Të huajt, 18 vjeçarët dhe oraret, tre “moskëtierët” e sezonit të ri

Nga Agron KAJA

 

Sigal

Kjo është periudha ku skuadrat zhvillojnë përgatitje, merkato dhe ndeshje në Europë. Dhe  ato të Superiores janë me sy e veshë tek ndeshjet e javës së 1-rë, të cilat zyrtarisht duhet të nisin më 22 gusht 2026.

Kështu edhe për skuadrat e Kategorisë së Parë, të cilat kanë më shumë kohë deri në datën 5 shtator. Por ky sezon i ri 2026-2027 do të nisë edhe me disa ndryshime, i fundit lidhet me shpërndarjen e fashës së orareve të ndeshjeve në Abissnet Superiore dhe Kategorinë e Parë.

Ndërsa më parë ishin dy vendime të tjera të rëndësishme, vendosja e detyruar e lojtarëve 18 vjeçarë në formacion, dhe kufizimi i lojtarëve të huaj, me 7 të tillë. Por ndalemi tek i fundit, ku Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së ka miratuar propozimin për shpërndarjen e re të orareve të zhvillimit të ndeshjeve në kampionatet Abissnet Superiore dhe Kategoria e Parë.

Ky vendim erdhi si pjesë e përpjekjeve të FSHF-së për të përmirësuar organizimin e garave kombëtare, duke krijuar një strukturë më funksionale të kalendarit të ndeshjeve dhe duke garantuar njëkohësisht përshtatshmërinë me kërkesat e transmetimeve televizive.

Nëse më parë një sponsor, apo një televizion me të drejta transmetimi të ndeshjeve në futbollin shqiptar vendoste oraret e zhvillimit të ndeshjeve, tashmë ata janë të detyruar ti përmbahen kësaj fashe të orareve. Një formë kjo që u vendos pas konsultimeve me drejtuesit sportivë të klubeve të Abissnet Superiore dhe të Kategorisë së Parë.

Kështu, ndeshjet e kampionateve profesioniste do të zhvillohen në katër fasha të përcaktuara orare: 13:30, 16:00, 18:30 dhe 21:00. Në rastet kur nuk do të ketë ndeshje të ekipeve kombëtare në mesjavë, ndeshjet e kampionateve do të planifikohen të zhvillohen të premten, të shtunën dhe të dielën.

Ndërsa në periudhat kur ekipet kombëtare do të kenë angazhime në mesjavë, ndeshjet do të zhvillohen të premten dhe të shtunën, me qëllim që futbollistëve t’u krijohet koha e nevojshme për rikuperim dhe përgatitje. Në raste të veçanta organizative, ose për arsye të tjera specifike, ndeshjet mund të programohen edhe ditën e hënë.

Me këtë vendim, FSHF-ja synon të rrisë cilësinë e organizimit të kampionateve. Por, sa i plotësojnë kushtet e infrastrukturës të gjitha skuadrat që ato ti përgjigjen me korrektesë orareve të përcaktuara? Kjo do shikohet gjatë garës.