosën shkarkime, konfirmime, largime nga sistemi. Sot, kur mandati i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit po shkon drejt fundit, pesë prej emrave më të njohur të këtij institucioni po bëhen gati të rikthehen vetë në sistemin e drejtësisë. Pa garë reale. Pa rivlerësim të ri. Pa kaluar në sitën e vettingut që ata vetë aplikuan ndaj qindra magistratëve.

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka hapur zyrtarisht rrugën për kalimin e anëtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit drejt Gjykatave të Apelit, në një proces që po konsiderohet si “katapultim” i zyrtarëve të Vettingut në sistemin e drejtësisë, pa konkurs dhe jashtë filtrave që kalojnë juristët e zakonshëm.

Me votë unanime dhe pa asnjë debat publik, KLGJ shpalli 10 vende vakante në Gjykatën Administrative të Apelit dhe në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, vende të cilat synohen nga pesë anëtarë të KPA-së: Sokol Çomo, Natasha Mulaj, Albana Shtylla, Ina Rama dhe Mimoza Tasi.Vendimi ka ndezur sërish debatin mbi mënyrën sesi anëtarët e strukturave të Vettingut po kalojnë automatikisht në sistemin gjyqësor, ndonëse shumica prej tyre nuk kanë ndjekur Shkollën e Magjistraturës dhe nuk kanë konkurruar asnjëherë për pozicione gjyqtarësh në Apel.

Ligji i posaçëm i Vettingut u jep anëtarëve të KPA-së të drejtën që, pas përfundimit të mandatit, të emërohen gjyqtarë Apeli, me përjashtim të rasteve kur kanë masa disiplinore. Pikërisht kjo dispozitë është tashmë objekt i një beteje në Gjykatën Kushtetuese, ku kërkohet shfuqizimi i saj si antikushtetuese.Shoqata “Asociacioni Kombëtar i Medias dhe Drejtësisë” ka depozituar një padi voluminoze, duke argumentuar se Kushtetuta parashikon qartë që gjyqtarët duhet të kalojnë përmes Shkollës së Magjistraturës dhe filtrave të verifikimit profesional e moral.

Në qendër të debatit është pikërisht fakti se anëtarët e KPA-së po trajtohen si një kategori “elitare”, që përfiton hyrje direkte në Gjykatat e Apelit vetëm për shkak të mandatit në Vetting.

Dyshimet janë shtuar edhe më shumë pas faktit se mbledhja e KLGJ-së u shoqërua me një diskutim me dyer të mbyllura për më shumë se dy orë e gjysmë, pa një shpjegim publik mbi bazën ligjore të këtij vendimi.Ndërkohë, padia në Gjykatën Kushtetuese pritet të kthehet në një nga përplasjet më të forta juridike të pas-reformës në drejtësi. Nëse Kushtetuesja rrëzon dispozitën, anëtarët e KPA-së do të duhet të konkurrojnë si çdo jurist tjetër. Nëse jo, atëherë do të legjitimohet një precedent që sipas kritikëve krijon “gjyqtarë VIP” të futur në sistem përmes një rruge të shkurtër politike.Debati tashmë nuk është vetëm juridik, por edhe politik e moral: a po mbyllet Vettingu duke prodhuar një kastë të re gjyqtarësh të privilegjuar?